Mësueses Luljeta Gjini Gërmenji – motrës së kompozitorit Kastorit Gjini, Migjenit të Pentagramit shqiptar
Albert Habazaj



Njoh një motër artisti, uragan synimi,
E pakthyeshme si lumi, e hapur si dita,
Dhe në fushë me lule ç’ mure pengimi
I ngrinin liliputët që s’i zinte drita…
Ia kam njohur që herët rrënjët fisnike
I ka pasur të thella, të pashkulshme,
Mirësinë në udhëtim ajo pati mike
Me ëmbëlsi të bardhë, ashtu, e pabujshme.
Njohim nga legjenda që vëllai për motrën
Kur ka një amanet, del nga dheu e s’pyet,
Se ka një nënë plakë të lodhur, të gjorën
Që pret me mall nëne, e zhuritur pret.
S’po rrëfej baladën, ku dridhet fjala e dhënë
Them Besën e Luljetës – shqiponjë Çike për vëllanë,
Jo të Kostandinit që doli nga dheu për Doruntinën
Po çfarë nuk bëka sot motra…dhe në tramundanë.
Ç’ është kjo amazonë labe, kjo Miro Tërbaçe
Ç’e bukur qytetare, që zyrave dudume pyet,
Halldupët i mbyllin dyert, kjo “vëd me kopaçe”
Çfarë nuk bëka motra sot për vëllain tek yjet…
Dhe nga faqja e Malit në Qafë të Elimit,
Në Horën e Tërbaçit, buzë Lumit të Bardhë,
Me dritën e ngrohtë të Kastriot Gjinit
Në shtatoren derdhur në bronz ka ardhë…
Bekim marrka kjo ditë shtatori, kam bindjen
Ngjyrën e artë vjeshta nga flokët e tu ka marrë,
Të bëhet tufë trëndeline për ditëlindjen
Për ty Luli, e palëkundura në guximin qytetar.
Vlorë, 3 shtator 2025
Miq të nderuar!
Ju uroj shëndet e mirësi. Kam muaj e muaj, ndoshta 2 vjet që më gërryen kjo poezi, që lindi nga misioni i madh i Luljeta Gëmenjit, motrës së Kompozitorit të Rinisë, Meteorit tonë Kastriot Gjini. E dini çfarë kërkon ajo kaq vjet? Në Tërbaç, në Qafën e Elimit, atje ku ka rrënjët e babait Kompozitori të bëjë një bust, shtatore në nderim të vëllait. dhe gjithçka me lekët e saj. Ata e sorollasin. Unë e kam mbështetur, për 1000 arsye të mira, por i kërkonin dhe një propozim nga një shoqatë. ia përgatita dhe ia nisa bashkisë së Himarës, se andej varet Tërbaçi me ndarjen administartive-teritoriale, 2014. Fjalë të bukura, ja, ja…, Por ende. dhe m’u kujtua, në një rrafsh tjetër balada e vjetër shqiptare “Besa e Kostandinit” dhe në kohë të re shkrova “Besa e Motrës”.
Përzemërsisht, Alberti