Vjosa më thërret me emrin tim!Melisa Baboci

Kur linda, më thanë se Vjosa kaloi pranë dritares,
si një grua e bukur që vjen të shohë foshnjën në djep,
më la në ballë një pikë ujë të kaltër
dhe iku mes maleve pa thënë asnjë fjalë.
Që atëherë e kërkoj.

E kërkoj në zërin e erës mbi Nemërçkë,
në gurët e Përmetit që nxeh dielli i korrikut,
në trëndafilat që çelin si plagë të bukura,
në mbrëmjet kur qyteti mbështet kokën mbi lumë.

Përmeti nuk është qytet.
Është një violinë e vjetër
që luan vetëm për ata që dinë të mallëngjehen.

Dhe Vjosa nuk është lumë.
Është një vajzë flokëgjatë,
që zbret zbathur nga malet,
me një tufë resh mbi supe
dhe me yje të vegjël të mbërthyer në gërsheta.

Kur u largova për herë të parë,
ajo më ndoqi deri te kthesa e fundit.

Nuk foli.
Vetëm rridhte.
Dhe unë e kuptova se disa dashuri
nuk të mbajnë me duar,
por me rrënjë.

Tani sa herë malli më zë për fyti,
mbyll sytë dhe kthehem atje:
Një qytet i bardhë mes maleve,
një lumë i egër që s’pranon pranga,
dhe një fëmijë që rri në breg
duke menduar se Vjosa është grua
dhe se një ditë do ta marrë për nuse.

Por vitet kalojnë…
Dhe kuptoj se nuk ishte ajo që priste mua.
Isha unë që gjithë jetën
kam pritur të më thërrasë sërish me emrin tim.