“Rekuim”

Gezim Llojdia
1.
Tetori, muaji i ngjyrave të arta dhe i melankolisë, duket se është edhe muaji kur ikin poetët.
Në 11 tetor 2018, u largua nga jeta Fatos Arapi poeti i detit, i dashurisë dhe i lirisë. Zvërnec, 19 korrik 1930- Tiranë, 11 tetor 2018)
…Dhe më parë, po në tetor, u shua edhe Naimi poeti i madh i kombit, që ndezi dritën e fjalës shqipe.
Frashër, në 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900)
2.
Si të ishte një ligj i pashkruar i qiellit, tetori i mbledh poetët në gjirin e tij. Atje ku fjalët nuk vdesin, por bëhen yje. Dhe ndoshta nuk është rastësi…
Sepse tetori është muaji i poezisë, muaji kur gjethet bien me elegancë, ashtu siç bien gërmat në letrën e bardhë.
Në këtë stinë të butë, të mbushur me dritë e mall, kujtojmë Fatos Arapin .
Ai iku,7 vite më parë por la pas një det fjalësh, që nuk shteron kurrë. Dhe sa herë që fryn era nga Zvërneci, ajo pëshpërit si një varg :“Poetët nuk ikin, ata thjesht bëhen dritë…”
3.
Ikja e një poeti është një dhimbje e madhe për një komb. Ikja e një njeriu që ka punuar për letrat shqipe është humbje e madhe për kulturën dhe shpirtin tonë kombëtar. Ikja e çdo poeti është si në vargjet e Lasgushit të madh… “Fluturoi dhe shtergu i fundit madhështor, duke ikur që me natë…”
Në qytetin e Vlorës,dhe më tej në Zvërnec ku lindte era e detit dhe fryma e poezisë, njerëzit të flasin për poezin e tij.Për shumë gjërra ndoshta nuk e dinë, por poetin e njohin.Dhe 7 vite më pas heshtja është fjalimi më i thellë për poetin që foli gjithë jetën me varg.
Rrugët e fshatit buzë deti ku ai eci që në vogëli që dikur e dëgjonin duke recituar tashmë mbajnë një tjetër tingull atë të mungesës së tij.
4.
Fatos Arapi nuk ishte vetëm poet, ishte zëri që i dha detit fjalë, dashurisë kuptim, dhe njeriut dinjitet.
Në çdo varg të tij gjendet një copëz Shqipërie, një ndjenjë që s’shuhet, një frymë rebelimi që e bëri të veçantë.
Ai e deshi fjalën, por edhe heshtjen.Dhe e deshi jetën, por nuk iu tremb vdekjes, sepse poetët e vërtetë nuk vdesin ata thjesht kalojnë në një tjetër formë të qenies, në përjetësi.
Në çdo bibliotekë, në çdo libër me poezi që mban emrin e tij, ai do të vazhdojë të flasë.
Lexuesit e rinj do ta zbulojnë sërish, ashtu si deti që zbulohet çdo mëngjes nën dritën e re të diellit. Sepse poezia e tij është dritë e përhershme, e qetë, por e fuqishme.
Sot, teksa Zvërneci i tij mbulohet nga vala dhe mjegulla, Fatos Arapi udhëton për në përjetësi. Poeti iku 7 vite më parë, por fjala e tij mbetet. Dhe fjala e poetit është më e pavdekshme se koha.
5.
Në qytetin e Vlorës dhe më tej atje në Zvërnec , ku era e detit mbart ende tingujt e poezive të tij. Fatos Arapi solli në letërsi vlera të spikatura, duke e bërë poezinë shqipe më moderne, më të thellë e më njerëzore. Poezitë e tij patën jehonë në kohë, u bënë të dashura për lexuesin.
Ai arriti të ndërthurë dashurinë, atdheun dhe njeriun me një ndjeshmëri të rrallë poetike.
6.
F.Arapi ishte nga Zvërneci, ai vend i bekuar që shtrihet mes detit dhe shpirtit.Sipas një shkrimtari, familja e tij kishte administruar dikur manastirin deri në kohën kur u kyçën dyert e tij. Ndoshta aty, mes tingujve të kambanave dhe aromës së pishave, lindi edhe ndjenja e shenjtë e fjalës që e ndoqi gjithë jetën. Lidhja mes poetit dhe frymës hyjnore është e njohur. Ngase poezia është bijë e parë e bukurisë hyjnore.
7.
Në çdo varg të tij gjendet një copëz deti, një frymë lirie, një mall i pashuar për njeriun dhe për vendin.Në poezinë e tij kishte dritë dhe dhimbje, det dhe dashuri, revoltë dhe ëndërr. Ai e bëri vargun poetik të frymonte me ritmin e kohës, por pa humbur kurrë shpirtin e tokës nga ku vinte. Poezitë e tij patën jehonë që në ditët e para dhe vazhdojnë të prekin zemrat e lexuesve . Ishte një zë që nuk mund të ngatërrohej me asnjë tjetër . Një zë që vinte nga thellësia e shpirtit dhe që mbeti aty, ku fjalët bëhen ndjenjë.
Fatos Arapi lindi diku nga vitet ‘30 në Zvërnecin e tij, ai vend i mrekullueshëm ku toka takon detin dhe qielli përkulet mbi ujin.
Në atë vend të qetë e të shenjtë, nën hijen e pishave dhe pranë manastirit, poetit iu formua shpirti. Por ndoshta atë ditë, kur u mbyllën dyert prej guri të manastirit, u hap një tjetër derë ajo e shpirtit poetik të Fatos Arapit.
