Lamtumirë Për Mjeshtrin Gëzim Gjinaj-Bernard Zotaj

Bernard Zotaj

Familjarë, vëllezër e motra, miq e shokë të gjithë bashkë, përjetojmë peshën e rëndë të ndarjes nga njeriu i dashur, nga Gëzim Gjinaj i shtrenjtë.

Përcjellja e tij për në banesën e fundit është dhimbje e thellë, trishtim që na bashkon të gjithëve. Një dhimbje që vjen nga Vlora ku lindi e u rrit, nga Greqia ku emigroi, e deri në Amerikën e lirisë, për të mbërritur në Tragjasin e rrënjëve të tij shekullore.

Gëzim Gjinaj lindi në Vlorë më 27 gusht 1953, në një familje me tradita të shquara patriotike dhe zakone të pastra labe. Prindërit e tij, Sulejman dhe Drita, ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë dhe të respektuar, si në lagjen e tyre në Vlorë, ashtu edhe në Tragjas. Familja Gjinaj ishte nga ato familje fisnike që në Labëri i quanin “bukëdhënës.”

Pas përfundimit të shkollës së mesme industriale për saldator oksigjenist, në vitin 1972, dhe pasi kreu shërbimin ushtarak, Gëzimi u sistemua në punë në Parkun e Automjeteve të Tregtisë në Vlorë. Jeta nuk i kurseu vështirësitë, por mençuria, korrektësia dhe dinjiteti i tij bënë që gjithmonë të qëndronte i drejtë, i përmbajtur, i nderuar dhe mjeshtër në zanatin e Tij.

Krenaria dhe kultura e trashëguar nga familja dhe fisi u shfaqën tek ai në çdo hap të jetës. Gëzimi ishte bir i një familjeje të madhe, me vëllezërit Sali, Enver dhe motrat Teuta, Vojsava, Suliote. Por madhështinë nuk ia jepte numri, por vlerat njerëzore që e shoqëruan gjithë jetën: dashuria, bujaria, fisnikëria, ndjenja e fortë e miqësisë dhe e vëllazërisë.

Ai ruante me kujdes traditën, por njëkohësisht krijonte vetë traditë – në marrëdhënie, në dashuri njerëzore, në kujtime që s’do të shuhen kurrë. Në figurën e tij, ne nuk përcjellim thjesht një njeri, por një epokë të tërë vlerash, që do të mbetet e gjallë në kujtesën tonë njerëzore, vëllazërore e shoqërore.

Gëzimi u martua me znj. Fatmira Lika, që vinte nga një familje e madhe, e nderuar, me njerëz të dijes e të punës. Bashkë ndërtuan një familje të re, të mbushur me dashuri dhe mirësi. U bekuan me djalin Shkëlqim dhe vajzën Regleta, të cilët i rritën me përkushtim dhe me ndjenja të forta njerëzore.

Ndërrimi i sistemeve i gjeti në një udhëkryq, por ata ditën ta sfidonin kohën. Emigruan fillimisht në Greqi, ku punuan me ndershmëri, me sakrificë dhe me shpresë për një jetë më të mirë. Më pas, morën rrugën e gjatë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e nisur jetën nga e para, me mund e përkushtim të pashoq.

Por jeta nuk i kurseu dhimbjen më të madhe: humbjen e djalit Shkëlqim, në moshën më të bukur. Ata e përballuan këtë fatkeqësi me forcë shpirtërore dhe dinjitet të rrallë, duke gjetur mbështetje te vajza Regleta, e cila u diplomua mjeke dhe krijoi familjen e saj me Arben Çelajn, duke u dhuruar dy fëmijë të mrekullueshëm, që ndriçuan shtëpinë dhe shpirtin e tyre.

Ndahemi nga një burrë i thjeshtë, por i madh në shpirt, nga një zemër bujare, nga një vëlla, baba e gjysh shembullor, nga një mik dhe shok i dashur për të gjithë. Edhe pse u shua fizikisht, Gëzim Gjinaj do të mbetet gjallë në kujtimin e familjes, të miqve, të shoqërisë së gjerë, dhe të të gjithë atyre që e njohën e e deshën.