Në vijën e brishtë të rërës-Nga Timo Mërkuri

Nga Timo Mërkuri

Poezia “Një liqen dhe një fushë” e Natasha Lako është nga ato krijime poetike që nuk tregojnë një histori në kuptimin e zakonshëm të rrëfimit, por krijojnë një gjendje të thellë  përjetimi. Lexuesi hyn në atë si në një peizazh të heshtur, ku natyra duket sikur merr frymë me ritmin e shpirtit njerëzor. Liqeni dhe fusha nuk janë vetëm hapësira të natyrës; ato qëndrojnë përballë si dy qenie që kanë jetuar shumë, që kanë parë shumë dhe tani mbajnë mbi vete një lodhje jete të thellë.

Në këtë poezi, natyra nuk është vetëm sfond i mendimit poetik, por bëhet një trup i gjallë i përjetimit njerëzor; liqeni dhe fusha duken si dy shpirtra të heshtur që mbajnë mbi vete kujtesën e një historie, që nuk rrëfehet me ngjarje, por me gjendje. Kjo mënyrë të shprehuri e afron poezinë me frymën moderniste, ku figura, simboli dhe gjendja shpirtërore kanë më shumë peshë se rrëfimi i drejtpërdrejtë. Peizazhi bëhet një metaforë e qenies njerëzore dhe e historisë së saj të brendshme.

Vlera dhe ndikimi i Lakos në letërsinë bashkëkohore shqiptare janë të njohura edhe ndërkombëtarisht. Më 12 mars 2026, në Sallën e Senatit Italian në Romë, ajo u nderua me Çmimin “Divinamente Donna”, për “zërin e shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare, ndjeshmërinë kulturore dhe guximin intelektual me të cilat ka pasqyruar gjendjen njerëzore, sfidat shoqërore dhe transformimet e vendit të saj.” Ky çmim vlerëson aftësinë e saj për të ndërthurur fuqinë narrative me ndjeshmërinë, për të dhënë zë historive të grave, kujtesës dhe qëndresës, dhe për të promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenën ndërkombëtare.

Kështu, analiza që pason mund të shihet jo vetëm si një lexim artistiko-filozofik i poezisë “Një liqen dhe një fushë”, por edhe si një reflektim mbi ndikimin dhe rëndësinë e poezisë së Lakos në kontekstin kulturor shqiptar dhe ndërkombëtar.

1. Poezia hapet me një tablo të thjeshtë në dukje, por shumë të ngarkuar në kuptim; dy hapësira që qëndrojnë përballë si dy qenie të lodhura nga jeta dhe nga kujtesa

“Përballë njeri tjetrit qëndrojnë

Të lodhur , të kapitur, kokëulur”

Dy hapësira të natyrës vendosen përballë si dy njerëz. Fjala “qëndrojnë” krijon menjëherë një ndjenjë pritjeje dhe tensioni të qetë. Nuk ka lëvizje të fortë; ka vetëm një prani të rëndë.

Pastaj vijnë tri fjalë të rënda: të lodhur, të kapitur, kokëulur. Sigurisht që këto nuk janë cilësi të peizazhit, por të shpirtit njerëzor. Pikërisht këtu fillon personifikimi që përshkon gjithë poezinë.

Liqeni dhe fusha duken si dy qenie që kanë kaluar një përplasje mes tyre, një histori, ndoshta një dramë. Ata nuk shikojnë njëri-tjetrin me krenari, por me kokë të ulur, si pas një beteje të brendshme. Në këtë pamje të parë të poezisë duket sikur dy hapësira janë kthyer në dy ndërgjegje të lodhura. Ato nuk janë më vetëm pjesë e natyrës, por dy qenie që mbajnë mbi shpinë peshën e një kohe të gjatë dhe të një historie që nuk thuhet me fjalë.Kjo përballje e heshtur i ngjan dy njerëzve që kanë kaluar shumë së bashku dhe tani qëndrojnë përballë pa mundur të gjejnë më fjalë për njëri-tjetrin.

