Poezia e Panajot Bolit është një përqafim i heshtur ,një ndalesë mes asaj që ka ikur dhe asaj që jeton brenda nesh- Nga Çano Nora

 

Analizë libri

Nga Çano Nora

 

 

 

Poezia ” Më përqafojnë kaltërsitë” e poetit sarandiot    Panajot Boli,nga libri me të njëjtin titull ,është një udhëtim    i ndjerë poetik në    hapësirat    e kujtesës ,mitit    dhe identitetit .Kaltërsia ,e pranishme si leitmotiv ,nuk    është    thjeshtë një ngjyrë ,por një gjëndje shpirtërore ,një kod estetik    që bashkon qiellin ,lumin    dhe detin në një tërësi simbolike.

Ajo që më çudit kur isha i vogël,ishte qielli.

Nuk i gjeja as fillimin e as fundin.

Varrte një llampë në qafë,hajmali si unë,

Të dukej më i bukur

Dhe ishte i kaltër…i kaltër.

Lumi,ka dhe ai shpirt si njerëzit,

Më thoshte gjyshi,

Veçse nuk fle,ecën e i këndon gurgullimës.

I ktheva fytyrën Bistricës sime,e pashë,më buzëqeshi

Dhe ishte e kaltër…e kaltër.

Që në vargjet e para ,poeti    na kthen në fëmijëri ,aty ku çudia për botën lind    nga pafundësia e qiellit.Qielli pa fillim e    pa fund bëhet metaforë e ëndrrës së hershme ,e pafajësisë    dhe e kërkimit ekzistencial.Kaltërsia këtu është mister ,bukuri dhe premtim ,një hapësirë që e përqafon njeriun pa kushte.

Në figurën e lumit Bistricë ,poezia fiton dimension njerëzor.Lumi ka “shpirt” ,nuk fle ,po ecën dhe këndon,është një personifikim që e shndërron natyrën në bashkëbiseduese    të poetit.

Thyerja e ” fytyrës ” së lumit dhe buzëqeshja    e tij e kaltër janë imazhe delikate që shprehin mardhënie intime te njeriut      me vendlindjen ,ku çdo element natyror mbart      ndjenjë dhe kujtesë.Kërkimi i nereiadave dhe shfaqja e detit Jon e çojnë poezinë në një hapësirë mitike    dhe universale.Deti flet,puth, vallëzon ,duke u bërë kulmi i kësaj simfonie    kaltërsie.Këtu kaltërsia nuk është më vetëm ngjyrë,por identitet ,frymëzim    dhe dashuri.Deti Jon shfaqet si një qënie e gjallë ,që përqafon poetin dhe i jep atij

 

ndjesinë e përkatësisë .Forca e kësaj poezie qëndron    në thjeshtësinë    e saj të ndërtuar    me imazhe gjuhe të natyrshme dhe me emocione.Pano Boli arrin të krijojë    një poezi    ku natyra ,kujtesa dhe miti shkrihen në një të vetme,duke e bërë kaltërsinë simbol të shpirtit ,të rrënjëve dhe të dashurisë    për vëndin.”Më përqafojnë kaltërsitë” është një poezi që nuk lexohet vetëm,por përjetohet si një përqafim i qiellit ,i lumit dhe i detit mbi shpirtin e lexuesit.

Le të kujtojmë vargjet e poezisë”Ti më vije    në mëngjes”

Në mëngjeset dritëlara të majit

Ku gjumi pikonte mjaltë

Thëllëzat i’a mbanin me iso që ndajnatë

E në pentagramin e qepallave shkruanin serenatë.

Seç belbëzonin përgjumësh buzët

Si bletët që kërkonin nektar

Ti vije    si zanë që ikte ndaj të gdhirë,

Me një puthje ëndërr të etur

Si oazë në shkretëtirë.

” Kjo poezi    është    një miniaturë delikate e zgjimit shpirtëror ,ku mëngjesi i majit    shndërrohet në një hapësirë ndijimore    të mbushur me dritë ,tingull    dhe prekje.Imazhi i “gjumi që pikonte mjaltë” krijon menjëherë një ndjesi ëmbëlsie ,ndërsa isoja e thëllëzave e lidh natyrën me traditën,duke i dhënë vargut një frymë intime e njëkohësisht kolektive.Shprehja ” pentagram I qepallave ” është metaforë e gjetur bukur ,ku ëndrra,muzika dhe dashuria në një akt krijimi    të brendshëm.Dashuria nuk vjen me zhurmë ,por si    e përkohëshme ,e brishtë,por thellësisht e ndjerë.Puthja si”oazë në shkretëtirë” përmbyll poezinë me një kontrast të fuqishëm : mungesë dhe shpëtim ,etje dhe shuarje.Në tërësi poezia rrjedh me një gjuhë    të kuptueshme ,figurative ,ku ndjenja dashurore    përjetohet si çast    i shenjtë mëngjesi ,i heshtur ,i ngrohtë    dhe i paharrueshëm.

“Të pres me një degëz borziloku”.

Sa shumë u lodha me pritjen në prehër

Poshtë pjegullës hijerëndë të vesuar,

Me dallëndyshen që më ndjek nga foleja

Dhe stolin e shkretë dalë boje të stresuar.

Kjo poezi    ndërtohet mbi një pritje të    dhimbshme njëkohësisht, ku koha nuk matet me orë ,por me një frymëmarrje shprese. “Pritja në prehër” është    një figurë tepër njerëzore ,intime,që i jep    vargut ngrohtësi dhe ndjenjë përkushtimi ,ndërsa mjegulla ” hijerëndë e vesuar” përçon peshën e mallëngjimit dhe pasigurisë.

