Miltiadh Davidhi

I padukshëm…
…Si përtej jetës, si përtej vdekjes,
Duke sfiduar harresën e mosdashjen,
E përqafoj, puthë e i lehtësoj dhimbjet
Dhe e mar me të mirë,
Duke e shtrënguar e përkëdhelur në kraharor,
Zemrën time plot me lule gjaku e limfe,
E gjithë dejet e degëzimet që dalin prej saj
Në formën e pemës së jetës,
Me një përkushtim të padukshëm,
I qetë dhe i pagojë,
E si një degëz e gjelbër flas në heshtje
Me grimcëzat e ajrit, të dritës,
Dhe grimcëzat e dheut,
Duke u shndërruar ngadalë-ngadalë,
Në grimcëz ajri, drite, e grimcëz dheu,
E si fllad ere lëviz
Mbi oqeane të pafund dashurie,
Se aty ruaj si në një kafaz të hekurt kujtese,
Të gjallët e të vdekurit e mi,
Gjithë miqtë e çdo shok, që jeton
Në vëndin tim, a të tretur nëpër botë.
Se zemra ime është planet dashurie,
Një hapësirë e pafund,
Plot me male, fusha, pyje e dete,
Plot me lumenj e përrenj mrekullie,
Ku perënditë mbi to ulen e falen,
E ujërat Pellazgjike që udhëtojnë nga lashtësia,
As nuk thahen, e as nuk ndalen.
Dt.21.12.2025.Modena.