Dibra që jeton me  mua…Nexhbedin Basha

DIBRA QË JETON ME  MUA…
Dibra, nuk është vetëm vendi ku linda,
por fryma që më ndjek në çdo hap.
Ajo flet me zërin e gurëve, të maleve dhe të njerëzve që më mësuan
se fjala ka peshë, dhe kujtimi rrënjë.
Dibra nuk është thjesht një hartë ose një histori e shkruar; ajo është vendi ku kam lindur dhe jam rritur, ku çdo shteg, çdo kodër dhe çdo rrugicë ruan kujtime të paharrueshme. Aty kam përjetuar fëmijërinë dhe adoleshencën, kam kaluar stazhin në minierë dhe përvojën e parë si mësues. Atje nisi edhe rruga ime si gazetar; fillimisht si korrespondent vullnetar në gazetën “Ushtima e Maleve” e gazetën “Luftëtari”, më vonë gazetar në Shtypin Ushtarak, Ministria e Mbrojtjes, gazeta “Ushtria”, ku u bëra pjesë organike në vitin 1994.
Në Dibër ndjeva peshën e fjalës dhe fuqinë e saj për të ndryshuar jetën e njerëzve.
Në Dibër lindën poezitë e para: “Gjumi i trazuar”, “Këndojeni atë të më ndjeni”, “Violina e luleve”, “Mbulesa e bardhë njolla njolla”, “Shimçan, vendlindja ime”, “Mallë, më puth ato duar”, “Mësuesit”, “Gazetarit”, dhe shumë të tjera. Çdo fjali, çdo varg, çdo kujtim është mishërim i tokës, i maleve, i lumenjve dhe i njerëzve që kanë jetuar para nesh.
Në hyrje të librit tim “Violina e Luleve”, kam shkruar:
“Të hedhësh vargjet në letër, në prozë apo në poezi, është si të hedhësh farën e drithit në arë.. Kush e plugon mirë tokën, ia merr bollshëm prodhimin; kush e lë gjer, s’ia di vlerën.”
Fryma e Dibrës më ka mësuar se mençuria, trimëria dhe besa nuk janë thjesht histori; ato janë pjesë e çdo dite, e çdo vendimi dhe e çdo krijimi artistik. Dibra më dha mundësinë të kuptoj se arti dhe jeta nuk ndahen kurrë.
Aty mësova të dëgjoj, të shkruaj dhe të frymëzohem nga gjurmët e të parëve; nga luftërat e Skënderbeut, nga kuvendet e Pavarësisë, nga heronjtë e luftrave, nga veprat e artistëve dhe poetëve të vendit, nga bukuritë e natyrës, të bjeshkëve të Korabit, të liqejve të Lurës, të kanioneve të lumit Drin. Çdo hap mbi këtë tokë, çdo rrugicë që shkel, çdo gur që prek, më kujton se jam pjesë e një trashëgimie të madhe, një historie që vazhdon të jetojë në shpirtin e çdo dibrani.
Unë mund të largohem prej saj,
por ajo nuk largohet kurrë prej meje.
Sepse Dibra nuk është vetëm vend,
është gjak, është frymë, është amanet.
Dhe amaneti nuk harrohet.
Dhe sa të kem frymë, do ta mbaj Dibrën brenda meje.