Epigrame- Nga Çano Nora

Nga ÇANO NORA
 
Epigrame
 
NJË MËSUESI
 
Tek të tjerët duke u mburrur mbeti,
se është korrekt,entuziast.
Po një kontroll nga lartë e gjeti,
me gjysmën e nxënësve në klasë.
 
NDRYSHE THOTË E NDRYSHE BËN
 
Thonë se nga e hëna tek e shtuna,
për punën kërkohet djersë  e mund.
Por për vete ikën i pari nga puna,
dhe për të ardhur vjen në fund.
 
NJË NGATËRRESTARI
 
Shumë i drejtë po na hiqesh,
në mes shokësh për çdo ditë.
Më shumë ti përçash përpiqesh,
se sa t’i bashkosh,o mik!
 
NJË GËNJESHTARI
 
Të tjerët i gënjeve një jetë,
ata që të shihnin në sy.
Dhe kur u  thoshje  ndonjë të vërtetë,
s’të besonte më njeri.
 
PËR CILËSINË
 
I mbylle  dyert në pallatin që u bë,
me brava të reja, miku im.
Por ç’e do,se nga ato s’hapej  asnjë,
ditën që do merreshin në dorëzim.
 
NJË SERVILI
 
Para shefit,jo nga pesha,
përkulej sa bëhej urë.
Ikën shefa,erdhën shefa,
mesi s’ju drejtua kurrë.
 
KARAKTERI
 
Thonë se je djalë punëtor,
dhe e di se ç’është nderi.
Por s’kanë vlerë ato që thonë,
kur të mungon karakteri.
 
 
NJË LLAFAZANI
 
Mbyllte çelësa pa drojë,
dyer të reja,të vjetra.
Po për të mbyllur disa gojë,
duheshin çelësa me dhjetra.
 
NJË SHITËSI
 
S’ka si ti për punë,o Gjon!
më të mirë  se ti s’do gjesh.
Veçse ke dhe një zakon,
që të ha përgjysëm në peshë.
 
NJË QYLAXHIU
 
Në punë vinte vonë i mjeri,
këtë e kish parim në jetë.
Por një ditë i pari erdhi,
se i thanë për një banket.
 
KUR TË DEL NAMI
 
Thonë se je pemë e mbarë,
dhe se të njeh e gjithë bota.
Por unë kurrë s’të kam parë,
s’të kam parë kurrë që të bësh kokrra.