Migjeni, ky misionar !Boris Miska

Boris Miska

(Shkruar sot më 18 prill, 89 vjet nga dita e mbërritjes në Pukë të Migjenit, këtij humanisti të madh)

Për Milloshin ka shumë cilësime, kuptohet nga më të merituara!

Eshtë quajtur shkrimtar i madh, uragan në ndërprerje, poet i mjerimit, mjeshtër i vargut, zë i ri, por pak kanë lëvruar anën tjetër, atë të njeriut, dimensionit human, misionarit, figurës së mësuesit të përkushtuar deri në vetëmohim.

Si nxënës i shkollës me emrin e tij, si njohës i vendit ku ai jetoi e punoi, që dha aq shumë në ato mote të trazuara, në respekt të kujtimit e mirënjohjes të asaj kohe u ula sot e po shkruaj disa rrjeshta.

Migjeni erdhi në Pukë në fund të viteve tridhjetë, gati nëntëdhjetë vjet më parë, në një periudhë të vështirë jo vetëm për të si shëndetlig, por edhe për qytetin e vogël me etje të madhe për t’u zhvilluar, shkolluar e rritur.

Sot është e lehtë për t’u thënë e shkruar, por nuk ka qenë e tillë të realizohej në atë kohë, në kushtet e një klime të ashpër, në borë e shi, në erë e suferinë, mungesave të mëdha, kushteve gati-gati elementare të jetesës e shkollimit.

E imagjinoj Migjenin mësues, tek dera e shkollës me sy poshtë qytetit nga vinin voglushët me strajcën e librave në dorë, të cilëve u duhej disa minuta e deri një orë të rrugëtonin për tek bangat e klasës.

Në shkollë mblidheshin jo veç nga qyteti i pakët, por edhe nga lagjet përreth; nga Lajthiza, Zezaj, nga Mehaj e Pezhve, Laçaj e Kukaj. Lagur, lodhur nga rrugëtimi, ngrënë e pangrënë, por me padurimin në sy sepse i priste dija, një prind i dytë, kryemësuesi, i dhimsuni, përkëdhelja e dorës dhe fjalës, shpresa.

Ora e mësimit fillonte me gjysmën e voglushëve të mbledhur rreth stufës për t’u ngrohur e tharë. Rrëshqitjen e shkumësit në dërrasën e zezë e shoqëronte gacimi i flakëve e avullimi i teshave të lagura.

Djali i ri i ardhur nga Shkodra nuk qe i vetmi, si ai kishte shumë e shumë mësues të tjetë, në fshatra të largëta e në zona të thella, jo veç në Pukë por në të gjithë vendit.

Nuk ishte i martuar, nuk pati fëmijë, por i deshi ato me gjithë fuqinë e shpirtit.

E kam të vështirë ta besoj s’e ai ishte i detyruar ta pranonte atë vend pune të ofruar nga institucionet arsimore të vendit!

Apo të ngjitej në atë qytet me klimë të ashpër vetëm e vetëm për ta ndihmuar shërimin nga sëmundja e mushkërive që po i ngërthente gradualisht jetën në lule të rinisë.

Jo!

Migjeni nuk shkoj nga zori, e as për të veruar!

Brenda shpirtit të tij gjallonte dëshira dhe etja për t’i shërbyer njerëzve, vocrrakve të pangopur me dije, ishte një lloj misioni që atij i ishte ngarkuar ta kryente para se të ndahej nga jeta.

Dhe bash aty në atë qytet të vorfën, mes atyre nxënësve të vegjel, ai do të shpaloste vlerat njerëzore nga më brilantet, do shkruante vargje buçitëse e tregime të rralla, që sot i bëjnë nder letërsisë e kulturës kombëtare.

Nuk e di në kishte të tjerë para tij!

Por më pas ka patur shumë, jo të atij niveli, ndoshta jo në ato përmasa, por që ishin trashigimtarë të vlerave humane që ai la pas, dëshirës për t’u shërbyer njerëzve, shpirtit të sakrifikës, mësues e profesionistë që sot i kujtoj me mallë e respekt.

Për Migjenin mësues dhe çdo mësues tjetër që dha jetë e gjurmë mbi breza të tërë të rritur e shkolluar, duhet të flasim papushim, të tregojmë pa u lodhur, për të afruar modele që sot mungojnë, për të ngjallur atë frymë që për fat të keq e ka zënë poshtë e po e atrofizon koha e kuptuar së prapthi, kuptimi i ngushtë i saj, interesa meskine që s’kanë asgjë të përbashkë me emrin e madh; edukator.

Boris Miska, ish-nxënës i shkollës ‘Migjeni’ Pukë.