Poezi për fshatin tim-Veron Hoxhaj

Poezi për fshatin tim

Loti më pikon mbi penë,
Zemra më qan dhe më djeg,
Shpirti më është bërë pulëbardhë,
Më përshkon male, fusha dhe det.

Vetë ulet atje te lëndina,
Ku rrinin këmbëkryq të parët tanë,
Disa me çibukun e ndezur,
Dhe disa me kutinë e duhanit në anë.

Janë akoma shenjat e gjurmëve,
Si dhe vatra e zjarrit shekullor,
Por nuk janë më ata njerëz,
Me shpirtin e tyre si borë.

Mungojnë dhe mbushem me të qarë,
Nikoqiret e tepsisë së lakrorit,
Dhe fjala e ëmbël e tyre,
Dhe të bukurat si lulet e prillit.

Nuk ka më asnjë prag,
Dhe asnjë zë fëmije,
Por vetëm rrënoja dhe ferra,
Në fshatin tim të vendlindjes.