“Letër nënës”-Gezim Llojdia

“Letër nënës”

Gezim Llojdia

1.

Loti, si proces kimik, është i pastër dhe pa ngjyrë. Por në thelb, ai është më shumë se kaq: një produkt i shpirtit. Lasgush Poradeci, poeti i madh i ndjenjës dhe dritës, e ka përshkruar bukur këtë mister. Teksa shkruan për vesën dhe lotin, ai thotë:

…I mburrej vesa lotit me një të shkrepur djelli:

Përdhe ndaj baltësirës ty fat’i zi të flaku;

S’më shëmbëllen ti mua që jam një bijë qielli,

Që jam e motr’ e erës dhe shoq’ e çdo zambaku.

Dhe loti tha: Vërtet! Më lindi dhimbj’ e zezë,

Dhe dal nga syr’ i vuar i zemrës njerëzore;

Po kur se ti prej qjellit pikon vetëm përdhezë,

Un’ ik nga balt’ e rëndë drejt kaltërsish qiellore…”*

Në këto vargje, Llazar Gusho (Lasgushi) ka qëndisur bukurinë e lotit duke e shndërruar në një simbol të shenjtë. Ai e paraqet lotin si “bijë të qiellit”, “motër të erës” dhe “shoqe të çdo zambaku”, të lindur nga dhimbja e thellë njerëzore.

Mirëpo loti im kishte një arsye tjetër, krejt ndryshe nga poezia. Ishte një lot për nënën. Një lot që buronte nga dhembshuria, nga malli i pashuar, nga dashuria pa kufi për atë që më ka dhënë jetën.

Teksa po lexoja, pa e kuptuar, një poezi të krijueses dhe ky trazim nuk ishte i rastësishëm: poezi të tilla janë të lidhura shpirtërisht me vargjet e Eseninit në “Letër nënës”. Në të dyja këto krijime, fjala poetike bëhet urë që lidh fëmijën me nënën, mallin me dhimbjen, lotin me dashurinë hyjnore.

Loti që më rrëshqiti nga syri nuk ishte thjesht një proces biologjik, por një dëshmi e gjallë e asaj lidhjeje të shenjtë që nuk shuhet kurrë: lidhja me nënën.

2.

Në të vërtetë, burimi i lotëve dhe i ndjeshmërisë lindi pikërisht atëherë kur mora si pikë referimi këtë poezi, të përkthyer mjeshtërisht nga një dorë shqiptare.

E zgjodha sepse është brilante. Është një pikë vese që i tejkalon vetë vesët.

Esenini nuk ka shkruar thjesht vargje ai i ka gdhendur ato. Shkrimi mund të tretet në kohë.Por gdhendja mbetet e përjetshme, pavarësisht nga stuhitë historike apo lëkundjet e ndjenjave njerëzore. Kjo është arsyeja pse kjo poezi nuk është vetëm një tekst poetik, por një himn i madhërishëm kushtuar nënës, që ngrihet mbi valët e zërit ëmbëltor të Eseninit.

Ja disa nga vargjet që më prekën thellë:

Gjallë je, ti moj nënokja ime?

Gjallë jam edhe unë… të përshendes

Paqja e mbuloftë këtë mbrëmje

Izbën tënde deri në mëngjes.

Mora vesh se ti je merakosur

Atje larg për mua përseri

Se ti shpesh del rrugës e brengosur

Mbështjelle me të vjetrin shall të zi.

Kur e kalter mbrëmja bie pranë,

Të fanitet ty gjithmonë sikur

Diku mua larg në nje mejhane

Një i dehur thikën po ma ngul.

Kot ti nënë rri me gjak të ngrirë

Ky nuk është veç vegim i zi

S’jam aq vagabond i pamëshirë

Sa të vdes pa të shikuar ty.

Une i ëmbël jam prap si më parë

Endërroj kur fushat larg vërej

Që së shpejti nga këto mejhane

Në shtepinë e vogël prap të kthej.

