Poezi me idenë sublime të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës-Isak Ahmeti 

Poezi me idenë sublime të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës

Nga : Isak  A  H  M  E  T  I

           ——————————

I.Në vend të hyrjes

——————————

Që në fillim të këtij shkrimi le të theksojmë se  fjalimi  historik i Hydajet Hysenit në sheshin qëndror të Kryeqytetit të Kosovës në Prishtinë është njëra nga kryengjarjet e demostratave të mëdha jo vetëm të vitit 1981.Prandaj jo rastësisht Hydajet Hyseni është quajtur megafoni historik i popullit shqiptar(Khs.EPOKA E RE ,1 prill 2021)…

II.Paraverë në katër pamje

——————————————

Kështu titullohet libri me poezi i Hydajet Hysenit , që shqipton idenë sublime të Lirisë dhe Pavarësisë të Kosovës.

Librin në fjalë e ka botuar LSHK, Prishtinë,2006 ,fq.535.

Redaktor:Agim Vinca

Për botuesin

Adem Demaçi

Është ky një libër me vlera shumështresore dhe i veçantë edhe për faktin se i përket  Letërsisë  nga  burgu   që është   shumë e veçantë dhe kapitull me vete në letërsinë shqipe(Khs.Bajram.Kosumi :Letërsia nga burgu-kapitull më vete në letërsinë shqipe , Shkup, 2022) .

Për këtë libër ( të cilin autori ma ka dhuruar me dedikim të veçantë për çka e falenderoj publikisht nga zemra!),


pothuaj se menjëherë pas botimit dhe leximit , kam shkruar dhe botuar një shkrim kritik-vlerësues afirmativ(Zëri , 10 nëntor 2007, fq.39).

Sërish iu ktheva këtij libri edhe për faktin se, siç e kam thënë edhe te shkrimi im i parë për këtë libër, përmban në vete idenë sublime të Lirisë dhe Pavarësisë të Kosovës! 

Këtë poeti e ka shpreh më se miri te poezia emblematike me titull:

              RROFTË

              ————–

   KOSOVA -REPUBLIKË 

   ———————————-

U ngrit në këmbë biri i Kosovës ,

Mitralozit iu hodh në grykë 

  Ngriti zërin , i foli botës :

Rroftë Kosova – Republikë!

Hapi gjoksin para tankut,

Duke thirrur s’kemi frikë ,

Tundi grushtin aeroplanit  :

Rroftë Kosova -Republikë.

E burgosën , e torturuan,

E thanë:Kurrë s’ do të shohësh dritë;

     Ai thirri përsëri :

Rroftë Kosova-Republikë 

              …

Edhe trupin e dërmuar ,

Copa , copë t’ia bëjnë me thikë,

 Në zemër të tij do të gjejnë të shkruar:

Rroftë Kosova-Republikë !

                            (1981 )…

III.Pak biografi për autorin

——————————————

 Hydajet Hyseni-Kaloshi u lind me 10 mars 1954 , në Përlepnicë të Gjilanit.Ka studiuar Gazetari dhe Diplomaci në Universitetin e Prishtinës.Ka punuar gazetar i “Rilindjes ” dhe më vonë redaktor dhe kryeredaktor i gazetës”Bujku”.

Ka qenë pjesë e Levizjes së fshehtë çlirimtare të kohës dhe i shtypit ilegal.

Për shumë vite ka qenë i burgosur politik.Pas lirimit nga burgu nuk  e ka reshtur veprimtarinë politike në levizjen e fshehtë të LPK-së dhe njëkohësisht ka qenë i angazhuar në alternativën politike dhe në Këshillin për Mbrojtjen  e të Drejtave  dhe Lirive të.Njeriut.

Aktualisht është kryesues i Këshillit të Përgjithdhëm të LVV, drejtor në Shoqatën e ish të burgosurve politikë , është amëtar i këshillit global të Federatës për Paqe Universale .

Gjithashtu Hydajet Hyseni  është edhe autor dhe bashkautor i një sërë botimesh letrare e publicistike ,edhe i librit me poezi:

PARAVERË NË KATËR PAMJE ,

————————————————

 të cilin këtu po e marrim në rishqyrtim.

