KUR HARROHEN MIRËSITË…

Kur më doli rrudha e parë, s’di se si,
Me gishtat që m’u drodhën e përkëdhela,
Pastaj, qetë-qetë, thashë: “Le të rrijë.”
Sepse e dija: asnjë rrudhë s’kisha përbrenda.
Sapo më shkëlqeu thinja e parë, s’di se kur,
Luajta pak me të, vetëm buzëqesha,
S’më dhembi aspak, tashmë isha burrë,
Shpirtin e kisha të pathinjur, pse të trembesha?
Kur një shat i ndryshkur i kohës së marrë
Më gërryente përbrenda bashkë me pabesitë,
Rrudhat u shtuan, u harrua rrudha e parë,
Thinjat m’u fshehën ndër flokë, si të kishin frikë.
Teksa kurorat e mëndafshta ylberi prek,
Unë shpërlahesha me ujin e pistë të qytetit që nxin,
Një shami nga xhepi i setrës së vjetër dua të nxjerr,
Të drejtoj rrudhat apo të mbuloj një thinjë.
Ndërsa peneli në qiellin e kaltër një shpresë vizaton,
Unë, i përvëluar, endem rrugëve të gjej një mirësi.
Por jo. Një halabak një rrudhë tjetër më shton,
Një ngërdheshje bën të më shtohet një tjetër thinjë.
Me metrin që më mat çdo hap që hedh,
Ndjej lakë e florinjta që më afrohen si gjarpërinj,
Nën zhubravitjen e ditëve klithmat që fshihen ndjej,
Një rrudhë tjetër më brazdohet, më shtohet dhe një thinjë.
“Ah, kush do ta mbrojë larvën nga sqepi i zi?”
Ndërsa rrudhat dhe thinjat çdo ditë më shtohen,
Mbi një valë që përkundet mirësia dua të rri,
Por vala mbytet në det… mirësia harrohet…
B. Torba