Do të kthej atëhere kur të mbushet

Kopështi ynë i bardhë me blerim

Vetem ti si tetë vjet më parë

Mos më zgjo herët në agim.

Mos m’i zgjo ti endërrat që m’u zverdhën

Mos kujto atë që vate e shkoi…

Se në botë humbjet edhe lodhjet

Herët i provon nënë moj.

Mos mu lut t’i falem zotit prapë!

Tek e shkuara nuk ka më kthim

Vetëm ti je gazi im i vetëm

Ti e vetmja paqe e shpirtit tim.

Pra ti flaki brengat nëna ime

Mos u trishto për mua përsëri

Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe

Mbështjelle me të vjetrin shall të zi.

Në këto vargje, Esenini nuk i flet thjesht nënës së tij, por i flet çdo nëne. Ai shndërron dashurinë për nënën në një ndjenjë universale, në një thirrje që mbart mall, dhimbje, por edhe ngushëllim. Çdo figurë poetike nga shalli i zi i brengës, te shpresa e kthimit, te lutja për të mos u zgjuar ëndrrat e zverdhura krijon një peizazh shpirtëror ku çdo lexues gjen veten.

3.

Ca muaj më parë, pra vite më parë u bë një antologji për nënën në shqip botuar në New York.

Dhe c’mu kujtua koha e plakeve të mëhallës sonë.Ato , që shkonin në postë për të pyetur nëse kishte ardhur ndonjë telegram nga djali ushtar,por kjo kohë ka perënduar.

Nuk vijnë më telegrame. Posta e Goronecit është sot një shkretëtirë e heshtur. Shumë prej atyre nënëzezave, me shami të zeza në kokë, që prisnin ditë-natë, lajme për djemtë, nuk jetojnë më.

Ato kanë shkuar përfundimisht në, varrezën e madhe në perëndim të fshatit.

Tani vijnë vajzat e tyre.

Qajnë, rënkojnë:

“O nënëzeza, ku rri, ku fle? Baltën ke shtroje.”

Dikur nënat tona, thoshin:

“Djemo, do vijë një kohë që letrat do të dërgohen me pëllumba ajri, në shtatë qiej larg nesh.”

Ndoshta Yahoo,Gmail etj është pikërisht zbërthimi i atyre ëndrrave të plakave të mëhallës. Por meraku i tyre për fëmijët ishte i shumëfishtë, pa kohë dhe pa kufi.

Sepse zëri i nënës nuk është thjesht një thirrje.

Është udhërrëfyes për shpirtrat, është busull që të tregon rrugën për në botën e mirë.

Është ëndrra, që e zgjon nga gjumi për të pyetur:

-Ku është djali im?

-Ç’bëhet në këtë mot të acartë, mes borës e vetëtimave?

-Ku je, biri im, se malli më ka marrë?”

-Ku je në këtë koë,ku ha ku pi dhe ku fle ne mërgim?

Dhe këtu, papritur, më bie ndër mend Esenini kur shprehet:

“Kur e kaltër mbrëmja bie pranë,

Të fanitet ty gjithmonë sikur

Diku mua larg në një mejhane

Një i dehur thikën po ma ngul…”

4.

Dhe për kujtesë, më sjellin ndër mend tregimet e kohës së regjimit të shkuar. Thonë se kishte raste kur nënat e varfra, ato nënëzezë, zgjoheshin natën të tronditura nga ëndrrat për djemtë e tyre.

-Ku je, bir i nënës, se malli më ka marrë!

Më treguan se në jug një nënë kishte parë në ëndërr djalin e saj sikur u rrëzua nga shkëmbi.

U ngrit pa zbardhur dita, fytyra i ishte mbuluar nga lotë prushi.

-Ç’ke, nëno? e pyetën vajzat e shtëpisë.

-Kam parë tim bir sikur ra nga shkëmbi.

-Fli, është vetëm meraku i nënës, i thanë.

Por në të zbardhur korrieri solli gjëmën: djali kishte rënë vërtet në kufi.

…Ky Esenin, sikur të ishte lindur në katundet tona të jugut, do ta kishte përshkruar po aq qartë.

