Tre shenjat e humbura të Motit të Madh-Gezim Llojdia

Tre shenjat e humbura të Motit të Madh

Gezim Llojdia

Pjesa e l

Nga koha e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, mungojnë tre dëshmi të rëndësishme historike:

Flamuri origjinal,

Akti i Shpalljes së Pavarësisë,

Banesa ku u krye akti historik.

1.

Humbja e dëshmive historike.Shumë studiues mendojnë se zhdukja e këtyre shenjave nuk ka qenë rastësi. Fuqitë e Mëdha dhe armiqtë e kombit tonë, në periudha të ndryshme, kanë ndërhyrë për t’i zbehur gjurmët e shtetit shqiptar. Është thënë shpesh se fati i shqiptarëve ka qenë një “lëmsh i ngatërruar”: një popull i vogël, i rrethuar nga interesa të mëdha.

Megjithatë, historia jonë njeh edhe një epokë kur shqiptarët ishin në qendër të zhvillimeve. Gjatë shekullit XV, në kohën e Skënderbeut, “sizmografi” i Ballkanit ndodhej në duart e shqiptarëve çdo lëvizje e tyre ndikonte te të tjerët. Por koha skënderbejane mori fund me rënien e Shqipërisë nën Perandorinë Osmane dhe fatet e vendit ndryshuan.

Në kohën e Motit të Madh, në vjeshtën e vitit 1912, Shqipëria u ngrit sërish siç shkruante Naimi: “U ngrit fati i Shqipërisë…”. Por ngritja ndodhi mbi një histori të rrëzuar, ku shumë dëshmi të identitetit kombëtar u zhdukën. Mendohet se flamuri origjinal u shkrumbëzua pas Luftës së Parë Botërore.

2.

Lef Nosi, një koleksionist i rrallë dhe njeri me pasion të jashtëzakonshëm për dokumentet e kombit, mori një kopje të fotografuar të aktit të Pavarësisë. Por origjinali nuk është gjetur kurrë. Nosi vetë deklaroi se nuk e kishte dorëzuar në bankë, nuk i ishte sekuestruar dhe as nuk u mor nga jugosllavët. Kishte madje zëra se ia kishte dhënë Margaret Hasluck, por as kjo nuk është provuar.

Edhe kërkimet e mëvonshme rreth banesës dhe materialeve të Noseve nuk sollën rezultate çka tregon një tjetër humbje të dhimbshme të historisë kombëtare.

3.

Flamuri është simboli më i diskutuar. Më 17 janar 1937, Kristo Floqi i shkroi gazetës Drita, për të sqaruar polemikat që kishin lindur rreth tij. Kol Rodha pretendonte se flamuri i pavarësisë ishte ai i ardhur nga Amerika, dhuratë e shoqërisë “Besa-Besën”. Por Floqi e përgënjeshtron këtë:

Sipas Floqit:

Flamuri i ngritur në Vlorë ishte një copë e thjeshtë e kuqe, jo mëndafsh dhe jo me xhufka ari.

Shqiponja dykrenore u damkos mbi të me një stampë të përgatitur nga Dom Mark Vasa, prift dhe patriot nga Shkodra.

Copën e kuqe e solli me rrezik personal Marigo Pozio nga Korfuzit.

Flamuri u përgatit në shtëpinë e Marigosë.

U ngrit në ballkonin e shtëpisë së Xhemil Bej Vlorës nga vetë Ismail Qemali.

Flamuri që erdhi nga Amerika, sipas Floqit, ndodhej në shtëpinë e Marigosë, i papërdorur, dhe më vonë iu dorëzua Llambi Bimbilit.

Floqi përdori dëshmi të rëndësishme:

-Seid Qemali, Qazim Kokoshi, Hamza Isai, Ymer Radhima, Faik Kreshpani, Ibrahim Shyti që panë përgatitjen e flamurit.

-Bijtë e Ismail Qemalit, Ethem dhe Qazim Qemali.

-Letra dhe dokumente të Thanas Floqit e bashkëkohësve të tij.

Floqi ruante madje vetë damkën me të cilën u shtyp shqiponja e flamurit.

Prandaj, sipas tij, flamuri origjinal i pavarësisë ishte ai i punuar nga Marigo Pozio në Vlorë, i thjeshtë dhe i sinqertë jo versioni ceremonial i shoqërisë “Besa-Besën”.

Marigo Pozio zë një vend të veçantë në historinë tonë. Ajo jo vetëm që punoi flamurin e Pavarësisë, por qepi 60 flamuj të tjerë brenda pak ditësh, për institucionet dhe zyrat e shtetit të ri shqiptar. Kontributi i saj e vendos në qendër të simbolikës kombëtare.

4.

