
Nga ÇANO NORA
Epigrame
NJË MËSUESI
Tek të tjerët duke u mburrur mbeti,
se është korrekt,entuziast.
Po një kontroll nga lartë e gjeti,
me gjysmën e nxënësve në klasë.
NDRYSHE THOTË E NDRYSHE BËN
Thonë se nga e hëna tek e shtuna,
për punën kërkohet djersë e mund.
Por për vete ikën i pari nga puna,
dhe për të ardhur vjen në fund.
NJË NGATËRRESTARI
Shumë i drejtë po na hiqesh,
në mes shokësh për çdo ditë.
Më shumë ti përçash përpiqesh,
se sa t’i bashkosh,o mik!
NJË GËNJESHTARI
Të tjerët i gënjeve një jetë,
ata që të shihnin në sy.
Dhe kur u thoshje ndonjë të vërtetë,
s’të besonte më njeri.
PËR CILËSINË
I mbylle dyert në pallatin që u bë,
me brava të reja, miku im.
Por ç’e do,se nga ato s’hapej asnjë,
ditën që do merreshin në dorëzim.
NJË SERVILI
Para shefit,jo nga pesha,
përkulej sa bëhej urë.
Ikën shefa,erdhën shefa,
mesi s’ju drejtua kurrë.
KARAKTERI
Thonë se je djalë punëtor,
dhe e di se ç’është nderi.
Por s’kanë vlerë ato që thonë,
kur të mungon karakteri.
NJË LLAFAZANI
Mbyllte çelësa pa drojë,
dyer të reja,të vjetra.
Po për të mbyllur disa gojë,
duheshin çelësa me dhjetra.
NJË SHITËSI
S’ka si ti për punë,o Gjon!
më të mirë se ti s’do gjesh.
Veçse ke dhe një zakon,
që të ha përgjysëm në peshë.
NJË QYLAXHIU
Në punë vinte vonë i mjeri,
këtë e kish parim në jetë.
Por një ditë i pari erdhi,
se i thanë për një banket.
KUR TË DEL NAMI
Thonë se je pemë e mbarë,
dhe se të njeh e gjithë bota.
Por unë kurrë s’të kam parë,
s’të kam parë kurrë që të bësh kokrra.