Si e dua Shqipërinë-Sejfulla Maleshova ( Lame Kodra)

Si e dua Shqipërinë
Sejfulla Maleshova
( Lame Kodra)
S’kam çiflik e s’kam pallate,
S’kam dyqan me katër kate,
Po e dua Shqipërinë
Për një stan në Trebeshinë
 
Për një shkarp e për një gur,
Për një gardh e për një mur,

 

Për kasollen mbi Selishte,
Për dy ara në Zallishte,

 

Për një lopë e për një gomar,
Për një Balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë
Si bari dhe si fshatar.

 

Unë e dua Shqipërinë,
Për tërfilin mbi lëndinë,
Për një vashë gjeraqinë,

 

Dhe për ujin që buron
Nga një shkëmb e gurgullon
Nëpër lisa gjethëshumë,
Edhe zbret përposh në lumë.

 

Unë e dua Shqipërinë
Për një lule trëndelinë,
Për një zog që fluturon,
Për bilbilin që këndon

 

Në ato ferra, në ato hije
Këngë malli e dashurie,
Këngë shpirti të helmuarë.
Unë e dua Shqipërinë
Si poet i dhembshuruarë.

 

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Korça e Vraninë,

 

Ku del bujku që me natë
Me parmendë dhe me shatë,
Mbjell e korr me diell, me hënë
Dhe s’ka bukë për të ngrënë,

 

Ku nallbani dhe samarxhiu
Mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
Krrusen ditë e krrusen natë,
që të hanë bukë thatë,

 

Ku hamalli nëpër skela
Ngarkon hekur dhe varela,
Këmbë zbathur, këmbë …çjerrë
Punon vetëm për të tjerë.

 

Unë e dua Shqipërinë
Që nga Shkupi e Janinë,
Ku një popull derëzi

Heq e vuan robëri
Po ka shpirtin luftëtar.
Unë e dua Shqipërinë
Si shqiptar e bir shqiptar.