Ndërtesa e karantinës, e njohur sot si Muzeu Kombëtar i Selisë së Qeverisë së Vlorës, ishte dikur një strehë karantine dhe një karakoll dy-katësh, një godinë stoike e ndërtuar në Skelë të Vlorës. Profili i saj nga deti sfidonte erërat, koha e thinte vite, por ndërtesa vetë nuk thinjej. Fillimisht e ngritur për karantinë njerëzore, në buzë të skelës për të mbyllur njerëzit e varfër që vinin nga deti, ajo në vitin e Pavarësisë u kthye në seli të Qeverisë së Vlorës.

Qeveria lëvizte herë në konakët e Xhemil Beut, herë tek ndërtesa e Sharrajve një godinë e madhe trekatëshe.

Tek telegrafi ishte Lef Nosi.

Ndërsa ministri i Arsimit, burrë i ditur e energjik me mustaqe, Luigj Gurakuqi, kalonte çdo ditë përmes nxënësve të shkollës Nr. 1 të Vlorës.

Më 1939, kur fashistët hynë në skelë, thuhet se godinën e qëlluan me top, duke e shkrumbëzuar plotësisht, siç bën çdo pushtues që synon të fshijë kujtesën historike dhe të zhdukë gjurmët e identitetit kombëtar.

Kështu u dëmtuan edhe përpjekjet e Shoqërisë Kulturore-Sportive “Ismail Qemali”, e cila me nismën e Ali Asllanit dhe atdhetarëve të tjerë kërkonte ngritjen e një muzeu arkeologjik pranë portit të Vlorës, pikërisht në ndërtesën ku kishte vepruar Qeveria e Ismail Qemalit në vitin 1912.

Megjithatë, edhe vetë shqiptarët kishin shkatërruar më herët një dëshmi tjetër të pavarësisë.

ShtëpiA ku u ngrit flamuri, e cila u prish rreth vitit 1925 dhe u kthye në lulishte.

Banesat e familjes Vlora, të quajtura atëherë saraje, përbëheshin nga dy godina të mëdha. Godina ku u ngrit flamuri quhej Selamllëku, ashtu siç dëshmon Eqerem Bej Vlora. Një fotografi e vjetër dhe një skicë e ruajtur deri sot tregojnë një ndërtesë të madhe, me tre kate të dukshme (nga katër, siç thotë Vlora). Ajo u rrafshua rreth vitit 1925.

Selamllëku pozicionohej në vendin ku sot qëndron Monumenti i Flamurit, i inauguruar në vitin 1972, një vepër 17 metra e lartë prej bronzi, pranë Lulishtes së Flamurit ku ndodhet edhe varri i Ismail Qemalit, si dhe skulptura “Flamurtari” e Odise Paskalit.

Sipas Eqerem Vlorës, sarajet gjendeshin në hyrjen juglindore të qytetit, në kryqëzimin e rrugëve që nisnin nga Rruga e Skelës dhe të çonin drejt qendrës, brenda një parku prej 40 mijë metrash katrorë, të rrethuar me mure tetë metra të lartë dhe me dy porta.

Selamllëku kishte tre kate, shumë dhoma, korridore dhe ambiente të tjera. Dritaret e katit të parë, të vogla e me hark, duken rreth gjashtë në fotografi, ndonëse kanë qenë më tepër.

Në katin e dytë dallohen rreth shtatë dritare, të çrregullta në formë, mes të cilave bie në sy dritarja-derë më e madhe, nga ku u ngrit flamuri hyrja kryesore e sarajeve, me shkallët që zbresin drejt tokës. Në katin e tretë shfaqen dritare drejtkëndëshe pa hark. Mendohet se shtiza e flamurit e vendosur sot përkon me dritaren e katit të dytë të Selamllëkut ku u ngrit flamuri më 28 nëntor 1912.

F. Paskali, e bija e skulptorit Odise Paskalit, shkruan se shtiza ku ngrihet flamuri kombëtar çdo 28 nëntor në Vlorë është krijuar nga babai i saj në vitin 1932, ashtu si edhe memoriali i varrit të Ismail Qemalit me figurën e “Flamurtarit”.

Që të dyja u inauguruan më 28 nëntor 1932.

Edhe Eqerem Vlora, në dëshminë e tij, pohon: “U mblodhëm të gjithë në selamllëk…”, duke treguar qartë se aty ishte zhvilluar ceremonia.

Më 1962, ndërtesa e Selisë së Qeverisë së Vlorës u shpall Muze Kombëtar i Pavarësisë.

Fillimisht i varur nga Bashkia e Vlorës, muzeu mori statusin e plotë “Muze Kombëtar” më 2006, falë ndërhyrjes së Ministrisë së Kulturës.

5.

Tre shenjat e humbura të Pavarësisë flamuri, akti dhe banesa nuk janë thjesht objekte. Ato janë pjesë të kujtesës sonë kombëtare. Humbja e tyre pasqyron një histori të trazuar, me ndërhyrje të huaja, luftëra dhe mungesë kujdesi institucional.

Megjithatë, kujtimet, dokumentet dytësore dhe dëshmitë e figurave si Lef Nosi, Kristo Floqi, dhe Marigo Pozio mbeten sot shtylla të forta për të rindërtuar të vërtetën e Motit të Madh.

-vijon