Vargjet e tij i japin zë pikërisht këtij realiteti: dhimbjes së nënës që pret lajme nga biri i ikur, pagjumësisë së saj, vegimeve të natës ku e sheh të birin në rrezik.

Dhe, ashtu si në poezinë e tij, gjithmonë është dikush larg një bir në kurbet, në udhë të botës dhe gjithmonë një nënë që përjeton merakun. Atë mall të pangushëllueshëm që shtohet më shumë sa më e madhe të jetë largësia.

Fjalët për nënën kanë gjithmonë një goditje të veçantë. Ato hyjnë drejt e në zemër. Sepse gjuha shkon atje ku dhëmb më shumë. Vargu që i kushtohet nënës është i çiltër, i thjeshtë në dukje. Por i mbushur me frymëzim,aq sa të prek dhe të tronditë njëkohësisht.

Për fatet e njerëzve të shtëpisë,që shpesh ndodheshin larg, përtej maleve të vështira për t’u kapërcyer, nuk kishte as tel, as fonogram, as ndonjë mjet tjetër komunikimi.

Por gjithmonë ekzistonte ëndrra. Ajo bëhej lajmëtarja më e shpejtë, më e besueshme, që sillte mesazhe me zë e me figura.

Dhe ato mesazhe nuk ishin fjalë të zakonshme. Ishin fjalë shpirti.

6.

“E dashur nënë.”

…Kështu kanë nisur dikur, dhe vazhdojnë të nisin ende sot, miliona letra dhe mesazhe nëpër botë.

Ndryshon vetëm gjuha, që në globin tonë shfaqet si një lëmsh i pafund fjalësh e tingujsh.

Por kjo thirrje mbetet e njëjtë.

Besoj se kjo fjalë e qëmoçme bart një gjerësi dhe një thellësi të pamatë.

Thellësia e saj është pafundësi.

Një ngjizje qiellore që transmetohet e paprekur brez pas brezi, edhe midis njerëzve që nuk kanë pasur kurrë rastin të takohen me njëri-tjetrin.

Prej kohësh më mundon një pyetje: A është e mundur që kjo fjali e pandryshuar, “E dashur nënë”, të jetë përsëritur ndër shqiptarë që nga ardhja e tyre në këtë glob?

Kodi i mistershëm i fatit tonë njerëzor, ku ruhen besnikërisht kujtimet e brezave, ka dhënë edhe këtë formulë të shenjtë, që jeton në jetë të jetëve. Po të mos ishte kështu, ajo do të kishte humbur prej kohësh nëpër mjegullinat e shekujve.

7.

Nuk ka arsye të bësh portrete nënash.Dhembshuria për fëmijën është e mpiksur që në çastin kur nis ndërtimi i saj me eshtra e gjak.

Kështu e ka sjellë Perëndia.

Kështu e ka njohur historia, ndër kohëra në racën tonë.

Dhembshuria e nënës prek fijet më të holla të shpirtit.

Ajo nuk është thjesht një instinkt biologjik, por një energji e pashueshme dhe e pazhbëshme, e ardhur nga lart, nga burimi i jetës.

Vitet nuk e dobësojnë përkundrazi, ajo rritet e bëhet më e fortë në zemrën e femrës, e dhënë vetëm për të dhe lënë në zotërimin e saj si dhuratë hyjnore.

Në librat e shkollës dhe në mijëra botime shqiptare janë shkruar shumë poezi për nënën.

Por jo të gjitha arrijnë të prekin thellë, sepse mes tyre ka edhe vargje mediokre, që mbushin faqe e faqe pa shpirt. Megjithatë, ky truall ka qenë gjithmonë pjellor për vargëzime të bukura kushtuar nënës.

8.

Po t’i referohemi më saktë vargjeve perlë të Eseninit, gjejmë një nyje lidhëse të veçantë: shalli. Ai shkruan:

Mora vesh se ti je merakosur,

Atje larg për mua përsëri,

Se ti shpesh del rrugës e brengosur,

Mbështjellë me të vjetrin shall të zi…”

Këto vargje ngrohin zemrën sepse bartin frymën eseniane atë frymë që ngre edhe “copën e hekurt” me forcën e mushkërive të shpirtit.