2. Nga thellësia e ujit dhe e tokës shpërthen e njëjta energji e jetës, por në forma të ndryshme

“Një liqen që gufon valët mbi shpinë

Dhe një fushë që gufon në shpinë lulëkuqet.”

Folja “gufon” është shumë e fortë. Ajo sjell idenë e një shpërthimi të brendshëm. Por kjo energji del në dy forma të ndryshme. Në liqen ajo shfaqet si valë, si një trazim i thellë i ujit. Në fushë ajo del si lulëkuqe, si një shpërthim ngjyrash mbi tokë. Këtu poezia krijon një kontrast të bukur. Uji dhe toka përgjigjen ndryshe ndaj së njëjtës energji të brendshme. Valët janë lëvizje dhe trazim, ndërsa lulëkuqet janë një shpërthim i qetë i jetës dhe i ngjyrës. Në këtë çast duket sikur natyra flet përmes dy gjuhëve të ndryshme: uji flet me lëvizje dhe zhurmë të brendshme, ndërsa toka flet me heshtjen e ngjyrës.

Në shumë poezi lulëkuqja lidhet edhe me gjakun dhe me kujtesën e plagëve. Kështu fusha duket sikur mban mbi shpinë historinë e saj të kuqe.Lulëkuqet në këtë poezi nuk janë vetëm lule pranvere; ato duken si kujtime të shpërndara mbi tokë, si shenja të një jete që ka kaluar dhe që vazhdon të mbijetojë në formën e ngjyrës.

3. Ndodh që lodhja e shpirtit bëhet aq e madhe sa shuhet edhe dashuria edhe urrejtja. Kjo shfaqet në mes të poezisë si një mendim i thellë ekzistencial:

“E kanë të pamundur edhe urrejtjen edhe zemërimin

Nuk mund të piqen më as për luftë as për dashuri.”

Këtu ndodh një kthesë e fortë kuptimore. Zakonisht urrejtja dhe dashuria janë dy ndjenjat më të fuqishme njerëzore. Por këto dy hapësira janë aq të lodhura sa nuk mund të mbajnë më as njërën dhe as tjetrën.Kjo është një gjendje e rrallë shpirtërore: jo mungesa e ndjenjave, por shuarja e tyre nga lodhja e gjatë e jetës.Është momenti kur pas një përplasjeje të gjatë njeriu nuk ka më fuqi as të urrejë dhe as të dashurojë. Në këtë pikë poezia prek një të vërtetë të thellë njerëzore: pas betejave të mëdha të jetës vjen një çast kur shpirti nuk kërkon më fitore, por vetëm qetësi.

Kështu peizazhi i Lakos bëhet një metaforë e një gjendjeje të thellë njerëzore, ku historia e brendshme e qenies shuhet në një lodhje të qetë.

4. Në vijim heshtja e përjetshme bëhet mënyra e vetme e komunikimit mes dy botëve.

Kjo shfaqet te imazhi i qetë i peizazhit:

Të shtrirë përballë në një përgjim të përjetshëm

një liqen dhe një fushë.”

Fjala “përgjim” është shumë domethënëse. Ajo nuk është thjesht vëzhgim; ajo mbart një tension të fshehtë. Është sikur këto dy hapësira përgjojnë njëra-tjetrën në heshtje, sikur dy qenie që presin një lëvizje të vogël, një shenjë të padukshme. Në këtë përgjumje të përjetshme ka diçka nga pritja e një kohe që nuk vjen më, si dy roje që të heshtur qëndrojnë përballë njëri-tjetrit në kufirin e kujtesës. Ata nuk mund të largohen, por as të bashkohen. Prandaj mbeten në një gjendje të ndërmjetme, në një heshtje që zgjat pa fund. Pikërisht kjo heshtje bëhet një formë e çuditshme komunikimi: një komunikim pa fjalë, ku prania e tjetrit është e mjaftueshme për të mbajtur gjallë kujtesën.

