Parashuta që alarmoi fshatin!Roshi Ajdini

Roshi Ajdini

Parashuta që alarmoi fshatin!

Ai ishte një fshat i thellë, i izoluar larg urbanizimit dhe jetës së zhurmshme të qendrave të banuara.

Aty jeta vijonte e qetë, me njerëz që rropateshin në kooperativë, kryesisht gratë, ndërsa burrat në pjesën më të madhe punonin në minierë, si e vetmja alternativë për mbijetesë.

Fshati ishte i ndarë me disa lagje, në lagjen ku ishte qendra e sektorit, ishte dhe shkolla 8 vjeçare e fshatit, si dhe zyrat e sektorit, magazina, mulliri i blojës, menca e sektorit, furra dhe dyqani i bukës, dyqani i artikujve të përzierë, vatra e kulturës, zyra e këshillit, zyra e centralit telefonik, zyra e organizatës bazë të partisë, dhoma e infermierisë së fshatit.

Jeta në këtë fshat, me përjashtime të vogla, pothuajse ishte monotone dhe e qetë.

Një ngjarje disi e çuditshme do të prishte qetësinë diku nga viti 1982, kur një mbrëmje marsi, çobani që kthehej nga ruajtja e qeve të kooperativës, rreth 500 m linear nga lagjia, qendër sektori, shikon një objekt misterioz, të cilin nuk po e kuptonte çfarë ishte.

I afrohet nga afër, e prek me dorë, objekti ishte disi i madh, i mbushur me ajër, me material tip mushamaje.

Rend me vrap dhe lajmëron, kryetarin e këshillit dhe sekretarin e partisë së fshatit, që në filan vend, është një objekt misterioz.

Sa hap e mbyll sytë u shkul e gjithë lagjia, duke e rrethuar objektin mysafir.

Gjithë dyshimet që lindën në moment, ishin se mos brenda objektit, ishte ndonjë diversant, ndaj burrat më të fuqishëm rrinin në gadishmëri, ku më afër rrinte personi që kishte dyfek.

Për fat të keq, ato ditë nga koha e keqe ishin prishur dhe telat e telefonisë dhe nuk mund të komunikohej me qendrën e kooperativës, por edhe më tej me organet e shtetit.

Hall i madh, se po të gabohej apo neglizhohej, pasojat do ishin të mëdha.

Dikush thoshte se mos është Xhemal Brahimi ( person i arratisur, eksponent i një kryengritjeje ) dhe është hedhur me këtë objekt, e dikush tjetër bënte hamendësime të tjera.

Dy nga djemtë më të shkathët, i nisën drejt qendrës së kooperativës, që të informonin për ngjarjen, ndërsa të tjerëve u ndanë detyrat për të vëzhguar dhe ruajtur objektin misterioz.

Për pjesën tjetër të burrave të fshatit, u ndanë detyra, që të bënin roje gjithë natën në objektet publike, pasi lindën dyshime, se mos nga objekti që kishin para syve, kishte desantuar dikush dhe mund të kryente vepra sabotazhi.

U çuan korrierë dhe në lagjet e tjera, dhe për pak kohë gjithë fshati ishte në gadishmëri për tu mbrojtur nga ndonjë e papritur.

Pa gjumë atë natë ngeli i madh e i vogël, deri pas mesnate, ku nga dega e punëve të brendshme mbërritën disa policë dhe një i sigurimit të shtetit, të cilët e morën me vete parashutën e hedhur nga kushedi se ku.

Pavarësisht se të dërguarit e shtetit e morën me vete objektin e çuditshëm, fshati nuk vuri gjumë në sy, për ditë të tëra, duke bërë shumë hamendësime, nga erdhi, kush ishte në të, përse erdhi, çfarë qëllimi ka pasur?!

Sigurisht që shteti nuk do e linte fshatin pa e informuar, duke përhapur fjalë, se me atë parashutë ishte hedhur një diversant, dhe se ai ishte kapur falë vigjilencës së strukturave shtetërore.

Ndoshta nuk ishte kjo, e vërteta e asaj ngjarjeje, por ai shtet i asaj kohe duhet ti vinte një emër, qoftë dhe si alibi që ti qetësonte banorët e atij fshati mbas asaj zallamahie të madhe që u bëri vaki.

Gjithësesi parashuta e rënë rastësisht, apo me qëllim në atë fshat e prishi për ca kohë qetësinë e atij fshati, që ishte mësuar ti kalonte ditët gati të njëllojta, në monotoninë e asaj kohe.