Në të vërtetë, është një burim frymëzimi hyjnor, një pikë takimi mes njeriut dhe fjalës së shenjtë.

Shekujt kanë njohur shenjtorë të letrave. Ata që me koston e madhe shpirtërore krijuan poezi dhe udhëhoqën popuj të tërë, sikur të mbanin në duar një religjion të ri, të mbështetur mbi Fjalën e Perëndisë, mbi Dritën e papërendueshme.

Në këtë tragë ecën edhe Esenin. Shalli këtu nuk është një mister. Ai është thjesht një mbulesë femërore, e zakonshme në kulturën tonë. Por ndërsa te poetët rusë ai shfaqet i zi tipar dallues i dimrave të acartë, të mbuluar nga bora dhe murlani tek vendlindja jonë merr një tjetër ngjyrë. Nuk është më shalli i zi i kobit, por një shall i njomur prej lotëve të nënës .

Lotimi bëhet i përhershëm, sepse krijesa e saj është larg: ka kapërcyer shtatë male e dete, ndoshta pa u parë, pa u përqafuar, pa i ledhatuar flokët e thinjur të nënës së brengosur.

Lotët e saj, dalëngadalë, shndërrohen në një monument kristalizohen, ngurtësohen, deri sa bëhen gur.

Ky është monumenti i madh i lotëve.

Por në shallin prej leshi, tjerrur e endur me duart e thata të nënës, mbetet i pashlyeshëm edhe malli i poetëve.

Ky mall nuk tretet, as në tokë, as në qiell.

Nga lotimi mbetet gjithmonë vetëm dhimbja.

Dhe atë dhimbje poeti e përfytyron të mbërritur përtej oqeaneve, si një ardhje engjëllore mbi ujërat e botës, duke trokitur në dritare .

9.

Edhe Pushkini e përmend shallin kur thotë: “Vështroj si i çmendur shallin e zi…” Nëse tek ai shalli i zi duket si një kujtim dashuror i largët, ndoshta edhe një ogur i zi, tek Esenini ai lidhet drejtpërdrejt me dhimbjen e nënës:

“Mos u trishto për mua përsëri,

Dhe mos dil aq shpesh tek rruga e madhe,

Mbështjellë me të vjetrin shall të zi.”

Pra, tek Pushkini kemi një zjarrmi kujtese, një shenjë e dashurisë së humbur.

Tek Esenini kemi një realitet të thjeshtë, prekës e tokësor.

Një nënë që del në rrugë e mbështjellë me shallin e zi, duke pritur me ankth.

Ky shall nuk është më as kujtim dashurie, as ogur i zi. Ai është shalli i kripur nga lotët, shalli i grisur nga dhimbja dhe malli i nënës së malluar. Nëse shalli nuk merret, mbetet si piedestal i lotëve, si gjurmë e vetëdijshme e sakrificës së saj.

Poetët e dinë se ardhja në jetë është e vetme dhe nuk përsëritet më.

Ajo nuk mund të rikthehet më nga mitra e nënës, ndaj shpreh me një brengë të butë se kjo do të ishte fat i madh.

Por fatet njerëzore janë të paracaktuara, të ruajtura në “dosje hyjnore” që askush nuk i gris, derisa Zoti përcakton çastin kur një frymë e re të zbresë në mitrën e femrës.

10.

Në letërsinë botërore pak poezi kanë lënë gjurmë aq të thella sa “Letër nënës” e Sergej Eseninit.

Me një thjeshtësi prekëse, ai i jep zë mallëngjimit të birit larg dhe dhimbjes së nënës që pret. Vargjet e tij, të mbushura me ndjesi të sinqerta, kanë tejkaluar kufijtë kombëtarë dhe kohorë shekullor, duke u bërë një thesar shpirtëror i përbashkët i njerëzimit.