5. Një vijë e brishtë rëre mban në ekuilibër ndarjen dhe afërsin,në fund, kur poezia përqendrohet në një figurë të vetme: “Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan.”Kjo vijë rëre është një kufi shumë i brishtë. Nuk është mur, nuk është shkëmb. Është diçka që mund të prishet nga era ose nga një valë e vogël.Megjithatë, pikërisht kjo vijë e thjeshtë mban në ekuilibër dy botë të tëra.Ajo është njëkohësisht lidhje dhe ndarje.

Në këtë mënyrë poezia flet për atë kufi të hollë që shpesh ekziston mes njerëzve: mes dashurisë dhe largësisë, mes kujtesës dhe harresës.Është ai kufi i padukshëm që i mban njerëzit pranë njëri-tjetrit edhe kur nuk mund të bashkohen plotësisht.

6. Figura tronditëse që e shndërron peizazhin në një dramë njerëzore shfaqet me vargun: “Si dy koka të bëra copë e çikë.”

Befas peizazhi merr një dimension tragjik. Liqeni dhe fusha nuk janë më vetëm hapësira të natyrës, ata duken si dy qenie të plagosura rëndë. Ky krahasim i fundit e çon gjithë poezinë drejt një kuptimi shumë më të thellë: peizazhi ka qenë gjatë gjithë kohës një figurë e një drame njerëzore.

Dy botë që qëndrojnë përballë njëra-tjetrës, të lodhura nga historia e tyre, të lidhura vetëm nga një vijë e brishtë. Dhe pikërisht në këtë çast lexuesi e ndien peshën e plotë të vargjeve: “Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan/Si dy koka të bëra copë e çikë.” Në këtë mbyllje poezia mbetet si peizazh i thyer, ku natyra dhe njeriu bashkohen në të njëjtën plagë të heshtur. Ky lexim i figurave të poezisë na çon natyrshëm drejt një këndvështrimi tjetër interpretimi, që e ndriçon më thellë marrëdhënien mes natyrës dhe shpirtit njerëzor në këtë krijim.

II- Realizmi magjik i peizazhit në poezinë e Natasha Lakos

Nëse leximit që i keni bërë poezisë i shtojmë edhe këndvështrimin e realizmit magjik, atëherë krijimi i Natasha Lakos hap një shtresë tjetër të heshtur kuptimi. Kjo shtresë nuk e prish realitetin e peizazhit; përkundrazi, e thellon atë. Është sikur nën sipërfaqen e dukshme të natyrës të rrahë një zemër e padukshme e botës, që poezia e Lakos di ta dëgjojë. Magjikja nuk vjen si një mrekulli e jashtëzakonshme, por si një dridhje e padukshme e realitetit, si një çast kur natyra dhe shpirti njerëzor ndërrojnë vendet dhe bëhen një.

Kemi thënë se në letërsinë shqipe, realizmi magjik nuk ka lindur si një imitimi i botës latino-amerikane. Ai ka një burim shumë më të hershëm dhe më të afërt me kujtesën tonë kulturore: mitet, legjendat, përrallat dhe këngët autoktone. Ndër të tjera, në këto rrëfime të vjetra, natyra nuk është vetëm sfond i jetës njerëzore; ajo është një qenie që merr pjesë në të. Mali dëgjon, lumi flet, toka ruan kujtesë. Në këtë botë të lashtë imagjinare njeriu nuk jeton përballë natyrës, por brenda saj, si një mendim i vogël në ndërgjegjen e madhe të tokës. Në shumë rite të vjetra popullore, nënat që shkojnë te varret e bijve u drejtohen tokës sikur ajo të ishte një qenie e gjallë. Ato i luten tokës ta mbajë mirë djalin, ta ruajë dhe ta mbulojë me butësi. Në këtë mënyrë toka shihet si një nënë e madhe e heshtur, që mban në gjirin e saj jetën dhe vdekjen. Po kështu edhe uji në imagjinatën popullore shqiptare flet me gjëmimin e valëve, shikon dhe dëgjon. Në shumë këngë e legjenda, uji bëhet dëshmitar i historive njerëzore,jo rrallë dhe një shkaktar gjëmash, të cilit nënat gjithashtu u luteshin: “O lumë të keqen-o/Nxirma djalin bregut-o/Se e kam të vetëm-o”

