Arben Iliazi

Poetja e dënuar në lirinë e vet!
Drita Çomo, poetja e pafat me një talent të habitshëm, që vuajti pasojat e regjimit të egër komunist, u shua në moshën 23 vjeçare, në 19 shkurt 1981. Në dosjen e saj janë shënuar 11 operativ që përndiqnin letraren e re te talentuar. Ajo la pas një vëllim poetik me vargje melankolike, introspektive dhe një ditar rrëqethës që dokumentojnë vetminë, jetën në internim dhe luftën me kancerin në moshë të re. Kur ishte 20 vjec shkroi poezinë “Dashuri siberiane”.
“Po bie shi… dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua të jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt – kaq akull,
Kaq ftohtë në shpirt. Si në Siberi.
E megjithatë, unë të dua.
Dhe të dua shumë, çuditërisht
Po qe se të urresh është njësoj si të duash,
Të urrej dhe të dua njëkohësisht.
Të urrej për atë, që më prishe qetësinë
Të urrej, pse erdhe tek unë,
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë.
Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër,
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa gradë nën zero paske lindur,
Dashuria ime siberiane.Në të tërë qënien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je aq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prapë s’dua të jemi bashkë.
(9 shtator 1978)
Pesha e lirisë dhe e mungesës së saj është me të vërtetë universale në krijimtarinë e Dritës. Ajo është e thekshme dhe priret të kthehet në një ide pa përmbajtje, në një ëndërr-cak; bëhet amorfe, e braktis poeten në dallgët e revoltës dhe të dalldisë dhe rikthehet sërish tek ajo..
“Mendime të lagura…si të jetosh
Në ketë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh”
(Shi)
Një liri që shpërthen si një fakt i mirëfilltë dhe që është e lidhur ngushtë me pohimin e zhveshur të ekzistencës, sa të kujton idenë e një nevoje.
“Vetmia është zilja e telefonit
Dhe një zë i huaj që kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e zbrazët
Me biseda boshe dhe pa diell.
Vetmia është të shikosh pas xhamit
Njerëz që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia e gjatë para gjumit
Dhe vapa në netët pa hënë.
Vetmia është të duash shumë
Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.
(Vetmia)
Poetja gati lëshon pyetjen: Si mund të jetë e imja kjo liri, nëse unë nuk kam asnjë mundësi ta pranoj? Si mund të marrë ajo një pamje njerëzore? Dhe autorja, me një ekzaltim të epërt, përvijon kufijtë mes njerëzores dhe jonjerëzores. Gjith krijimtaria e saj është sa lirike, aq dhe absurdiste. Poetja ndihet e dënuar në lirinë e vet….Një liri absurde, deri në makth. Me një magji të rrallë spontaniteti, Drita Çomo bëri prova të pazëvëndësueshme për ushtrimin e lirisë së saj shpirtërore duke provuar transhedencën. Ajo arriti t’i japë kuptim kësaj forme të skllavërisë, e shkëputur në mënyrë të përkryer nga mpirja e vet, me shpërthimin e saj rinor, të përkorë dhe guximtar.
“Fjalë të bukura…Sa hipokritë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellin me llustër”.
(Shi)