Llesh Gjomarkaj
Kush e solli mëngjesin sot

Kush
e solli mëngjesin sot?
Ti erdhe para diellit,
Hana të hodhi si një pikë lot,
mbështjellë
me buzëqeshjet e qiellit.
Kush ju priu
ëndrrave, shtigjeve të etura?
Horizontin e veshe me dritë.
Kjo natë i ndezi vatrat e vjetra.
Rreth tyre u mblodhën
gjithë perënditë.
Ti e zgjove erën
tek flinte lisave.
Fushat i zhvëshe
nga mjegulla e bardhë.
Ti ngjalle kujtimet e zjarrta
që koha i përkundte qiparisave.
Ti munde harresën
mes shpirtrave të ndarë!