Nga poetja Lola Shehi Çela: Vështrim për vëllimin e ri me poezi “Ritmi i jetës” të poetit Agim Lika


Krijimtaria poetike e Agim Likës, në këtë vëllim poetik të ndarë në katër cikle, përfaqëson një poezi me rrënjë të thella morale, ndjeshmëri njerëzore dhe qëndrim të qartë etik ndaj jetës, dashurisë dhe shoqërisë. Këto poezi nuk synojnë eksperiment formal apo lojë gjuhësore, por komunikim të drejtpërdrejtë me lexuesin, duke e vendosur poezinë në funksion të ndërtimit shpirtëror dhe ndërgjegjësimit njerëzor. Në poezitë e dashurisë, “Ti je magjepsëse” dhe “E rëndësishme është bota brenda teje”, Agim Lika paraqitet si poet i ndjenjës së sinqertë, të qetë dhe të qëndrueshme. (Pikërisht kështu është fotografuar në memorien time edhe vet poeti) Dashuria e autorit tonë, nuk është paraqitur as si pasion i vrullshëm as si përjetim kalimtar, por si lidhje shpirtërore, besnikëri dhe përkushtim i plotë. Kam thënë shpesh se poetët meshkuj janë me fat. Janë me fat se i shkruajnë bukurisë femërore. Por edhe këtu, Agim Lika m`i përmbys pritshmëritë.
Në poezinë e tij, figura lirike femërore nuk idealizohet vetëm për bukurinë fizike, por vlerësohet mbi të gjitha për botën e saj të brendshme, për aftësinë për të përkëdhelur shpirtin dhe për të mbushur boshllëkun ekzistencial të njeriut. Ky këndvështrim e zhvendos poezinë nga sipërfaqja emocionale drejt një dashurie etike, ku rëndësi ka përputhja e shpirtrave dhe jo pamja e jashtme.
Një veçanti e dukshme e këtyre poezive është thjeshtësia e figuracionit, që në pamje të parë duket sikur e varfëron poezinë. Në këndvështrimin tim, figurat e thjeshta, nuk e varfërojnë poezinë, por e bëjnë atë më të sinqertë dhe më të besueshme. Hëna, bora, zemra dhe shpirti janë figura klasike, por të përdorura me masë dhe funksion të qartë, duke ndërtuar një univers të pastër emocional. Dashuria tek Lika nuk është e kushtëzuar nga perfeksioni, por nga pranimi, qëndrueshmëria dhe përjetësia e ndjenjës. Figura e nënës, e trajtuar në poezinë “Si dashuria e nënës, të dytë s’ka”, përbën një nga kulmet morale të këtij cikli. Këtu poeti kalon nga lirika personale në një poezi me përmasë universale, ku nëna shfaqet si themel i jetës, si strehë morale dhe si burim i pakushtëzuar dashurie. Zgjedhja për ta paraqitur nënën si “tre njerëz në një” është një gjetje e thjeshtë, por shumë e goditur, që thekson besimin absolut dhe sakrificën e saj të pafundme. Dashuria e nënës tek Agim Lika nuk është vetëm ndjenjë, por standard etik, pika ereferencës mbi të cilat maten të gjitha marrëdhëniet e tjera njerëzore. Në poezitë me tematikë shoqërore dhe morale, si “Ritmi i jetës”, “Të jesh njeri” dhe “Mos e ushqe inatin!”, Agim Lika shfaqet si poet i reflektimit dhe i këshillës. Një zë që nuk qëndron indiferent ndaj realitetit bashkëkohor. Poezia “Ritmi i jetës” trajton ankthin modern, shpejtësinë e kohës, globalizmin dhe ndikimin e Inteligjencës Artificiale, duke e vendosur autorin në dialog të drejtpërdrejtë me sfidat e shekullit XXI. Pa vënë sirenat e alarmit apo mohim të progresit, poeti mban një qëndrim të balancuar, duke pranuar përfitimet e zhvillimit, por edhe duke paralajmëruar për pasojat sociale dhe njerëzore të tij.
