Lumi im-Ilirian Zhupa

Ilirian Zhupa

Publikimi i plotë i poemës, për të gjithë ata/ato që duan ta lexojnë “me një frymë”. Dhe shumë falenderime!..
 
LUMI IM
 
Poemë
 
KËNGA E PARË
 
Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje,
Me zhurmën tënde tronditëse e të mirë e të ndershme,
Me heshtjen tënde prej loti e prej dhimbjeje e prej vdekjeje?!
1.


Sikur ke rrjedhur nga syri im i pastër, i kthjellët,
Me zaje pendimi e me baltë të njelmët;


Sikur ke qarë për mua, sikur ke qeshur për mua,
Duke marrë e sjellë ca fytyra që dua;


Ca fytyra të bukura, jo se janë të bukura,
Po se rrinë brenda nesh të strukura.


2.


Asnjëherë s’të kam lënë në vetmi, s’më ke lënë në vetmi
Dhe në netët pus
Pa një litar drite për t’u kapur,
Dhe në ditët zhur
Dhe në moshën flur,
Ngado që kam vajtur.


Më ke thirrur me zërin tënd siç di ti
Dhe jam ndjerë burrë
Dhe jam ndjerë njeri.


Të kam lakmuar zërin, të kam lakmuar ecjen,
Britmën dhe dhimbjen, pëshpërimën dhe qeshjen.


Kam dëshiruar gjithë jetën,
Zgjuar, në gjumë,
Të jem rrjedhë,
Të jem lumë.


3.


Turbull – turbull vije, lumi im, turbull – turbull,
E dimri frynte e shfrynte me të dy bulçinjtë,
E ti përgjakeshe e skuqeshe nga të mbyturit e tu
Në ca përrenj të këqinj.


Shkuleshin gurët e maleve dhe prishnin një urë dashurie,
Një kasolle të mjerë, një dushk të sapo ngritur në këmbë,
Një jelek nuseje, një djep të vogël fëmije,
T’i hidhnin mbi shpinë si një mallkim të rëndë.


E trazoheshe thellë, braktisje shtratin dhe bregun,
Rrënkoje, gulçoje, vërshoje në muzg,
Ndërsa dimrat qeshnin me bubullimën e tyre të egër,
Me gjëmimin e tyre akuzë.


Të akuzonin ty për shkatërrimin e urave dhe strehëve,
Të ngarkonin mbi shpinë gjithë ç’u vidhnin maleve,
Kufomat e dashurive, lindjeve, vdekjeve,
Meitet e talljeve.


E ti përpëliteshe në shtratin tënd nga bregu në breg,
E ti bije përmbys, mbi fushat e tua të pakta, gjerë e gjatë,
Si në një kllapi të keqe, nga plaga e madhe, e thekshme,
Vuaje dhe flisje përçart.


Vuaje e kërkoje horizonteve dritë,
Mallkoje perënditë.


4.


Lumi im, që më rrjedh e më mbledh larg e pranë,
E i kthjellët më rrëmben mes shtjellës,
E i turbullt më lë mënjanë.
Gjysh stërgjyshi qenke, qenke ati dhe nëna,
Largësi që kam brenda.


Kam bredhur dikur ndanë teje, kam ndjekur ujërat e tua,
Në një dritë rrufeje, në një vajzë që dua.
Më je fshehur në dete, kam kujtuar je tretur,
Në damarë më ke fjetur,
Në oqean të kam gjetur.


5.


Jam nisur një vere të të gjej burimet,
Kam kaluar pyje e gërxhe e gurë,
Kam kaluar vise e male e shtigje
E s’kam mbërritur kurrë.


-Edhe pak,- më ke thenë. –Mos u lodh, kërko
Nëpër ëndrrat e bukura, nëpër fushat e blerta,
Në atë që urren, në atë që do,
Te vetja.


Te gjaku i martirëve dhe qëndresa e trojeve,
Te buzët e të dashurës dhe shtegëtimi i qiejve,
Te besa e shokëve dhe rrjedha e kohëve,
Te sytë e fëmijëve.


…Jam nisur një vere të t’i gjeja burimet,
Kam ndjerë se rrjedhin thellë qenies sime.


KËNGA E DYTË


Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje,
Me zhurmën tënde tronditëse e të mirë e të ndershme,
Me heshtjen tënde prej lufte e prej zulmi e perpjekjeje?!


1.


Lumi im,
Ngjasokam fort me ty,
Si ti lindkam e vdiskam,
Në një pikë shi.
Në një fjollë bore,
Në një rreze dielli,
Si një thinjë rinore,
Si retinë qielli.


Kam marrë e kam dhënë, thënë e pathënë,
(Si mjegull e mugull, kudo ku kam qenë…)
Mërmërimë e dallgë, zemërim e plagë,
Jam bërë vesë – kam zbutur dhenë.


2.


Ngjasokam fort me ty në gëzime e dhimbje,
Në dashuri e besë, vdekje e lindje,
Lumi im – jeta ime.


Pikë – pikë kam pikuar nga qiejt me ujërat,
Përmbi krahë të zogjve, përmbi trup të rrugëve,
Përmbi gjinj të kodrave, përmbi degë të drurëve,
Përmbi krahë të muzgjeve, përmbi prush të buzëve.


Kam pikuar ngadalë si një drithërimë e mirë,
Që fshin pluhur e baltë mbi fytyrën e tokës,
Që bëhet hije e zjarr, fjalë e currilë
Për kolombët e kohës.


3.


