Miradie Zymberi Avdullahi

Për ty Kosovë
Në këtë tokë ku buka ka shije loti,
Ku çdo pëllëmbë mban emrin e një djalit,
Deshën të na fiknin si qiriun që moti,
Të na bënin hi në rrëzë të malit.
Ishin netë të gjata, pa hënë e pa yje,
Kur thika e ftohtë kërkonte t’na priste,
Por ne kishim rrënjët e thella në pyje,
Dhe gjaku i derdhur, veç liri bërtiste.
Mos më pyet, bir, pse gjyshja rri e heshtur,
Pse sytë i mbushen lot,kur sheh atë flamur,
Ajo pa shtëpinë midis flakësh t’zhveshur,
Dhe zemrën e bëri të fortë, gur.
Erdhi shkurti i bardhë mbi malet me borë,
Dhe prangat e rënda u bënë thërrime,
Liria na preku me t’ngrohtën dorë,
Si nuse e bukur, plot dritë e bekime.
Sot frymojmë lirshëm, në vendin e lashtë,
Mbi këtë qiell s’ka më re të zeza,
Je ëndrra që mbin përtej çdo rrethimi,
Të qoft urime Pavarësia, Kosovë,
ndër shekuj e breza!