Analizë më të detajuar po preferoj t`i bëj pikërisht kësaj poezie, titullin e së cilës mban dhe vëllimi poetik. Kjo poezi shënon një kthesë tematike të qartë. Bën kalimin nga lirika intime drejt poezisë refleksive-shoqërore, çka e pasuron ndjeshëm panoramën krijuese të Agim Likës. Një nga pikat më të forta të poezisë është trajtesa e drejtpërdrejtë e realitetit bashkëkohor. Tema e ritmit të jetës, globalizmit dhe Inteligjencës Artificiale e vendos poezinë në kohën tonë konkrete, larg nostalgjisë apo abstraksionit. Kjo e bën tekstin të lexueshëm dhe të përvetësueshëm për breza të ndryshëm. Poeti flet nga pozicioni i një njeriu që vëren dhe reflekton, jo nga ai i moralistit absolut. Vargu: “Si të rriturit, ashtu dhe brezi i ri” është i rëndësishëm sepse shmang atë ndarjen klasike që ndodh rëndom “të vjetër – të rinj”, “brezi im – brezi yt”. Poezia nuk akuzon brezat, por thekson se sfida e ritmit të jetës i prek të gjithë, duke e bërë mesazhin gjithëpërfshirës. Ideja e “vrapimit” pas jetës, është një metaforë fare e thjeshtë, por funksionale ama: “Për ta ndjekur hap pas hapi, vrapojmë” Kjo figurë përçon lodhjen, stresin dhe ankthin modern, pa nevojë për zbukurime stilistike. Është në përputhje me tonin realist të poezisë. Autori Agim Lika mban qëndrim të balancuar ndaj globalizmit dhe teknologjisë.
“Globalizmi ka shumë të mira, kuptohet” – thotë ai. Poeti nuk është kundër zhvillimit, por paralajmëron për pasojat sociale, veçanërisht për njerëzit e pakualifikuar, njerëzit e palexuar. Ky qëndrim i matur e bën poezinë më të besueshme dhe më serioze. “Ritmi i jetës” është një poezi refleksive-shoqërore, me vlera dokumentuese dhe mendimore. Ajo nuk siguron e nuk synon lartësi metaforike, por ofron qëndrim realist, shpreh ankthin modern kolektiv, dëshmon aftësinë e Agim Likës për të dalë nga lirika personale dhe për të reflektuar mbi shoqërinë. Kjo tregon se Agim Lika është jo vetëm poet i ndjenjës, por edhe i vëzhgimit shoqëror. Poet me gjuhë të thjeshtë e komunikative dhe i përgjigjet kohës ku jeton pa humbur tonin njerëzor. Poezia “Të jesh njeri” është ndoshta më e drejtpërdrejta në mesazh. Ajo ndërtohet si një manifest etik, ku poezia shërben si mjet paralajmërimi kundër hipokritëve, lajkatarëve dhe dyfytyrësisë shoqërore. Gjuha është e fortë, popullore dhe pa zbukurime të panevojshme, çka i jep poezisë një ton autentik dhe bindës.
Këtu Agim Lika nuk kërkon të kënaqë estetikisht, por të zgjojë ndërgjegjen, duke e paraqitur njeriun e drejtë si figurë të rrallë dhe shpesh të pambrojtur në një botë intrigash. Në të njëjtën linjë morale qëndron edhe poezia “Mos e ushqe inatin!”, e cila trajton vetëkontrollin, faljen dhe paqen me veten. Inati paraqitet si armik i brendshëm, si vetëndëshkim dhe burim shkatërrimi shpirtëror. Përballë tij, falja shfaqet si akt force dhe burrërie morale, jo si dobësi. Kjo poezi përmbyll ciklin me një mesazh human dhe universal, duke e vendosur njeriun përballë përgjegjësisë për qetësinë dhe ekuilibrin e vet shpirtëror. Në tërësi, ky cikël poetik dëshmon se Agim Lika është një autor me zë të qëndrueshëm, etikë të fortë dhe ndjeshmëri të thellë njerëzore. Ai shkruan poezi që nuk synojnë elitarizmin, por komunikimin.
Shkruan poezi që nuk kërkojnë të habisin lexuesin, por ta ndriçojnë atë. Forca e tij qëndron te sinqeriteti, te besnikëria ndaj vlerave tradicionale dhe te aftësia për ta përdorur poezinë si mjet reflektimi, këshille dhe ndërtimi shpirtëror. Ky është një cikël që flet qartë për një poet që e sheh fjalën si përgjegjësi dhe poezinë si shërbim ndaj njeriut.
Tiranë, janar 2026.