Kur e lexojmë poezinë e Natasha Lakos në këtë dritë kulturore, disa nga figurat e saj bëhen edhe më të qarta. Realizmi magjik që ndiejmë në vargjet e saj nuk është një zbukurim stilistik; ai duket si një jehonë e kësaj mënyre të lashtë shqiptare të të parëit të natyrës.

1. Një nga shenjat më të qarta të realizmit magjik në këtë poezi është mënyra se si natyra sillet si një qenie njerëzore. Liqeni dhe fusha nuk shfaqen thjesht si elemente të peizazhit; ato marrin tipare të shpirtit njerëzor. Kjo shfaqet menjëherë në vargjet hyrëse:“Përballë njeri tjetrit qëndrojnë/Të lodhur, të kapitur, kokëulur.” Këtu ndodh një transformim i qetë poetik. Realiteti është krejt i zakonshëm: një liqen dhe një fushë përballë njëra-tjetrës. Por mbi këtë realitet bie një dritë tjetër kuptimi: ato janë “të lodhur, të kapitur, kokëulur”, si dy njerëz pas një përplasjeje të gjatë.

Pikërisht këtu lind realizmi magjik: peizazhi real (liqeni dhe fusha) ndërthuret me gjendjen shpirtërore njerëzore (lodhja, përulja, kapitja). Kjo është edhe aftësia poetike e Lakos: ajo nuk e shpjegon këtë shndërrim, por e bën të duket krejt të natyrshëm. Natyra mbetet natyrë, por njëkohësisht bëhet edhe një pasqyrë e shpirtit njerëzor. Në këtë pasqyrë të qetë, njeriu sheh jo vetëm botën, por edhe plagët e heshtura të vetes.

2. Një tjetër moment ku realja dhe magjikja ndërthuren është në vargjet: “Një liqen që gufon valët mbi shpinë/Dhe një fushë që gufon në shpinë lulëkuqet.” Folja “gufon” krijon ndjesinë e një energjie të brendshme që shpërthen nga natyra. Në planin real kemi valët e liqenit dhe lulëkuqet e fushës. Por mënyra si paraqiten i jep pamjes një dimension tjetër. Liqeni duket si një trup i gjallë që mban mbi shpinë valët. Fusha duket si një trup i gjallë që lind lulëkuqe mbi shpinë. Këtu ndërthuren dy plane: a.realja – valët e liqenit dhe lulëkuqet e fushës. b.magjikja – ideja se natyra ka një trup dhe një puls të brendshëm. Edhe këtu ndihet tradita e imagjinatës shqiptare ku toka lind dhe mban jetën mbi vete. Aftësia e Lakos qëndron në atë se ajo e shndërron një pamje krejt të zakonshme të natyrës në një gjest të gjallë të botës.

3. Një nga momentet më të bukura të kësaj poezie është vargu:“Të shtrirë përballë në një përgjim të përjetshëm/një liqen dhe një fushë.” Këtu ndodh një tjetër ndërthurje shumë e bukur mes reales dhe magjikes: a.realja – liqeni dhe fusha që qëndrojnë përballë. b-magjikja – ideja se ata (liqeni dhe fusha) janë në “përgjim të përjetshëm”.

