Reforma territoriale dh çfarë na serviret në pjatën e secilit-Androkli Nika

Androkli Nika



Titullin e këtij shkrimi e huazova nga një koment i mikut tim B. Çobani, mbrojtës i flaktë i Libohovës si bashki më vete. Është një shprehje që më tërhoqi vëmendjen, jo vetëm për traditën që përcjell, por edhe sepse, në një farë mënyre, përmbledh thelbin e debatit që po zhvillohet.
Miku im e mbron me pasion Libohovën si bashki, por në këtë mbrojtje më duket se periferia shpesh mbetet jashtë vëmendjes. Pikërisht këtu ndahet këndvështrimi im nga i tij.
Nuk kisha ndërmend të merresha me këtë temë. Së pari, sepse kjo çështje duket se është parapërcaktuar dhe, së dyti, sepse zhurma që po bëhet lidhet kryesisht me Bashkinë Libohovë.
Por mënyra se si po shtrohet problemi më shtyu të them disa fjalë.
E respektoj të drejtën e mikut tim dhe të kujtdo tjetër për ta mbrojtur Libohovën. Është krejt e natyrshme që njeriu të dojë vendin e vet dhe të dëshirojë që ai të ketë një rol sa më të rëndësishëm. Por një reformë territoriale nuk⁷ mund të shihet vetëm nga dritarja e një qyteti.
Duhet parë nga i gjithë territori.
Në këtë debat duket sikur jemi kthyer te pyetja e vjetër: kush ishte e para, pula apo veza?
Të gjithë duan bashki.
Dhe, për ta argumentuar këtë, fillojnë numërimin: ne kemi histori, ne kemi pasur agallarë e parësinë, ne jemi më të vjetër se ju…
Por kujt i drejtohen këto argumente?
Historia është e rëndësishme dhe duhet respektuar. Por ajo nuk mund të jetë e vetmja masë me të cilën përcaktohet e ardhmja administrative.
Nëse do të përdornim vetëm moshën dhe historinë si kriter, atëherë do të duhej të hapnim arkivat për të gjetur se kush është më i vjetër, kush ka pasur më shumë agallarë, kush ka pasur më shumë parësinë dhe kush ka kalanë më të hershme.
Sot Libohova është qendra më e vogël e qarkut. Ky është një fakt dhe nuk ndryshon duke përsëritur historinë e saj të lavdishme.
Çfarë ka pasur dhe çfarë do të ketë në të ardhmen janë dy çështje të ndryshme.
Historia nuk humbet nëse ndryshon kufiri i një bashkie.
As kalaja nuk zhvendoset.
As historia nuk fshihet.
Ajo që duhet të ndryshojë është mënyra se si mendojmë për të ardhmen.
Kur dëgjoj disa nga argumentet në mbrojtje të bashkisë, më duket sikur vëmendja përqendrohet shumë te qyteti dhe shumë më pak te rrethinat.
Përmendet historia, përmendet Kalaja e Shanishasë, sikur aty të jetë zanafilla e gjithçkaje.
Po për Kalanë e Argjirosë çfarë do të thoshte Gjirokastra?
Do t’i duhej t’i përkulej me veneracion historisë së saj. Por historia nuk mund të jetë kriteri i vetëm për të përcaktuar se si duhet të organizohet e ardhmja.
Sepse kalatë janë për historinë, ndërsa bashkitë janë për njerëzit.
Dhe pikërisht këtu është dallimi im.
Unë nuk jam kundër asaj që po kërkoni. Jam kundër mënyrës se si po e kërkoni.
Pse nuk e shtrojmë problemin me këmbë në tokë?
Nëse Libohova mbetet bashki më vete, çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim?
Nëse bëhemi pjesë e një bashkie më të madhe, çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim?
Cili model sjell më shumë zhvillim?
Cili sjell më shumë investime?
Cili krijon shërbime më të mira?
Cili kujdeset më shumë për fshatrat dhe periferinë?
Këto janë pyetjet që duhet të bëjmë.
Jo kush është më i vjetër.
Jo kush ka pasur agallarë.
Jo kush ka pasur parësinë.
Po kalanë më të madhe kushe ka.
Sepse qytetari nuk jeton me histori. Ai ka nevojë për rrugë, ujë, shërbime, punësim, investime dhe një administratë që funksionon.
