
Legjenda NORA E KELMENDIT- “HELENA SHQIPTARE E TROJËS” 300 përballë 12.000
Nuk janë 300 spartanë të Leonidas-is. Janë 300 gra e vajza malësore. Nuk është bukuroshja Helena e Trojës, gruaja e Menelaut, kënduar me pathos nga Homeri.
Është Nora e Kelmendit, kënduar me lahutë, me zë mali, nga rapsodët e Malësisë së Madhe. Nuk janë Termopilet, ku u ndeshën spartanët me Kserksi-in. Është lugina e bleruar e Tamarës, ku bashkohen Cemi i Selcës me Cemin e Vuklit, si dy damarë që rrahin gjakun e Kelmendit. Historianët e shekullit XVII e quajtën: “Helena Shqiptare.” Por, ajo ishte më shumë se bukuri. Më e bukur se zana e maleve! Më e kthjellët se kaltërsia e Cemit, ushqyer me ujë bore nga Alpet shqiptare! Më e gjallë se bari i pranverës në Bjeshkët e Nëmuna!
Mbi të gjitha, më e bukur se bukuria ishte zemra e saj: Stërvitur në shpatë. Kalitur në gjak lirie. Mbushur me krenarinë e maleve. Dielli ndalej mbi fytyrën e saj si mbi një ikonë lufte. Kur lindi Nora, Bjeshkët e Nëmuna heshtën. Heshti gurgullima e Cemit. Edhe era uli hapin mbi Kelmend. Ati kishte dëshiruar djalë, krah në luftë kundër osmanëve. Por Zoti i maleve i fali një shpatë në trup vajze. Në fshehtësi e rriti halla, në kullë guri, veshur si djalë. Ati e stërviti vite me radhë: si të mbante shpatën, si të godiste pa u dridhur, si të kalëronte si vetëtimë mbi kalë. Kur mbushi shtatëmbëdhjetë pranvera, bajraktari i vuri në dorë shpatën e fisit:
-Djalë më të fortë s’ka lindur Malësia! Nora hoqi plisin. Flokët e artë u derdhën mbi supe si agim.
-Jam bija jote, babë! Mali u drodh. Vutsi Pasha, komandant i kështjellës së Rozafës, kur e pa në dugajet e Shkodrës, bëri betimin ogurzi: -Nëse kjo vajzë nuk vjen në haremin tim, Kelmendi do të digjet! Nora klithi: -Nuk lidhen malet me zinxhir, pasha! – Më mallkoftë Cemi ku kam pirë ujë!
Më mallkoftë Kelmendi ku u linda! Kurrë gruaja e turkut! 300 gra e vasha syshkruara zbritën nga Bordoleci, Vermoshi, Lëpusha, Selca, Tamara. Me shpatë në dorë! Me besë në zemër! Me Norën në ballë! Ushtritë u rreshtuan në luginë. 300 përballë 12.000. Pas 300 amazonave shqiptare qëndronin malet. Qëndronte liria. Qëndronte historia që nuk përkulet. Hipur mbi kalin e zi, Nora printe si shqiponjë mbi stuhi. Pashai ulëriti: -Kam ardhur me 12 mijë ushtarë për të të marrë në haremin tim! Nora iu përgjigj:
-Eja më merr në sheshin e luftës! Të thërras në dyluftim! Si rrufe që çan qiellin, u sul përpara. Xhubleta u hap si flamur. Pelerina e kuqe u ndez në erën e Alpeve. Shpata shkëlqeu si vetë liria. Sa zgjati përleshja? Askush nuk e di! Ishte si Davidi përballë Goliathit. Malet brohoritën:
-Nora jonë! Trimërsha jonë! S
hpata jonë! Amazona jonë! Koka e pashait u ngrit në dorën e saj. Gjaku pikonte mbi gurë. Nuk ishte thjesht një pasha pa kokë. Ishte një perandori që u trondit! Pjetër Bogdani do të shkruante në veprën e tij, Çeta e Profetëve: “Ushtria me 12 mijë turq u shpërnda si mjegull në erë nga 300 vashat e malësisë. Një grua guxoi të bëhej shpatë e fisit.” Nora e Kelmendit!
Mina T. QIRICI Tiranë,