Fjala “përgjim” i jep natyrës vetëdije dhe dëgjim. Kjo lidhet edhe me besimin e vjetër kulturor shqiptar se toka dhe uji dëgjojnë dhe mbajnë mend ( kujtesë). Në këtë kuptim liqeni dhe fusha duken si dy qenie që dëgjojnë njëra-tjetrën dhe dëgjojnë botën.

Kjo është një nga aftësitë më të holla poetike të Lakos: ajo e bën heshtjen e peizazhit të duket si mendim.

4. Figura më e qartë ku realja dhe magjikja takohen është në fund të poezisë:“Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan.” Në planin real kjo është kufiri i rërës mes ujit dhe tokës, por në planin poetik kjo vijë bëhet një kufi simbolik mes dy botëve. Pra kemi:

a.realja – vijë rëre mes liqenit dhe fushës. b.magjikja – ideja se ajo bashkon dhe ndan dy botë njëkohësisht.Kjo është një figurë shumë e fuqishme poetike. Një element i vogël i natyrës bëhet një ekuilibër i brishtë mes dy ekzistencave. Edhe këtu shfaqet mjeshtëria e Lakos: ajo krijon një metaforë të madhe me një figurë shumë të vogël.

5. Në vargun e fundit ndodh transformimi më i fortë: “Si dy koka të bëra copë e çikë.” Në këtë çast ndodh shndërrimi përfundimtar: a.realja – liqeni dhe fusha përballë njëra-tjetrës, b.magjikja – ato shndërrohen në dy koka të plagosura. Këtu është kulmi i realizmit magjik: peizazhi nuk është vetëm natyrë, ai shndrohet  në dramë njerëzore

Kjo është një nga aftësitë më të mëdha të Lakos: ajo e çon peizazhin nga pamja natyrore drejt tragjedisë njerëzore, pa e prishur natyrshmërinë e figurës.

Realizmi magjik në këtë poezi nuk është një element fantastik që prish realitetin. Ai lind nga një mënyrë shumë e lashtë e të parit të botës, e pranishme në mitet, legjendat dhe këngët shqiptare, ku natyra është një qenie e gjallë që ndien dhe dëgjon.Prandaj liqeni dhe fusha mund të qëndrojnë përballë si dy shpirtra të lodhur. Dhe në fund mbeten të lidhur nga një kufi i brishtë që është njëkohësisht afërsi dhe ndarje:“Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan/Si dy koka të bëra copë e çikë.” Në këtë vijë të hollë rëre qëndron edhe magjia e gjithë poezisë: vendi ku realiteti i peizazhit dhe imagjinata e thellë njerëzore bashkohen në heshtje. Është një vijë e brishtë ku toka dhe shpirti prekin njëri-tjetrin për një çast dhe ku poezia fillon të marrë frymë. Dhe pikërisht në këtë kufi të brishtë mes tokës dhe shpirtit lind ajo dridhje e padukshme që e quajmë poezi.

III-Përveç leximeve që lidhen me peizazhin simbolik, me lodhjen ekzistenciale dhe me figurën e kufirit apo realizmin magjik, kjo poezi e Natasha Lako lejon edhe disa shtigje të tjera meditimi. Ajo është nga ato krijime që nuk mbarojnë me një interpretim të vetëm. Sa herë që lexuesi kthehet tek vargjet e saj, duket sikur hapet një dritare tjetër kuptimi. Peizazhi mbetet i njëjtë, por mendimi që kalon mbi të ndryshon si drita mbi sipërfaqen e ujit.

