Me Piktorin Muhamet Kërpaçi-Arben Iliazi 

Arben Iliazi 

ME PIKTORIN MUHAMET KËRPAÇI

Piktori i mirënjohur Muhamet Kërpaçi më ftoi në studion e tij në ‘Art Gallery Kërpaçi”, në ish Bllok. Kish kohë që më kishte përgatitur një surprizë, por nuk ishim takuar dot. Sot ishte dita me fat. Më dhuroi një pikturë mjaft të bukur, të titulluar “Vallja e Osman Takës”. I befasuar, vlerësova detajin dhe atmosferën. Duket se piktori nuk ka huazuar aspak nga arti i të tjerëve, por ka reflektuar në spektrin e tij të ngjyrave. Për këtë vepër jam inspiruar nga drama jote “Osman Taka”, më tha miku im, i përmalluar. E kundrova veprën me emocion. Menjëherë më erdhi ndërmend thënia e Lesingut për pikturën si poezi pa zë dhe poezinë si pikturë me zë.

M. Kërpaçi si artist, në procesin e tij krijues, reflekton një frymëzim jo të zakonshëm, një gjendje emocionale ndikuese, pra një ndjesi të përgjithshme poetike.

Na lidh një miqësi e vjetër qysh nga viti 1984, kur unë isha student dhe ai në fillimet e aktivitetit krijues. Në atë kohë botonte mjaft karikatura në shtypin e kohës. Në pikturë dallohej nga shumë bashkëkohës të tij, duke hyrë në asocacion të plotë me natyrën, ndjenjat njerëzore dhe universin. Pikturat e tij pasqyrojnë, në mënyrë harmonike, Të Mirën, të Vërtetën dhe të Bukurën, duke i zbritur në telajo kategoritë e amshuara, nga qielli ku prehen. Kërpaçi është një nga koloristët më të mirë shqiptarë, që përdor një spektër ngjyrash, ku e bardha, e kuqja, e zeza dhe bluja janë më të preferuarat. Me shumë punime, me shumë ekspozita personale, në karikaturë dhe pikturë. Nga viti 1984 deri më sot, ka hapur disa ekspozita në kryeqytet në Muzeun Historik Kombëtar dhe pothuajse në të gjithë qytetet e Shqipërisë, në Kosovë dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Më kujtohet një ekspozitë e përbashkët me piktorin gjerman Dietrich Schoenfelder, në Hotel Rogner Tiranë, në vitin 2004, që pati shumë jehonë në media. Pikturat e tij janë në koleksione private në vende të ndryshme të botës.

Përveç peizazheve të shumta, Kërpaçi ka sjellë mjaft portrete me veshje popullore, etnografike, ku spikatin veshjet me ngjyra të ndezura të personazheve, nga të gjitha trevat e kombit.

Është ndër të rrallët artistë që ka mbijetuar vetëm me artin e tij.