Edlira Llukacaj


T'pata kujtu shpinë teme
Atë shpinë e dritshme që me vedi kam mbajtë
Gjithkah kam shku,
E do drita t'vockla shendoshin dhjetorin
Në bredhin e njomë qe baba m'kishte prù...
Folenë teme t'pata kujtu!
Si dallndyshet,
Që me kafshatën e vet e ngrejn pa pritù,
E uji i jetës rrjedh mureve t'njoma
Baltën e fjalën tuj e gjallnù...
Strehën teme t'pata mendu!
At'strehë t'andrrueme t'nji vocrrakeje t'vetmueme,
Që shiu i huej e kish ba qull,
E ku n'oxhak dashnija e bekueme
Ju bante strehë gjithkuj...
Konakun tem të pata caktu!
Të shenjtë e të bekuem,
Si veç nji herë në jetë mundet me u ndërtu
E brezave don me ja lânë amanet,
T'papërlyem kërkund...
As shpi,
As fole sot!
Shpirti jem fillikat
Kafshon vedin mbi gërmadhat që ke lanë
Pa mujt me ju ba kërkujt shok
Pa mujtë fjalë të reja me thanë...