Gratë që e çuan në krahë një copëz të së ardhmes-Nga Asqeri Memushaj, Kallarat –

  • Nga Asqeri Memushaj, Kallarat –

Ishte viti 1947. Shqipëria e porsa çliruar ndodhej në një periudhë të vështirë, por edhe të mbushur me përpjekje për rindërtimin e vendit të dëmtuar nga lufta. Ndërtimi i rrugëve, hekurudhave dhe veprave të tjera të nevojshme për jetën e përditshme u bë pjesë e një mobilizimi të gjerë, ku përmes aksioneve u përfshinë, jo vetëm të rinjtë, por edhe burra e gra të moshave të ndryshme.

Vendi duhej të rindërtohej e të ngrihej përsëri, si në qytete, ashtu edhe në fshatra, dhe kjo kërkonte punë, durim dhe sakrifica nga të gjithë.

Në këtë frymë të kohës, pushteti vendor i zonës Kotë–Kuç mori vendimin për vendosjen e linjës telefonike nëpër fshatra, një hap i rëndësishëm për kohën për përmirësimin e komunikimit dhe lidhjen më të mirë të fshatrave tona me ato të zonës.

Për realizimin e kësaj detyre të rëndësishme nevojiteshin shtylla druri prej pishe, të cilat do të merreshin në Borsh dhe do transportoheshin në krahë drejt vendeve ku do të kalonte linja telefonike.

Ishte një detyrë e kohës, së cilës iu përgjigjën banorët e gjithë zonës, sipas organizimit dhe mundësive të atëhershme. Në këtë angazhim morën pjesë edhe gratë e Kallaratit, të cilat, megjithëse përballeshin me një punë të rëndë e të lodhshme, e kryen atë me përgjegjësi dhe qëndrueshmëri.

Mes atyre që morën mbi supe këtë punë të rëndë ishin edhe dhjetë gra nga Kallarati:

Xhevo Memushaj,
Belere Memushaj,
Haire Dautaj,
Merjo Tozaj,
Haire Petanaj,
Pajame Ribaj,
Azime Ribaj,
Afeza Tozaj,
Velide Golloshaj,
Hyri Memushaj

Dhjetë gra, dhjetë emra që sot mund të duken si pjesë e një kujtimi të largët, por pas secilit prej tyre qëndron një jetë e tërë pune, mundi dhe sakrifice.

I përfytyroj duke ecur nëpër rrugët e vështira të asaj kohe, me shtyllat e rënda mbi supe. Dhe kjo nuk ishte barra e vetme që mbanin. Në shtëpi i prisnin fëmijët, familja, punët e shtëpisë, ara, bagëtitë dhe gjithë hallet e jetës së përditshme.

Jeta e gruas së fshatit në ato vite nuk ishte aspak e lehtë. Ajo punonte nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe shumë herë lodhjen e mbante për vete.

Ndoshta këto gra nuk mendonin se po bënin histori. Për to ishte një punë që duhej kryer, si shumë të tjera që u kishte sjellë jeta.

Ato nuk kërkuan lavdi e as falënderime. Punuan, duruan dhe vazhduan jetën e tyre.

Nëna ime (Merjo Tozaj) i kujtonte shpesh këto gra. Fliste për to me respekt, si për gra të forta, punëtore dhe të ndershme. Sa herë përmendte emrat e tyre, dukej sikur sillte pranë nesh edhe një copëz të asaj kohe, një kohë që sot po largohet dalëngadalë nga kujtesa jonë.

Prandaj mendova se këta emra nuk duhet të mbeten vetëm në kujtesën e familjeve të tyre.

Duhet t’i kujtojmë gratë e atij brezi, ato gra që mbajtën familjet, rritën fëmijët, punuan tokën, u kujdesën për bagëtitë dhe përballuan varfërinë e vështirësitë me një forcë të jashtëzakonshme.

Ishin gra të vuajtura, por të forta.

Gra të lodhura, por që nuk u dorëzuan.

Gra me pak mundësi në jetë, por me shumë nder dhe dinjitet.

Shtyllat që mbajtën ato ditë mbi supe nuk ishin thjesht copa druri. Ato do të shërbenin për të sjellë telefonin dhe komunikimin në fshat. Në një farë mënyre, këto gra po mbanin mbi supe edhe një copëz të së ardhmes.

Sot, kur me një telefon të vogël në dorë flasim me njerëz në çdo anë të botës, është mirë të kujtojmë se dikur, për të sjellë një linjë telefonike në fshat, gra të thjeshta duhej të ecnin kilometra të tëra duke mbajtur shtylla mbi supe.

Kjo është një pjesë e vogël e historisë së tyre, por edhe e historisë së grave të Kallaratit dhe të gjithë atij brezi.

Le t’i kujtojmë dhe t’i përmendim me emër, sepse edhe ato, me punën dhe sakrificën e tyre të heshtur, kanë lënë gjurmën e tyre në historinë e fshatit tonë.

Me respekt,
Asqeri Memushaj, Kallarat