Në atë vend ku heshtja flet dhe era pëshpërit, ai mësoi se fjala mund të jetë e shenjtë.Dhe ashtu si një “prift i fjalës”, ai i fali jetës një besim të ri besimin tek dashuria, tek njeriu, tek drita që s’vdes kurrë.Fatos Arapi nuk ishte thjesht poet. Ai ishte një urë mes tokës dhe qiellit, mes detit dhe shpirtit, mes përkohshmërisë dhe përjetësisë.
Çdo varg i tij është një frymëmarrje që s’ka mbarim, një kujtim që nuk shuhet, një këngë që e këndon edhe heshtja.
8.
Nga thellësia hyjnore e shpirtit poetik, lindi një njeri i fjalës, i lindur buzë lagunës dhe detit, në brigjet ku fryn era e Mesdheut dhe ku çdo gur mban histori.
Ai erdhi në jetë aty ku përplasen valët e kaltërta, aty ku ndodhet Triporti i lashtë dhe manastiri i kahershëm. Ç’fatbardhësi për këtë tokë të bekuar, që solli në gjirin e saj një poet si Fatos Arapi!
Ai ishte biri i kësaj balte, i kësaj drite, i kësaj frymëmarrjeje që vjen nga deti e nga historia.
Në çdo varg të tij ndihet aroma e kripës, e barit të njomë dhe e diellit që perëndon mbi lagunë.
Fjalët e tij janë si dallgë që përplasen lehtë në kujtesën e njerëzve, duke i kujtuar se edhe nga vendet më të heshtura mund të lindin tinguj të përjetshëm.
Para pak kohësh, një grup miq të fjalës së bukur u mblodhën në Zvërnec. Poezitë e Fatos Arapit u kujtuan me dashuri, me mall .Ata vizituan edhe fshatin e tij të lindjes atë vend të qetë që frymon ende me kujtimin e poetit, sikur të donte të thoshte se poeti nuk ka ikur.
A nuk është vallë koha që bashkia e Vlorës të nderojë këtë figurë të madhe të letrave shqipe?
Në kodrën ku pritet të ndërtohet fusha sipas modelit të ri të “100 fshatrave”, do të duhej të ngrihej busti i poetit Fatos Arapi si një kujtesë për të gjithë brezat që fjala e bukur dhe shpirti krijues nuk vdesin kurrë. Një bust që të përshëndesë detin, ashtu siç poeti e përshëndeti gjithë jetën me vargjet e tij të pavdekshme.
9.
Nëse e keni dëgjuar Drashovicën për betejat e saj të famshme, dijeni se atë e bëri të pavdekshme jo vetëm historia, por edhe poezia e Fatos Arapit. Me vargjet e tij, ai i dha Drashovicës një jetë të dytë atë poetike, që s’fshihet dot nga kujtesa e brezave. Poezia “Drashovicë”, e botuar për herë të parë në vëllimin “Shtigje poetike” në vitin 1962, është një këngë që ngjall krenari, mall dhe respekt për luftëtarët e asaj toke.
Ata që s’e kanë parë kurrë Drashovicën, e kanë njohur përmes poezisë së F.Arapit. Ai arriti të bëjë që fjala të kthehet në peizazh, që vargu të marrë frymë si era mbi dallgë. Emri i Drashovicës ishte thjesht një vend në hartë, por një ndjenjë në zemrën e çdo shqiptari me atë poezi që krijoi poeti.
Në poezinë e tij, historia merr jetë, heronjtë ngrihen në dritë dhe toka bëhet një altar nderimi. Ashtu si në çdo krijim të tij, edhe këtu ndjehet dashuria e thellë për vendin, për njerëzit e tij, për sakrificën dhe për lirinë. Drashovica e Fatos Arapit nuk është vetëm një kujtim është një flamur që valëvitet në përjetësi.
10.
Sot, kur dielli perëndon mbi detin e Zvërenecit dhe era fryn lehtë mbi lagunë, duket sikur zëri i poetit vjen sërish me valët. Fjalët e tij enden në ajër si këngë që nuk shuhet.Dhe si kujtim që nuk mplaket. Në çdo stinë, në çdo ditë, në çdo zemër që kërkon bukurinë e fjalës, Fatos Arapi do të jetojë. Sepse poetët e vërtetë nuk vdesin ata vetëm ndryshojnë adresë.Nga toka kalojnë në qiell, por mbeten përjetësisht në shpirtin e njerëzve të tyre.
Fatos Arapi nuk është në mesin e të gjallëve, por emri i tij shkëlqen. Dhe sa herë që deti përplaset në breg, ai na kujton se fjala e poetit është e përjetshme si drita, si dashuria, si vetë jeta.
Poezi nga Fatos Arapi.
Atdheu
Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – dhe të mban ty – në shpirt.
Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.
Atdheu është buka e urritur,
të ikën nga duart e dot nuk e ngop
ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur
me sytë n’errësirë vetveten kërkon.
Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë
Në një pikë loti lirinë e lind.
Atdheu yt i vogli, i vogli,
Ai hyjnori i pavdekshmi – loti.
Çast Buzë Jonit
Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra
Nër degë të tyre figurat e gjelbra
Çelin – si gjethet nëpër portokalle.
Nën degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,
Si mbrëmjes Jonit fletësat e ullinjve.
E mbusha gojën me erëra të Jonit,
Ndjej nëpër dhëmbë kokrizat e jodit,
Shoh se si thyhen mirazhet mes valësh,
Se si thërmohen përflakjet mes gurësh…
Dhe jam i tëri
grimca dritaresh e ngjyrash.