Për ta përshkuar këtë jetë-Andrew Fabrr-Përktheu: Ervina Toptani

Andrew Fabrr

Përktheu: Ervina Toptani

Për ta përshkuar këtë jetë,

duhet hir hyjnor i zbritur nga Qielli
Duhet forca e gjërave të brishta,
durimi i fijeve të barit
që askush nuk i duartroket,
e megjithatë vazhdojnë të rriten,
edhe pranë shinave të trenit.

 

Të jetosh,
ndonjëherë,
është lodhje rraskapitëse.

 

Ka mëngjese
kur për t’u ngritur nga shtrati
duket sikur po lëviz një mal
me duar.

 

Ka ditë
kur kraharori kthehet
në një dhomë të ftohtë.

 

Ditë kur dhimbja
ka tingullin e ngadaltë
të shiut që bie në oborret e spitaleve.

 

E megjithatë, shiko,
shiko si ngulmon drita të ndriçoje,
si kthehet gjithmonë,
edhe pas natës më të errët.

 

Si nuk dorëzohet deti,
Si qëndrojnë pemët në këmbë
pas stuhisë…

 

Ka diçka të mrekullueshme
në vetë faktin e thjeshtë
që ne jemi këtu.

 

Këtu,
me frikërat tona të vogla,
me duart e lodhura,
me sytë plot kujtime,
por ende të aftë
të prekim shpirtin e njëri tjetrit.

 

Kemi harruar
sa e shenjtë është jeta e zakonshme,
filxhani i ngrohtë ndër duar,
të qeshurat që vijnë nga kuzhina,
aroma e bukës kur sapo del nga furra…

 

Dikush që na pret.
Dikush që kthehet.
Dikush që të mendon…

 

O Zot,
sa hir hyjnor i padukshëm
fshihet në gjërat e thjeshta,
pse lumturia
nuk bën zhurmë,
shpesh vjen zbathur,
ulet pranë teje e merr frymë me ty.

 

Faleminderit jetë,
faleminderit trupave
që vazhdojnë të duan
edhe pasi janë plagosur.

 

Faleminderit atyre
që mbeten të mirë
në këtë kohë të trazuar,
kur bota mbi gjithçka i do të këqinj.

 

Faleminderit kujtdo që qëndron,
atij që shpirti i dridhet,
e megjithatë
vazhdon ta mbajë zemrën hapur.

 

Sepse të jetosh
mund të jetë e vështirë,
ndonjëherë, madje,
edhe e pamundur.

 

Por unë nuk njoh asgjë
më të shenjtë
se kjo përpjekja jonë e brishtë,
e mrekullueshme,
për të ekzistuar.
Mbylli sytë dhe merr frymë thellë,

Çfarë mrekullie është
të jesh këtu,
tani,
bashkë,
nën këtë qiell të pafund,
duke u përqafuar fort,
duke vazhduar ta thërrasim
njëri-tjetrin në emër.
 
Andrew Fabrr
Përktheu: Ervina Toptani