Unë mendoj se me një rindarje të arsyeshme territoriale askush nuk humbet. Përkundrazi, mund të fitojnë të gjithë, nëse krijohet një njësi më e madhe, më e aftë ekonomikisht dhe administrativisht.
Një bashki me qendër Gjirokastrën mund të krijojë një territor më të integruar, ku zhvillimi të mos përqendrohet vetëm në qendër, por të shpërndahet në mënyrë më harmonike në të gjithë territorin.
Dhe këtu hyn një faktor që shpesh harrohet: komunitetet.
Sot në Gjirokastër jetojnë njerëz nga të gjitha krahinat përreth. Ata janë një lidhje e gjallë me vendet nga kanë ardhur. Kanë familje, miqësi, interesa ekonomike dhe lidhje shoqërore me zonat përreth.
Ky faktor mund të kthehet në një forcë për zhvillimin e barabartë të të gjithë rajonit.
Prandaj debati nuk duhet të jetë thjesht:
Libohovë apo Gjirokastër?
Debati duhet të jetë:
Si do të zhvillohet Libohova, Gjirokastra dhe gjithë periferia?
Sepse një reformë që forcon vetëm qendrën dhe harron periferinë nuk është zhvillim i barabartë.
Në fund të fundit, qytetari nuk pyet se ku ndodhet zyra e bashkisë. Pyet se çfarë merr prej saj.
Dhe këtu vijmë te çna serviret në pjatë.
Titulli i mikut tim, të cilin unë e huazova, ndoshta pa dashje e ka gjetur edhe pyetjen më të thjeshtë të gjithë këtij debati:
Çfarë do të ketë në pjatën e secilit?
Nëse kemi më shumë qendra të vogla, por më pak mundësi zhvillimi, mund të kemi shumë tabela “Bashki” dhe pak qifqi në pjata.
Nëse kemi një organizim më të madh, më të qëndrueshëm dhe më të aftë për të zhvilluar të gjithë territorin, atëherë synimi duhet të jetë që zhvillimi të mos jenë vetëm në pjatën e qendrës, por në pjatën e secilit.
Sepse në fund të fundit, nuk është e rëndësishme vetëm kush e mban çelësin e bashkisë.
E rëndësishme është kush hap derën e zhvillimit për të gjithë.
Dhe tani, një pyetje të fundit për mikun tim B. Çobani, pa pretenduar aspak se e di përgjigjen:
A ke qenë ndonjëherë në Zagori, përveç Çajupit?
Nuk e di nëse ke qenë apo jo. Prandaj nuk po jap përgjigje në vendin tënd.
Por, nëse flasim për një territor, për periferinë dhe për të ardhmen e saj, duhet ta njohim atë në të gjithë shtrirjen e vet. Zagoria nuk është vetëm Çajupi. Ka fshatra, njerëz, histori, probleme dhe mundësi që nuk duken nga një zyrë dhe as nga një hartë.
Dhe për një gjë tjetër kam një dyshim që do të doja ta verifikonte vetë miku im: a kanë qenë ndonjëherë drejtuesit aktualë të bashkisë në Vithuq?
Nuk kam informacion për këtë dhe nuk dua ta paraqes si fakt atë që nuk e di. Por pyetja është e vlefshme pikërisht për arsyen se po flasim për të gjithë territorin.
Sepse territori nuk njihet vetëm nga qendra.
Nuk njihet vetëm nga historia e shkruar.
Nuk njihet vetëm nga dokumentet e bashkisë.
Territori njihet duke shkuar tek njerëzit që jetojnë në të.
Prandaj, para se të vendosim se cila qendër duhet të ketë bashkinë, ndoshta duhet të pyesim veten nëse e njohim vërtet territorin që duam të administrojmë.
Në fund të fundit, reforma territoriale nuk duhet të jetë një garë se kush do ta mbajë tabelën “Bashki” mbi derë.
Duhet të jetë një përpjekje për të ndërtuar një hapësirë ku qendra dhe periferia të mos shihen si kundërshtare, por si pjesë të së njëjtës hapësirë zhvillimi.
Dhe në fund, pyetja mbetet ajo që na solli te ky debat:
A do të kemi më shumë bashki në hartë, apo më shumë zhvillim në pjatën e secilit?