1. Një nga tiparet më të veçanta të kësaj poezie është mënyra se si ajo ndërtohet mbi heshtjen. Në të nuk ka dialog, nuk ka veprim, nuk ka rrëfim të drejtpërdrejtë. Gjithçka qëndron në një qetësi të dendur, si ajri i një pasditeje të gjatë vere kur edhe natyra duket sikur ndalet për të dëgjuar veten. Përballë njëri-tjetrit qëndrojnë liqeni dhe fusha, dy prani që nuk flasin, por që duket sikur e ndiejnë njëra-tjetrën. Kur poetja shkruan:“Të shtrirë përballë në një përgjim të përjetshëm/një liqen dhe një fushë.” ajo krijon ndjesinë se komunikimi nuk ndodh me fjalë, por me prani. Është një heshtje që dridhet si ajri para një stuhie të madhe, ku çdo gjë duket se pret diçka të paemëruar. Dy botë dëgjojnë njëra-tjetrën në heshtje, sikur mes tyre kalon një kujtesë e gjatë, një histori që nuk ka më zë, por që ende mbart jehonën e saj. Heshtja këtu nuk është boshllëk; ajo bëhet një gjuhë e padukshme, një mënyrë tjetër e të folurit të shpirtit.

2. Në të njëjtën kohë poezia krijon edhe ndjesinë e një ekuilibri shumë të brishtë mes këtyre dy hapësirave. Liqeni dhe fusha nuk janë në konflikt të hapur, por as në një harmoni të plotë. Ata qëndrojnë në një gjendje të ndërmjetme, si dy qenie që ruajnë një distancë të vogël mes tyre. Kjo ndjesi shprehet me një figurë shumë të thjeshtë dhe njëkohësisht shumë domethënëse: “Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan.”  Si një fije dritë që shtrihet mbi errësirën e natës, kjo vijë mban dy botë në një tension të heshtur. Kjo vijë rëre duket e vogël dhe e brishtë. Një erë e lehtë mund ta shpërndajë, një valë mund ta zhdukë. Megjithatë pikërisht ajo mban në ekuilibër dy hapësira të mëdha. Në këtë figurë poetja krijon një simbol të fuqishëm: edhe në jetën njerëzore marrëdhëniet shpesh mbahen nga kufij shumë të hollë. Një vijë e vogël mund të jetë njëkohësisht urë bashkimi dhe humnerë ndarjeje.

3. Në këtë poezi nuk paraqitet një ngjarje konkrete. Nuk dimë çfarë ka ndodhur më parë, por lexuesi e ndien qartë se diçka ka ndodhur. Kjo ndjesi vjen nga vargjet:“E kanë të pamundur edhe urrejtjen edhe zemërimin/Nuk mund të piqen më as për luftë as për dashuri.” Këto vargje japin ndjesinë e një lodhjeje të thellë. Është sikur përplasjet e mëdha kanë kaluar tashmë dhe në vend të tyre ka mbetur vetëm një qetësi e rëndë. Peizazhi i ngjan një toke pas stuhisë, kur retë janë larguar, por në ajër ende ndjehet lagështia e trazimit. Poetja nuk tregon historinë e kësaj përplasjeje; ajo na jep vetëm gjendjen që mbetet pas saj. Kjo mënyrë e të shprehurit është një nga teknikat më moderne të poezisë: ngjarja zhduket, ndërsa mbetet atmosfera e saj.

4. Në fund të poezisë shfaqet një figurë që e trondit qetësinë e mëparshme dhe e ndryshon mënyrën si e lexojmë gjithë tekstin: “Si dy koka të bëra copë e çikë.”

Ky krahasim e mbush menjëherë peizazhin me një ngarkesë dramatike. Liqeni dhe fusha nuk duken më vetëm si hapësira natyrore, por si dy qenie të plagosura rëndë. Është sikur gjithë qetësia e mëparshme mbante brenda një plagë të fshehur. Me këtë figurë përfundimtare poezia merr një dimension tragjik dhe filozofik, ku peizazhi bëhet metaforë e një ndarjeje të thellë njerëzore.

5. Një tjetër aspekt që bie në sy është përqendrimi i madh poetik i këtij krijimi. Poezia është e shkurtër, por çdo varg mban një peshë të madhe kuptimore. Nuk ka asnjë fjalë të tepërt dhe asnjë figurë të rastësishme. Çdo imazh duket i vendosur me kujdes, si një gur në një hark që mban gjithë strukturën e tij. Kjo është një nga cilësitë më të bukura të poezisë së Natasha Lakos: aftësia për të krijuar një hapësirë të gjerë mendimi me shumë pak fjalë.