Dallëndyshja,simbol i kthimit dhe besnikërisë qëndron pranë subjektit lirik .si një shenjë shprese ,në kontrast me ” stolin e shkretë të dalë boje” i cili personifikon lodhjen e    pritjes    dhe kalimin e kohës.Ky dinamizëm mes shpresës    dhe raskapitjes e pasuron emocionalisht poezinë.Në strofën e dytë ,puthja dhe mbështetja e kokës    në kraharor    e zbusin gjithë ankthin e pritjes.Premtimi    i ardhjes shndërrohet    në një besim më shumë ,ndërsa degëza e borzilokut ,simbol i bekimit    dhe dashurisë ,e ngre pritjen    në një rit    thuajse të shenjtë.Mbyllja me”vesë dashurie” është e brishtë    dhe poetike ,duke e lënë lexuesin    me ndjesi se dashuria ,edhe kur vonon    ,vjen gjithmonë e freskët dhe e gjallë.

Te poezia “Erdhi Saranda në klasën time”

Nxënësja ime me sytë blu,ngjyrë Joni

Sarandën ma solli prej krahu në klasë,

Në një kornizë eseje të qëndisur bukur,

Me buzët e vajzës së valëve të na flasë.

Kemi të bëjmë me vargje të ndjera dhe    shumë figurative ,ku klasa shndërrohet    në hapsirë detare    përmes imagjinatës    krijuese    të nxënëses.Saranda nuk vjen si    vënd gjeografik ,por si përjetim estetik:sytë blu, ngjyrë Joni” ,janë porta hyrëse e detit    në klasë ,ndërsa eseja e    qëndisur bukur    bëhet kornizë arti.Metamorfoza e mjedisit ( muret e kaltra ,llampa -diell, zërat – valë ) tregon fuqinë e fjalës    së shkruar    ,realitetin ,për ta zbukuruar dhe për ta bërë frymëzim.

Nxënësja – flutur ,është simbol i pafajësisë ,ndërsa mësuesi shfaqet si dëshmitar i këtij mrekullimi të heshtur.Poezia përcjell dashuri    për nxënësin ,për detin dhe për artin,duke    e bërë klasën    një hapësirë ku imagjinata noton lirshëm.

Te poezia me titull”E dua këtë ngjyrë më tha vjeshta”,vargjet shndërrohen në një qënie që flet,që dhuron dhe zgjon mall.

Vjeshta më dha një xhaketë të verdhë të vesh,

Këtë ngjyrë dua unë,më tha,e ma hedh në krahë,

Kujtimet si gjethe u bënë,filluan të zverdhen,

E çukitin të druajtura    në shpirtin tim me radhë.

Kjo poezi    ndërtohet mbi personifikimin e vjeshtës ,e cila vjen si një mike e heshtur ,por bujare që i dhuron poetit jo vetëm një ” xhaketë të verdhë” por edhe peshën e kujtimeve që lë pas kjo stinë e begatë.Ngjyra e verdhë nuk është thjesht një stinë ,por simbol i zbehjes    së kohës ,i pjekurisë shpirtërore dhe i mallëngjimit të këndshëm që shoqëron njeriun kur kthehet pas.Kujtimet,të krahasuara    me gjethet që zverdhen “çukitin”    me drojë ,duke krijuar një ritëm të brëndshëm    nostalgjie .Flladi    i hirtë dhe aromat dehëse përforcojnë ndjesinë e trishtimit ,jo si dhimbje ,por si përqafim i kohës    që ikën.Kulmi emocional arrihet me figurën e Arifit    dhe mollës së kuqe ,një detaj i thjeshtë ,por tepër domethënës.Kjo skenë sjell mardhënien mësues – nxënës .në dimensionin njerëzor,ku mirënjohja dhe pafajësia mbeten kujtime të pashlyeshme .Molla e kuqe bëhet simbol i dashurisë dhe respektit që i reziston    viteve dhe stinëve.Kjo poezi është një meditim mbi kohën ,kujtesën dhe lidhjet njerëzore ,ku vjeshta nuk është fund ,por një ngjyrë    që mëson të duash    edhe zbehjen .

“Më përqafojnë kaltërsitë” mbyllet si një det në muzg ,pa zhurmë ,por që mbetet gjatë    në shpirt.Kaltërsitë e këtij libri nuk janë vetëm ngjyra    qielli    apo uji ,por hapësira të brëndëshme ,ku kujtimet,dashuria dhe malli    gjejnë    strehë.Çdo poezi është një përqafim i heshtur ,një ndalesë mes asaj që ka qenë    dhe asaj që vazhdon të jetojë brenda nesh.Ky libër dëshmon se poezia  nuk ka nevojë të bërtas për t’u ndier .Nëpër vargje    kalojnë njerëz të zakonshëm ,stinë,vënde ,të cilat falë fjalës poetike ,marrin kuptim dhe jetojnë për kohë të gjatë.

Autori na kujton se kaltërsia është edhe shpresë ,edhe plagë e shëruar ngadalë. Në fund lexuesi mbetet me    ndjesinë se nuk    ka mbyllur një libër,por ka lënë pas një bisedë intime ,që vazhdon të kumbojë,sepse kaltërsitë ,ashtu si poezia e vërtetë ,nuk mbarojnë në faqen e fundit ,ato përqafojnë dhe pasi libri mbyllet.