
Ky udhëtim është si një kthim në të kaluarën, kur shkonim çdo vit për pushime dhe merrnim një shtëpi me qira, më së shumti në qytetin e Pogradecit. Liqeni i dallgëzuar në një ditë gri, shëtitorja e mbjellë me lule dhe pëllumbat gjithnjë në kërkim për të çukitur ushqimin në breg, përbënin panoramën më të bukur e frymëzuese.
*****
E harronim mungesën e ujit, të banjës private, të ajrit të kondicionuar, sipërfaqen e vogël dhe vapën mbytëse. Mbetej vetëm gëzimi i vajzave tona, lojërat në plazh, era e kripur e detit mbi lëkurë e pushimi në pyllin me plepa, ku shtronim një batanije mbi bar.
*****
Sapo mbërrijmë, një mendim i trishtë më ther në shpirt: këto mund të jenë pushimet e fundit me gruan time Sherife. Mundohem ta flak tutje parashikimin e mjekëve se i kanë mbetur vetëm disa muaj jetë. Dua të mendoj se mrekullitë ekzistojnë; do të jetë kështu edhe për të, edhe për ne.
*****
Ditët këmbehen, me diell dhe me re. Përreth ka gjelbërim, fusha tenisi dhe shesh lojërash për fëmijë. Shëtisim apo ulemi në stol duke ndjekur nipin tonë që zbavitet me moshatarë të tjerë. Është bukur të vëresh gëzimin e tij të pafajshëm.
*****
Shëtitjet në buzë të liqenit janë të përditshme, por ndonjëherë era e fortë duket sikur do të na çojë larg. Tutje, dhjetëra varkëza lëkunden sikur vallëzojnë dhe në muzg dallgët qetësohen vetëm kur arrijnë në breg.
HASAN KURTI
Marrë nga libri “Prozë poetike dhe Aforizma”,
Lena Grafik, 2022, Prishtinë
Përgatiti për botim: IRMA KURTI