Gruaja labe në një ditar-

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
“Lavdia e Labërisë”
Që në fillesat e Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, Lavdie Nanaj u zgjodh në forumet drejtuese dhe për shumë vite mbajti detyrën e nënkryetares. Ajo drejtoi për një kohë të gjatë forumin e gruas së Labërisë dhe mori pjesë aktive në të gjitha kuvendet e shoqatës, në Tiranë, Vlorë, Kuç, Himarë, Gjirokastër.
Me dëshirën për ta mbajtur të gjallë në kujtesën e atyre që e njohën, bashkëshorti i saj, Agim Nanaj, mblodhi, sistemoi dhe botoi librin “Lavdia e Labërisë”. Një titull i merituar, sepse përmes kujtimeve dhe shënimeve të saj dokumentohet një pjesë e rëndësishme e punës së bërë ndër vite për shoqatën dhe për çështjet që ajo përfaqësonte.
Libri është i thjeshtë në paraqitje, por i pasur në përmbajtje. Ai shpalos rrënjë, fisnikëri, patriotizëm dhe dashuri familjare. Në të janë përfshirë shkrime të botuara ndër vite në shtyp, fotografi familjare, dokumente nga veprimtari e kuvende, si dhe kujtime personale. Agimi, si përgatitës i botimit, ka përjetuar – siç shprehet vetë – një bashkëbisedim të përmallshëm me Lavdien përmes fletëve të ditarit të saj.
Botimi i këtij libri ishte një mision: përmbushja e një dëshire të hershme të saj. Shënimet e ruajtura me kujdes për ngjarje shoqërore, shqetësime e reflektime personale, u kthyen në shtysë për ta ndërtuar këtë vepër. Përmes tyre del në pah shpirti i saj i ndjeshëm dhe njëherazi luftarak, i përkushtuar ndaj gruas shqiptare e veçanërisht ndaj gruas labe.
Lavdie Nanaj la një kontribut të vyer në mbështetje të të drejtave dhe emancipimit të gruas. Ajo e ndiente si mision angazhimin në vendimmarrje, në organizim dhe në përfaqësim dinjitoz të grave të Labërisë. Modeli i saj mbetet frymëzim për brezat.
Në shënimet e saj gjejmë jo vetëm kujtime, por edhe mësime: ndershmëri, zgjuarsi, thjeshtësi dhe respekt për traditën. Ajo besonte se duhet njohur mirë trashëgimia kulturore dhe konteksti shoqëror për të lartësuar familjen dhe për t’i shërbyer vendit.
Fjalë zemre për Lavdien
Kur Agimi dhuronte librin për Lavdien, sytë i mbusheshin me lot, por edhe me forcë. Ai ka rrëfyer se, gjatë punës me ditarët, shpesh i dukej sikur bisedonte me të. Lavdia ishte e kujdesshme në fjalë, e qetë, por e vendosur. Kundërshtonte me takt, pa nënvleftësuar askënd. Dëgjonte gjatë, pranonte argumentin e arsyetuar dhe ruante gjithmonë dinjitetin në komunikim.
Emri i saj zyrtar ishte Lavduri, por që në fëmijëri u thirr Lavdie — dhe kështu e njohu e e thirri gjithë jeta. Sot ajo përfaqësohet simbolikisht si “Lavdia e Labërisë”, sepse në këtë libër paraqitet me madhështi, mençuri dhe dritë shpirtërore.
Një jetë me kulturë dhe përkushtim
Lavdie Nanaj (Gjika) lindi më 7 gusht 1945, në vitin e parë të lirisë. Ajo vinte nga familja e njohur e Xhebro Gjikës nga Tërbaçi. U rrit në një mjedis ku kultura dhe arsimi vlerësoheshin lart.
Përfundoi me rezultate të mira gjimnazin “Halim Xhelo” në Vlorë dhe vijoi studimet e larta në Shkodër për Biokimi. Më pas kreu Shkollën e Partisë në Tiranë (1981–1983). Ushtroi profesionin e mësueses dhe drejtoi shkolla 9-vjeçare gjatë viteve 1963–1982. Me transferimin në Tiranë, u emërua në Ministrinë e Shëndetësisë, në Degën e Kuadrit.
Që në rini ishte e angazhuar në organizime për mbrojtjen e të drejtave të gruas. Me fillimet e demokracisë, ishte pjesë e grupit nismëtar për themelimin e Shoqata Atdhetare Kulturore “Labëria”, ku shërbeu për vite si nënkryetare. Përkushtimi i saj ndikoi që shoqata të fitonte respekt të gjerë në opinionin publik shqiptar dhe kosovar. Shoqata u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”, një vlerësim ku përfshihet edhe kontributi i saj.
Lavdie Nanaj ka mbajtur medaljen e artë “Naim Frashëri” dhe është vlerësuar me titullin “Personalitet i shquar i Labërisë”.
Përmes këtij libri, Agim Nanaj e ka sjellë Lavdien të gjallë në kujtesën e Labërisë. Ai ka dhënë jo vetëm një dëshmi dashurie bashkëshortore, por edhe një model se si shkruhet me dinjitet për një grua labe — me respekt, me dokumentim dhe me ndjenjë.