Profesor. Dr. Fatos Olldashi – misioni i bardhë i jetës-Nga Agim Lika

Rrugëtimi i një lideri nga dhimbja te shpresa

Nga Agim Lika

Fillimet e një rruge të vështirë

Jeta e çdo njeriu që lë gjurmë ka një pikënisje të heshtur, një fillim që shpesh nuk duket i jashtëzakonshëm, por që me kalimin e viteve merr vlerën e një historie frymëzuese. Kështu nisi edhe rrugëtimi i prof. dr. Fatos Olldashit, një rrugëtim i ndërtuar jo mbi privilegje, por mbi punë, këmbëngulje, vullnet dhe sakrifica.

I lindur më 9 Mars 1969 dhe me origjinë nga Pogradeci, ai mbart në karakterin e tij urtësinë e njeriut të mençur dhe disiplinën e profesionistit të vërtetë. Në Tiranë, ku jeton dhe punon prej shumë vitesh, është kthyer në një figurë të njohur dhe të respektuar.

Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, në vitin 1987, fitoi të drejtën për të studiuar në Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e përfundoi në vitin 1992, me rezultate të larta në degën e mjekësisë së përgjithshme. Më pas vijoi specializimin në Neurokirurgji, duke nisur kështu një karrierë që do ta vendoste ndër emrat më të spikatur të kësaj fushe në Shqipëri.

Autoritet i ndërtuar mbi sakrificën dhe humanizmin.

Në jetë ka njerëz që bëhen pjesë e kujtesës sonë të përditshme jo sepse kërkojnë famën, por, sepse gjenden pranë njerëzve në çastet më të vështira. Ka njerëz që nuk flasin shumë për veten, por për të cilët flasin me mirënjohje qindra pacientë, kolegë, bashkëpunëtorë dhe studentë. Ka njerëz që titullin më të madh nuk e marrin nga një diplomë e varur në mur, por nga respekti dhe vlerësimi i njerëzve.

Në qytetin e Tiranës, mes ritmit të vrullshëm të jetës moderne dhe sfidave të përditshme të sistemit shëndetësor, prej më shumë se tri dekadash ecën me qetësi, urtësi dhe dinjitet një njeri që ka zgjedhur të flasë përmes punës. Një njeri që nuk e ka kërkuar madhështinë në fjalë, por e ka ndërtuar atë me përkushtim. Një figurë që identifikohet natyrshëm me profesionalizmin, organizimin model dhe humanizmin në shërbimin shëndetësor.

Ky është prof. dr. Fatos Olldashi, shef i shërbimit të Neurokirurgjisë në Spitalin Universitar të Traumës, lektor i neurokirurgjisë në Universitetin Mjekësor të Tiranës, neurokirurg konsulent në “Spitalin Amerikan” të Tiranës.

Ai është diplomuar në vitin 1992 nga Fakulteti i Mjekësisë i Tiranës. Specializimin e ka kryer përgjatë periudhës 1994-2000 pranë departamentit të Neurokirurgjisë në QSUT “Nënë Tereza”. Përpos kësaj, ai ka kryer edhe specializime jasht shtetit, si në Universitetin Maastricht, Holandë, në Spitalin Universitar Aarhus, Danimarkë, pastaj në Spitalin Universitar Rotterdam në Groningen, Holandë, në Spitalin Universitar “Ioëa”, SHBA, dhe që të gjitha për neurokirurgji. Në vitin 2002 përfundoi masterin në neurokirurgji dhe në vitin 2010 doktoraturën po ashtu në neurokirurgji.

Ai është sekretar i “Shoqatës Shqiptare të Neurokirurgjisë”, anëtar i akademise boterore te neurokirurgjise, anëtar i “Shoqatës Botërore të Neurokirurgjisë”, anëtar i komitetit ekzekutiv të ” Shoqatës Europiane të Neurokirurgjisë”dhe i Shoqatës së Europës Juglindore të Neurokirurgjisë” dhe anëtar i “Shoqatës amerikane të Neurokirurgjisë

Në një kohë kur shoqëria ka nevojë për modele të besueshme, jeta dhe veprimtaria e prof. dr. Fatos Olldashit mbeten dëshmi se njeriu mund të arrijë lart, pa humbur thjeshtësinë, mund të fitojë respekt pa e kërkuar atë dhe mund të bëhet i pazëvendësueshëm duke shërbyer me ndershmëri.

Profesor dr. Fatosi është padyshim krenaria e Shkollës së mesme Ushtarake “Skënderbej”, e brezit tonë 1983 -1987 dhe jo vetëm.

Tiranë: 29 maj 2026