Në fund mund të themi se kjo poezi mund të lexohet në shumë mënyra: si një peizazh, si një metaforë e marrëdhënieve njerëzore, si një reflektim mbi lodhjen e historisë, ose si një meditim mbi kufijtë e brishtë që ndajnë dhe bashkojnë botët. Gjithçka përmblidhet në atë vijë të hollë rëre që poetja vendos mes dy hapësirave:“Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan/Si dy koka të bëra copë e çikë.”Dhe pikërisht mbi këtë vijë të brishtë qëndron i gjithë tensioni poetik i kësaj poezie, si një fije e hollë që lidh heshtjen e natyrës me plagët e padukshme të shpirtit njerëzor.

IV – Nëse deri tani kemi parë poezinë kryesisht në planin e kuptimit simbolik e filozofik, ajo mund të kuptohet edhe si një kontribut i veçantë në poetikën moderne shqiptare. Natasha Lako e sjell këtë risie jo përmes një deklarimi të zhurmshëm, por përmes një heshtjeje që fluturon mbi çdo varg, ku peizazhi, gjuha dhe mendimi filozofik bashkohen në një strukturë të përqendruar dhe të ndjeshme, që flet për shpirtin njerëzor më shumë se për ngjarjet.

1.Në poezinë tradicionale shqiptare, peizazhi shpesh shërbente si dekor ose skenë për ndjenjat e personazheve. Te kjo poezi ndodh diçka më e thellë: peizazhi vetë bëhet personazh. Liqeni dhe fusha nuk janë thjesht hapësira; ata frymojnë, ndjejnë dhe mbajnë mbi shpinë lodhjen e botës dhe të historisë së saj. “Të lodhur, të kapitur, kokëulur,” shkruan poetja, duke i dhënë natyrës një shpirt njerëzor, që dridhet nën peshën e kohës dhe e bën metaforë të fatit dhe vuajtjes së njeriut. Kjo është një nga risitë më të dukshme të poezisë moderne shqiptare, ku simboli dhe përqendrimi marrin vendin e rrëfimit të drejtpërdrejtë.

2.Poezia nuk përdor figura të shumta apo komplikuara; ajo ndërtohet mbi dy elemente të zakonshëm të natyrës: liqenin dhe fushën. Por nga kjo thjeshtësi lind një botë e tërë. Valët dhe lulëkuqet nuk janë vetëm pamje; ato flasin një gjuhë të heshtur mes ujit dhe tokës, mes lëvizjes dhe qëndrueshmërisë, mes trazimit dhe kujtesës. Peizazhi bëhet dialog, ku uji shpërfaq trazimin e brendshëm si një shpërthim i heshtur, ndërsa lulëkuqet mbajnë historinë në heshtje, si kujtime të shpërndara mbi tokë. Kjo thjeshtësi e fuqishme krijon intensitet dhe bukuri poetike me mjete minimale.

3.Një nga risitë më të ndjeshme është shfaqja e lodhjes që shuan ndjenjat e mëdha. “E kanë të pamundur edhe urrejtjen edhe zemërimin / Nuk mund të piqen më as për luftë as për dashuri.” Në këtë heshtje të rëndë, peizazhi duket si një trup që është ulur për të marrë frymë pas një beteje të gjatë, duke lënë gjithçka pas.. Ky varg nuk është thjesht një përshkrim; ai zbulon një gjendje që rrallë shfaqet kaq qartë në poezinë shqipe- momentin kur përplasjet e mëdha janë konsumuar dhe mbetet vetëm një heshtje e rëndë, një lodhje që ka përmasat e jetës dhe kohës. Ky është një dimension filozofik që shpalosë një të vërtetë universale: pas stuhive të mëdha, shpirtit i mbetet vetëm qetësia dhe reflektimi.

