Përballje me pasqyrën e vet historike-Llazar Syziu

Llazar Syziu

Revoltat e vitit 1997 përbëjnë një nga momentet më dramatike të historisë së Shqipërisë postkomuniste. Në diskursin publik ato shpesh reduktohen në pasojë të rënies së skemave piramidale ose të përplasjeve politike mes mazhorancës dhe opozitës. Megjithatë, një interpretim realist, i zhvendos këto ngjarje nga niveli i shkakut të menjëhershëm në atë të strukturës shoqërore. Sipas këtij këndvështrimi, revoltat e vitit 1997 nuk ishin thjesht reagim ndaj humbjeve financiare, por shprehje e thellë e një shteti të ndërtuar pa themele shoqërore dhe kulturore.

Shqipëria pas vitit 1990: Tranzicion pa ndërmjetës. Shqipëria pas rënies së komunizmit u hodh me shpejtësi nga diktatura në demokraci formale, pa kaluar fazën e ndërtimit gradual të shtetit ligjor. Institucionet u krijuan në letër, por jo në ndërgjegjen qytetare. Ligji u perceptua si imponim, jo si kontratë shoqërore; shteti si autoritet i huaj, jo si përfaqësues i interesit publik. Pra do ta përshkruanim këtë situatë si një shoqëri që hoqi frikën nga diktatura, por nuk ndërtoi ende përgjegjësinë e lirisë. Në këtë boshllëk institucional dhe moral, kriza ishte vetëm çështje kohe.

Skemat piramidale: Simptomë, jo shkak. Në këtë interpretim, skemat piramidale nuk përbëjnë shkakun thelbësor të revoltës, por simptomën më të dukshme të një shoqërie të paedukuar ekonomikisht. Ato lulëzuan sepse mungonte kultura e punës së ngadaltë, e kursimit dhe e kontrollit institucional. Besimi i verbër te fitimi i shpejtë ishte rezultat i një tranzicioni që premtoi kapitalizëm pa sakrificë. Këtë e impononte drejtëpërdrejtë moralisht, pasurimi i shpejtë i pushtetarëve duke privatizuar me shtpejtesi dhe ne anarki të plotë pronat e shtetit të përmbysur. Me fjalë të thjeshta, populli nuk ishte vetëm viktimë e mashtrimit, por edhe bashkëpunëtor i iluzionit, sepse shoqëria shqiptare nuk kishte ende imunitet moral ndaj spekulimit.

Revolta e 1997-s: Jo revolucion, por shpërbërje. Ngjarjet e vitit 1997, sipas këtij këndvështrimi, nuk përbëjnë revolucion në kuptimin klasik politik. Ato ishin shembje e autoritetit shtetëror dhe rikthim i dhunës si mjet i vetëmbrojtjes kolektive. Kur populli merr armët masivisht, nuk po kërkon drejtësi, por po deklaron se shteti ka pushuar së ekzistuari. Hapja masive e depove të armëve simbolizoi momentin kur shteti pushoi së ekzistuari si garant i rendit. Kur qytetarët armatosen masivisht, kjo nuk është shenjë lirie, por dëshmi e dështimit total të shtetit. Dhuna nuk synonte ndërtimin e një rendi të ri, por mbijetesën në mungesë të çdo rendi.

Përgjegjësia e elitave politike. Një element qendror është refuzimi për të ndarë fajin në mënyrë partizane. Pra, përgjegjësia e vitit 1997 ishte kolektive: qeveria për tolerimin dhe legjitimimin e mashtrimit financiar, opozita për shfrytëzimin politik të revoltës, elitat në tërësi për mungesën e vizionit shtetformues. Ketu nuk po flasim për komplot, por për papjekuri historike të klasës politike, e cila mendoi në terma pushteti dhe jo shteti.

1997-a si vazhdimësi historike. Viti 1997 nuk është episod i shkëputur, por pjesë e një modeli të përsëritur historik shqiptar. Ashtu si në vitin 1914 me revoltën e Haxhi Qamilit, edhe në 1997 shfaqet e njëjta kontradiktë: shteti ekziston në formë, por jo në përmbajtje shoqërore. Në të dy rastet, dhuna bëhet zëvendësuese e ligjit, sepse ligji nuk është bërë ende normë e brendshme e shoqërisë.

Përfundimisht, revoltat e vitit 1997 nuk duhen parë si aksident financiar apo si produkt i një momenti politik, por si pasojë e pashmangshme e një tranzicioni të papërfunduar. Ato dëshmojnë se demokracia nuk ndërtohet vetëm me zgjedhje, kapitalizmi nuk konsiston në fitim të shpejtë dhe shteti nuk krijohet pa kulturë qytetare. Kriza e 1997-s ishte, mbi të gjitha, krizë besimi: e qytetarit ndaj shtetit dhe e shtetit ndaj qytetarit. Dhe siç do të sugjeroja me realizëm të ftohtë, Shqipëria nuk u rrëzua atë vit; ajo thjesht u përball me pasqyrën e vet historike.