Ilirian Zhupa

Vetëm çerek shekulli kam jetuar pranë lumit të Vjosës. Po ai lumë, ka një jetë të tërë që rrjedh brenda meje, si në këtë poemë, këngët e së cilës po i publikoj javë pas jave në fb, për kënaqësinë time dhe tuajën.
LUMI IM
Poemë
KËNGA E PARË
Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje,
Me zhurmën tënde tronditëse e të mirë e të ndershme,
Me heshtjen tënde prej loti e prej dhimbjeje e prej vdekjeje?!
1.
Sikur ke rrjedhur nga syri im i pastër, i kthjellët,
Me zaje pendimi e me baltë të njelmët;
Sikur ke qarë për mua, sikur ke qeshur për mua,
Duke marrë e sjellë ca fytyra që dua;
Ca fytyra të bukura, jo se janë të bukura,
Po se rrinë brenda nesh të strukura.
2.
Asnjëherë s’të kam lënë në vetmi, s’më ke lënë në vetmi
Dhe në netët pus
Pa një litar drite për t’u kapur,
Dhe në ditët zhur
Dhe në moshën flur,
Ngado që kam vajtur.
Më ke thirrur me zërin tënd siç di ti
Dhe jam ndjerë burrë
Dhe jam ndjerë njeri.
Të kam lakmuar zërin, të kam lakmuar ecjen,
Britmën dhe dhimbjen, pëshpërimën dhe qeshjen.
Kam dëshiruar gjithë jetën,
Zgjuar, në gjumë,
Të jem rrjedhë,
Të jem lumë.
3.
Turbull – turbull vije, lumi im, turbull – turbull,
E dimri frynte e shfrynte me të dy bulçinjtë,
E ti përgjakeshe e skuqeshe nga të mbyturit e tu
Në ca përrenj të këqinj.
Shkuleshin gurët e maleve dhe prishnin një urë dashurie,
Një kasolle të mjerë, një dushk të sapo ngritur në këmbë,
Një jelek nuseje, një djep të vogël fëmije,
T’i hidhnin mbi shpinë si një mallkim të rëndë.
E trazoheshe thellë, braktisje shtratin dhe bregun,
Rrënkoje, gulçoje, vërshoje në muzg,
Ndërsa dimrat qeshnin me bubullimën e tyre të egër,
Me gjëmimin e tyre akuzë.
Të akuzonin ty për shkatërrimin e urave dhe strehëve,
Të ngarkonin mbi shpinë gjithë ç’u vidhnin maleve,
Kufomat e dashurive, lindjeve, vdekjeve,
Meitet e talljeve.
E ti përpëliteshe në shtratin tënd nga bregu në breg,
E ti bije përmbys, mbi fushat e tua të pakta, gjerë e gjatë,
Si në një kllapi të keqe, nga plaga e madhe, e thekshme,
Vuaje dhe flisje përçart.
Vuaje e kërkoje horizonteve dritë,
Mallkoje perënditë.
4.
Lumi im, që më rrjedh e më mbledh larg e pranë,
E i kthjellët më rrëmben mes shtjellës,
E i turbullt më lë mënjanë.
Gjysh stërgjyshi qenke, qenke ati dhe nëna,
Largësi që kam brenda.
Kam bredhur dikur ndanë teje, kam ndjekur ujërat e tua,
Në një dritë rrufeje, në një vajzë që dua.
Më je fshehur në dete, kam kujtuar je tretur,
Në damarë më ke fjetur,
Në oqean të kam gjetur.
5.
Jam nisur një vere të të gjej burimet,
Kam kaluar pyje e gërxhe e gurë,
Kam kaluar vise e male e shtigje
E s’kam mbërritur kurrë.
-Edhe pak,- më ke thenë. –Mos u lodh, kërko
Nëpër ëndrrat e bukura, nëpër fushat e blerta,
Në atë që urren, në atë që do,
Te vetja.
Te gjaku i martirëve dhe qëndresa e trojeve,
Te buzët e të dashurës dhe shtegëtimi i qiejve,
Te besa e shokëve dhe rrjedha e kohëve,
Te sytë e fëmijëve.
...Jam nisur një vere të t’i gjeja burimet,
Kam ndjerë se rrjedhin thellë qenies sime.
Janar-shkurt 1988
Nga libri ‘‘Mos më pyet ku kam qenë”, Sh.B.“Naim Frashëri”, 1988