IV.Paraverë në katër pamje -libër i jetës …

————————————————————–

Libri të cilin po e marrim në rishqgyrtim është libër i jetës së poetit për të cilin , siç shkruan Agim Vinca , në cilësinë e redaktororit ,  është nga ai lloj librash që mund të quhen libra të jetës.Ç ‘është e vërteta ,autori ,në hartimin e tij ,ka punuar një jetë të tërë dhe në të ka futur mjeshtrisht e në mënyrë të përkrye poetike gjithë jetën e tij dhe të brezit të vet dhe pse jo edhe të popullit të cilit i takon(fq.531).Edhe fëmijërinë , edhe djalërinë , edhe inkuadrimin në levizjen ilegale , edhe burgun,  edhe gjykimin edhe lirimin nga burgu.Ëndrrat , dëshirat , idealet, sakrificat , njerëzit , rrethanat.Ashtu siç kanë qenë dhe ashtu siç i ka parë e përjetuar autori.Është ky një libër  ku ka dominuar ideja sublime e  Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës.

V.Struktura e librit

—————————–

Libri : Paraverë në katër pamje përbëhet nga katër pamje:

I.Pamja e parë 81 GRI,

II.Pamja e dytë 81 GRI,

III.Pamja e tretë 81GRI,

IV.Pamja  e katërt 81 GRI.

Ky libër ,ku janë përfshirë mbi 300 poezi , dhe 81 vizatime që i japin një sharm të veçantë librit në fjalë , ka një strukturë të saktë , të veçantë , interesante , origjinale.Rrallë ndonjë vepër e letërsisë së sotme shqipe ka strukturë aq të saktë sa Paravnerë në katër pamje e Hydajet Hysenit.Poezia e këtij libri që ngjan si një poemë e gjatë në vazhdime , mbështetet në vlerën  simbolike të numrave (vitit 81).

Librit në fjalë , në vend të parathënies  i prin poezia :TI MË ERDHE KËNGA IME ,

              ——————————————

që fillon me këto vargje  shumë domëthënëse dhe kuptimplote ,citojmë:

“Ti më erdhe papandehur ,

Kënga ime e pranguar ;

Njëzet vjet nuk jemi pjekur,

Njëzet shekuj të kam kërkuar.

Mezi të njoha kënga ime ,

Zhubrosur , zverdhur ,pak demode;

E hutuar kur m’i sheh thinjat

Dhe kollaren time të re”(fq.7).Është ky 

tekst letrar- poetik pashmangshmërisht me karakter eksplorues do thoshte Eko.

Kjo poezi , që ka një kuptim dhe domëthënie  të veçantë e me peshë, ka në  fund  edhe vizatimin :Refleks (1986)Nish .

Librin në fjalë autori e ka shoqëruar edhe me 81 vizatime(grafika) me të cilat vetëm sa e përplotëson dhe forcon idenë kryesore por edhe simbolikën e numrit 81.(Më gjërësisht për këtë libër shih:Isak Ahmeti,Poezi me idenë sublime …Zëri ,10 nëntor 2007 ,fq.39).Kjo sipas këndvështrimit tim është mbase si  refleks i largët i simbolikës së numrave që e hasim jo vetëm në Bibël por edhe te Komedia Hyjnore e Dantes.Por te libri i H.Hysenit struktura bazë është numri 81.Por edhe numri katër( katër pamje)  numër simbolik biblik , Katër Ungjij ,që flasin për Jezu Ktishtin , e këtu ,tek libri në shqyrtim , flasin për poetin , për shqiptarin me Ktyqin  e Golgotës për Lirinë.e Kosovës.Ndërsa numri 81 këtu  shpreh simbolikën filozofike , politike e kombëtare të Pranverës 1981.Ndërsa fjala PARAVERË , si sinonim i pranverës , këtu shndërrohet  në metaforë  të përkryer poetike për të shënuar pranverën e vitit 1981.

VI.Në përmbyllje

—————————

Krejt në fund të këtij shkrimi le të ritheksojmë edhe njëherë se poeti dhe veprimtari i dëvotshëm i çështjes kombëtare , bashkë me poetët  e brezit të tij siç janë:Bajram Kosumi , Merxhan Abdyli etj.kanë krijuar një letërsi  me vlerë që, sipas poetit dhe studiuesit , Bajram Kosumi , është vlerësuar si kapitull më vete në letërsinë shqiptare( Krhs.Bajram Kosumi,vep.e cit.).