Eli Kanina



Kush tha se vjeshta po jep shpirt?
Përmes gjetheve të zverdhura
Si fëmijë të ligur, anemikë
Kush tha se është si njerkë cinike e pacipë
Kur pemët i zhvesh e zogjtë i nis larg?
E trishtë nuk është vjeshta
Si lëneshë fatpadalë nuk qan
Ndonëse e ujshme deri në tejskaj
Prej lotësh nuk mbush e zbraz gjinjtë e saj…
Vjeshta është lehonë që pikon jetë
Me nurin e frutave të saj stolisur
Shihjani sytë prej rrushi plot lëng
Ndjejani aromën prej molle, i dehu vjershëtarët
Që u ngutën ta zbehin të artën e saj
Por vjeshta nuk është vetëm gjethe …
Mukozat e saj në kokrrat e shegës
Zilepsin si vajza në fillimpjekje
Të shkon lëng nëpër gojë tek i sheh
Misrat e pjekur, arrat, nespullat, ftonjtë
Ngjyra dhe lëng, aromë dhe shije
Ç’lehonë e shëndetshme vjeshta
Çfarë begatie!
Është kaq ndjellëse, sa dimri në prag
S’do shkojë dot shumë larg
Do tundohet, do vijë, do japë e do marrë
Derisa një prehër me lule e sythe
Ta bëjë prapë me barrë…
Sërish tunduese vjeshta stërpik
Ashtu si nga dushi del një grua
Sërish mollë e rrush, dardhë e shegë gjithandej
Sërish erëftua …
ELIVERTA
Kjo poezi e përfshirë në vëllimin tim poetik të tretë botuar në 2016, vazhdon të mbetet e sukseshme dhe frymëzuese edhe sot, për metaforën vjeshta-grua, edhe për ato pseudokrijuese, që nuk munden as të krijojnë vetë metafora dhe as nuk turpërohen nga kopjimi apo përvetësimi … keqard