Arben Iliazi

Në mbrëmjen e datës 13 mars 2002, kur në Sallën e Teatrit Kombëtar, të mbushur plot nga dashamirësit e teatrit, u shfaq premiera e komedisë ‘’Ylli pa emër’’, me autor Mihail Sebastian dhe me regji të Hervin Çulit, aktori i mirënjohur i teatrit tonë, Agim Qiriaqi shkëlqeu edhe një herë, me një mjeshtëri aktoriale të shkëlqyer, i shoqëruar nga kolegët e tij mjaft të njohur, si Eva Alikaj, Robert Ndrenika, Natasha Sela, Ndriçim Xhepa e të tjerë.
Por për Agimin roli i fundit në teatër ishte tek “Pjata prej druri”, në vitin 2006, ku ai interpretonte krah aktorit të shquar Sulejman Pitarka.
Pikërishtë në këtë kohë u shfaqën simptomat e sëmundjes që i mori jetën. Iku në kulmin e famës.
Artist i madh, me shumë role kryesore në teatër e kinematografi, një yll me shkëlqim të rrallë që u shua në kulmin e energjive dhe të karrierrës artistike.
Agim Qiriaqi ishte një aktor unik me botë të madhe shpirtërore, me mjeshtëri të rrallë aktrimi, me plastikë, portret ekspresiv, vështrim të thellë dhe mimikë të pasur.
Ai la gjurmë të pashlyeshme në teatrin dhe filmin shqiptar, duke i dhënë dritën e zemrës teatrit, duke i falur origjinalitet, traditë e bashkëkohësi. Agimi kishte një përkushtim të madh për dramën shqipe.
Në shtator tw vitit 2005 kemi ndenjur me orë të tëra bashkë. Më dha një ndihmë të pakursyer, duke redaktuar komedinë “Burri im…me zero kilometër”, e cila u inskenua më pas në Teatrin “Aleksandër Moisiu”, nën regjinë e Milto Kutalit.
Në portretin dhe gjestet e tij shquhej përherë një empati e dukshme, dashamirësi, bujari e dinjitet.
BIOGRAFIA
U lind në Tiranë nga prindër kolonjare me origjinë nga Rehova e Kolonjës në 27 janar 1950, dhe vdiq më 28 mars të vitit 2010. Karrierën si aktor e fillon në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977.
Më pas punon si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980). Gjatë kësaj kohe vazhdon të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu fillon të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdon edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpreton rregullisht në teatër dhe në filma, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.
Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2 vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. Rikthehet në Teatrin Kombëtar më 1991, këtë herë më i dhënë pas regjisë. Ndonëse vazhdon të interpretojë në teatër dhe në film, të mbajë herë pas herë kurse me studentët e regjisë në Akademinë e Arteve, është gjithmonë e më aktiv në regji. Lista fillon me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos, “Armiku i popullit” të Ibsenit, “Ylli pa emër” të Mihail Sebastian, “Pjata prej druri” të S. Pitarkës.
Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetari i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fiton titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.
Vdiq më 28 mars 2010 në moshën 60-vjecare pas një sëmundjeje të rëndë.
Në 70 vjetorin e lindjes, në vitin 20021, mori titullin e lartë “Nderi i Kombit”.
Filmografia
Kronikë provinciale (2009)
I dashur armik – (2004)….Ethemi
Parullat – (2001)….Drejtori i Shkollës
Colonel Bunker – (1998)
Dasma e Sakos – (1998)
Viktimat e Tivarit (1996)
Nata e dymbëdhjetë – teatër-komedi
Edhe keshtu edhe ashtu – (1989)…
Stolat në park – (1988)….Aleks Pasku
Misioni përtej detit – (1988)…Dimitris Vasilikos
Rrethi i kujtesës – (1987) Doktori shqiptar
Tela për violinë – (1987)….. Mustafa Dino, Kryetari i Komisionit
Apasionata – (1983)…. Profesor Jani
Në prag të lirisë – (1981)…. Zoti Bardhi
Agimet e stinës së madhe – (1981) Astriti, i dërguari i Partisë
Skëterrë 43 – (1980)…. Profesori
Radiostacioni – (1979) Shkrimtari
Dimri i fundit – (1976) Oficeri gjerman
Lulëkuqet mbi mure – (1976)……Drejtori i Shkollës
Përballimi – (1976)….Hareto
Rrugë të bardha – (1974)…. Profesori