4.Në fund të poezisë shfaqet figura e vijës së rërës, e cila është njëkohësisht lidhje dhe ndarje: “Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan.” Kjo vijë e hollë është simboli i kufirit të brishtë që ndan botët dhe i mban ato pranë njëri-tjetrit; është kufi mes hapësirave, mes njerëzve, mes kujtesës dhe harresës. Duket sikur era e parë e pranverës do ta shkundë atë, por ajo qëndron, si një kujtesë e brishtë që nuk mund të harrohet. Ajo shfaqet si një urë e hollë mbi heshtjen e peizazhit, që bashkon dhe ndahet në të njëjtën kohë, duke krijuar një tension të brendshëm të lexuesit dhe një meditim të heshtur mbi jetën dhe marrëdhëniet njerëzore.

5.Krahasimi përmbyllës: “Si dy koka të bëra copë e çikë” sjell një tronditje poetike të papritur. Lexuesi e ndjen këtë dhimbje si të ishte e tij, një plagë që ndan dhe bashkon, një heshtje që fluturon mbi çdo varg. Peizazhi që dukej i qetë, papritmas shndërrohet në një dramë të heshtur, ku natyra dhe njeriu bashkohen në të njëjtën plagë të përbashkët. Kjo figurë i jep poezisë një energji të brendshme të veçantë dhe e shndërron leximin në një përjetim të thellë. Lexuesi e ndjen këtë dhimbje si të ishte e tij, një plagë që ndan dhe bashkon, një heshtje që fluturon mbi çdo varg.

Risia e kësaj poezie nuk qëndron tek temat e reja, por tek mënyra e ndërtimit të figurës poetike: me pak vargje dhe gjuhë të përmbajtur, Natasha Lako krijon një metaforë të gjerë për ndarjen, lodhjen dhe bashkëjetesën e detyruar të botëve. Prandaj, figura e saj mbetet gjatë në mendjen e lexuesit, si një vijë e hollë rëre që i bashkon dhe i ndan: “Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan / Si dy koka të bëra copë e çikë.”

Pra, poezia e Natasha Lakos nuk është thjesht një peizazh që lexuesi e sheh me sy; ajo është një peizazh që ndjehet me shpirt. Liqeni dhe fusha nuk janë thjesht hapësira natyrore, por dy qenie që mbajnë mbi supe historinë e tyre të heshtur, lodhjen e jetës dhe plagët që nuk shërohen lehtë. Heshtja, vijat e hollë të rërës, valët dhe lulëkuqet – të gjitha bëhen gjuhë për të thënë atë që nuk mund të thuhet me fjalë. Lexuesi nuk mbaron së lexuari vargjet; ai hyn në një përjetim, ku çdo frymëmarrje e natyrës lidhet me frymëmarrjen e tij, ku çdo plagë e peizazhit pasqyron një plagë të shpirtit njerëzor. Dhe pikërisht në këtë ndërthurje të brishtë mes natyrës dhe njeriut qëndron fuqia e poezisë: ajo na mëson se qetësia e dukshme nuk është gjithmonë pa dhimbje, dhe se çdo hapësirë qëndron e ndarë dhe e lidhur njëkohësisht, si dy koka të bëra copë e çikë, por të pandashme në kujtesën e heshtur të shpirtit.

Sarandë, mars 2026

Një liqen dhe një fushë

Përballë njeri tjetrit qëndrojnë
Të lodhur , të kapitur, kokëulur
Një liqen që gufon valët mbi shpinë
Dhe një fushë që gufon në shpinë lulëkuqet.

E kanë të pamundur edhe urrejtjen edhe zemërimin
Nuk mund të piqen më as për luftë as për dashuri
Të shtrirë përballë në një përgjim të përjetshëm
një liqen dhe një fushë.

Vetëm një vijë e thërmuar rëre i bashkon dhe i ndan
Si dy koka të bëra copë e çikë.