
NË ABANO TERME
(shënime udhëtimi nga Italia)
-Nga Ymer Hysa-
Pas një fluturimi të rehatshëm rreth një orë e 20 minuta me avion, nëpër një qiell të pastër dhe pa re, mbështetur te dritarja e sediljes 3F mundohesha të gjeja momente të bukura për të bërë fotografi favorizuar nga bukuria që më ofronte lartësia.
Edhe pse stjuardesa jepte udhëzime si duhet të vepronin në rast avarie, as që e kisha mendjen te fjalët e saj, por të sodisja tokën dhe detin nga lart. Gjatë ngritjes së avionit munda të fotografoj Durresin, Bishtin e Pallës të bregdetit shqipar dhe pak minuta më vonë ishujt kroat që më mahnisnin duke i parë nga lart.
Pas rreth një orë fluturim, stjuardesa lajmëron të vendosim rripat e sigurimit e të qëndronim ulur, pasi për 15 minuta avioni do të ulej në Aeroportin Trevisa (Airport Trevise).
Mbështeta përsëri kokën pranë dritares, ndeza aparatin celular për të fiksuar nga lart bukuritë që ofronte ulja e avionit.
Në aeroport nuk patëm vonesa apo pengesa. Një kontroll rutinë i pasaportave dhe përmesos, vulosja e tyre dhe dalja për në destinacion.
Destinacioni im ishte Abano Terme, pjesë e provincës së Padovas ku kisha mikun e familjes Halil Hoti.
Abano Terme është një qytet me rreth 20 mijë banorë dhe me një sipërfaqie prej 21 km². Èshtë vendi i banjove termale, ku ujrat termale dhe balta terapeutike njihen si më të rëndësishmet në Europë. Falë kësaj dhe mjaft resurseve të tjera natyrore dhe njerëzore, qyteti frekuentohet nga mbi 250 mijë turistë në vit, duke dhënë mundësi ndërtimi të një rrjeti të madh hotelesh dhe duke u bërë një burim i rëndëshëm të ardhurash.
Territori ku shtrihet qyteti është një zonë e krijuar nga shuarja e një vullkani që mendohet të ketë shpërthyer rreth 34 milion vjet më parë. Qyteti ka një lartësi rreth 14 metër mbi nivelin e detit.
Banjat Termale të Abanos njiheshin nga romakët si Aponi fons ose Aqua Patavinae. Shumica e tyre u shkatërruan në shekullin e 6-të nga Lombardët, por u rindërtuan dhe u zmadhuan kur Abano u bë një komunë e pavarur në shekullin e 12-të. Qyteti ishte pjesë e Republikës së Venecias nga viti 1405 deri me 1797.
Abano Terme më tërhoqi vëmendjen jo vetëm për arkitekturën e saj, por edhe për parqet e shumtē, rrugët e gjera, veprat e artit jo vetëm shatërvanët e shumtë, por dhe skulpturat veçanësht të njerëzve të shquar si shkencëtarë apo artistë, drurët gjigandë, veçanërisht, ullinjtë, pishat, bredhët, blirët etj. Parqet e mbajtura mirë, me rrugë të bollshme dhe stola të shumtë për pushuesit. Dhe si kudo në botën e qytetëruar nëpër parqe nuk do të mungonin as çezmat publike me ujë të pijshëm.
Tepër interesante ishte ruajtja me kujdes e traditës së ndërtimit jo vetëm në qendrën e qytetit, por edhe gjetkë e pallateve, katet e para të të cilëve shërbenin si objekte shërbimi ishin tē rrethuar me korridore të mbuluar më qëllim që qytetarët të ishin të sigurtë nga mbrojtja e agjentëve atmosferike si rreshjet apo rrezet e diellit. Edhe gurët vullkanike, apo edhe ata sedimentarë ishin ruajtur me kujdes.
Halili shoqëruesi im më flet gjithë pasion dhe dashuri për këtë vend të bukur që për të dhe familjen e tij tashmë është bërë atdheu i tij i dytë.
-“Nuk e ndërroj me asnjë vend tjetër, është një vend i mrekullueshëm, me njerëz të dashur e punëtorë, vend i qetë, i pastër dhe më pak se një orë e gjysëm larg Shqipërisë. Dhjetë minuta larg është Padova, më pak se një orë Trevizo apo Venecia ku kemi aeroportet.”
Ndërsa ai fliste unë sillja nëpër mend atdheun tim, kur do bëhej kështu…
14.09.2026

