Lundër krahu-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

1.

Dëshiroj të pamundurën :

më shumë se ç’e kam 

dashur ta dua gruan, 

tani dhe përhera çiltër 

ne dhembshurohemi 

dhembshuria na bën 

më të shtrenjtë 

më të dashur

se gjithnjë 

pak vyshkur 

pak perënduar…

2.

Të pamundurën dëshiroja herët :

me fëmininë time të sillesha

më pak i nxituar më i urtë,

një mollë të dy përtypëm 

jetuam të dy një kollë

na ngrohu trikoja 

e zemërgjerësisë

asnjëherë 

njëri tjetrin 

një gisht

s’e prekëm

e lënduam 

veç me flladin 

e fjalës së urtë.

3.

Dëshiroja dikur më të pamundurën :

të ngjisja gëzimtar Himalajet

voc’rrak hutuar i moçëm,

tani çdo mëngjes 

kodrës ngjitem 

duke përpirë 

kupën e saj

të gjelbërt

mahnitje

dhe 

qiell të kaltër

shumë tronditës

kërlesh buzagaz

borëtimeve të botës.

4.

Përhera mua 

një spirancë më shfaqet 

afër, në bregun mendimtar,

po zbres tëposhtë 

ta takoj të lundroj 

me të 

nëse

krahun tim

kjo ëndërr detare

e dëshiron ende lundërtar …