Regëtima të padukshme kohe-Fejzë Demiri

Nga libri i autorit Fejzë DEMIRI -REGËTIMA TË PADUKSHME KOHE

Redaktimi-Prend BUZHALA

Për shpirtin tim asgjë tamam

 

 

Pi ujë të ndotur

Oksid karboni thith

Rropos murin e themeltë

 

Për shpirtin tim

asgjë tamam

E kaloj kohën marramenthi

Buzë xingonës

 

Në zemër mbaj një gur

Një thes me gur mbaj mbi shpinë

Përplasem lumenjve, deteve  pyllit

Murmurimë e nëndheshme.

 

 

Kohë

 

 

Edhe kur nga mjerimi do të na pllakos dhimbja

Ne do të sfilitemi, në terratisje qielli

Do ta lëvizim gurin qindravjeçar

Përreth teje kohë nuk do të lëmë të mbin bar,

drizë, murishtë

Në drurin e murriztë do t’i gjakosim duart,

Vetëm ti të hapërosh tutje

Të mos jetosh me gjysmëfrymë

 

Në terr të natës do të zgjohemi

Të mos lëmë as vrimë urithi të na gërmon dheun

Me bollëk do të kemi

Bahçja edhe në dimër do lulojë

 

Dielli dritëdhënës do na zhdukë

Njëherë e përgjithmonë mugëtirën, mjegullnajën

Qielli nuk do të jetë më i errët dhe i mbuluar me re

Do të kemi dritë, dritësim e dritëjetë.

 

Më merr malli

 

 

Më merr malli për blirin erëkëndshëm

rreth shtëpisë

Qetas sodis bukuri, mallëngjim e kërshëri vendlindjeje

Nemitem kur shoh zogjtë krahmprehtë

që fluturojnë me aq zhdërvjelltësi

 

Mahnitem nga kënga e tyre, nga zëri i hollë

Cicërimat e tyre sjellin gjallim, bleron livadhi

Aguliçet do na sjellin pranverën

 

Më merr malli për bukën e pjekur me miell drithi

Për mikpritjen shqiptare me bukë, kripë e zemër

Sa shumë e dua gjuhën e gjakut tim

Trimërinë, fisnikërinë e bujarinë shqiptare

Në gur mulliri e ruajtën fjalëshqipen, bujarinë, besnikërinë e traditën.

 

Qirinj për dritë

 

 

Sa qirinj janë ndezur

Për të larguar këtë terr

Ama nuk e kam ditur

që terri shuaka të gjithë qirinjtë