Të kam parë të mpakeshe në ditët e nxehta,
Të humbisje i kaltëremë mes zajeve të bardhë
E më ke ngjarë me njeriun që dobësohet e meket.
(Pa një gaz, pa një hall, pa një dallgë…)
I hollohet lëkura e i duken damarët.


Jam trembur mos humb e mos hesht e mos vdes,
Kam kërkuar hapësirave një re si i etur,
-Në djall!, – kam thënë, – qielli i ngrirë e i paqtë që vret,
Të falem, o qiell i vrejtur!


Të falem, o stinë që gjëmon, humbon e kumbon,
Kambanë jete e sulmi bën kupolat e qiejve,
E botën e përgjumur e tund dhe e shkund dhe e zgjon,
Me ca gjuza rrufeje.


4.


E kam pritur një vajzë,
E ke pritur një përrua,
Ti atë e bën dritë,
Unë atë e bëj grua.


5.


Ajo ishte atje, gjithkund e askund,
Ku e gjeja unë, ku e humbisja unë.


Më priste si pjergulla e heshtur, e bukur,
Më kërkonte sytë, më kërkonte supet;


Më kërrkonte hapin, më kërkonte thirrjen
Dhe qante heshtur mungesën time.


Një tjetër kërkoja dhe gjeja si emër,
E doja zjarr, më bëhej shemër.


Ajo është atje, gjithkund dhe tek unë,
E kam gjetur një çast, kam një jetë që s’e humb.


Më është veshur si pjergull, në trup më është futur,
E kam ngritur si pemë, më ka rrokur si kulpër;


Më ka bërë të qeshur,
E kam bërë të bukur.


6.


Shpesh kam qenë larg, në shtegëtim
Pas dëshirave fëmijnore që më tërhiqnin si zogjtë,
Kur befas kam ndier një mërmërimë
Në veshë e në gjak e në gjoks.


Kur befas kam ndier thellë thirrjen tënde të thekshme,
Si thirrjen e nënës për birin që humbi,
S’ti kam dalluar fjalët në moshën e etshme
Me krahë dhe shpirt pëllumbi.


Kam vonuar të kthej. Ti s’ke fjetur në natën e netëve,
Ke dalë të më kërkosh nëpër zaje e brigje.
Ke përmbytur baltra e rrepe e shelgje,
Nën dhimbjen e thellë pa përgjigje.


Ke harruar të lozësh me qiejt dhe malet,
Që lundronin mbi ty si anije fëmijësh prej letre,
I ke lënë fillikat mes hapësirës së madhe,
Ke trubulluar dete.


Kur jam kthyer, të kam gjetur të heshtur, të kthjellët,
Në pasqyrat e ujërave më ke treguar të qeshur.
S’ke dalë të më thuash sa më ke pritur e thirrur,
Brengën tënde thellë e ke fshehur.


Brengën tënde thellë e ke fshehur si dimrin,
Ma ke falur harrimin.
 


KËNGA E TRETË
 


Ç’më thua ashtu me zhurmë, lumi im, ç’më thua ashtu me heshtje,
Me zhurmën tënde tronditëse e të mirë e të ndershme,
Me heshtjen tënde prej gazi e prej drite e prej jete?!


1.


Behari vjen ngadalë nëpër grykat e maleve dhe ujërave,
Nëpër buzët e rreshkura të grave, nëpër duart e ashpra të burrave,
Nëpër pritjen e heshtur të vajzave, nëpër hapin e dridhur të djemve,
Nëpër robat e bardha të dasmave, nëpër sythat e verdhë të pemëve.


Behari vjen ngadalë e bora tretet si ëndrra
E bari mugullon i heshtur si dëshira e foshnjës te nëna.


2.


Atje tej janë arat me grurë e misër,
Atje tej është qielli;
Atje tej janë pemët me krahët tharë e zhuritur
Që digjen nga dielli.


Atje tej është toka me pluhur dhe plisa,
Ku ngordh milingona nën kashtën e djegur;
Atje tej është pylli i madh me lisa
Që u zgjaten rrënjët te zemra e dheut.


Atje tej janë gurët e plasur nga vapa.
Grigjat, shpendët dhe kafshët e punës;
Atje tej janë njerëzit, qytetet, fshatrat,
Të etura për pikën e ujit.


Atje tej je ti, lumi im, që humbet,
Braktis shtratin e gjerë e nëpër dhera firon;
E vdes pak nga pak pa arritur në det
Ndërsa toka bleron.


Atje tej është lumi, jam unë vetë,
Si ai vdeksha në jetë.


3.


Ne jemi ftohur si moti, dimri e vjeshta,
Me shirat lotë, me gjethet fjalë,
Me një ylber te zemra,
Me një ciklon te sedra,
Ne jemi ftohur, e dashur, dhe ti ke qarë.


Lumi im, ujërat i ka sjellë të rrëmbyeshme, të turbullta,
Mos të shihnim dot në pasqyrat e tij
Si shëmtoheshin fytyrat tona të bukura.


4.


Ka kohë, s’fle dot gjumë në dhomat luksoze, të ngrohta.
Pi duhan gjithë natën e natës duke pritur të zbardhë,
Ti më troket mbi tjegulla e mbi xhama e mbi porta,
Ti më troket nën qepallë.


Më ndiqke prapa shaluar mbi një kalë të grivër reje;
Më rrjedh në qelqe dritaresh e në qelqe sysh,
Më bëke dritë me një pishtar të kuq rrufeje,
Ku digjem e lindem sërish.


Atëhere dal nën qiej e lagem nga ujërat e tua,
Mbështjellë me avuj dherash e me shkulme resh,
-S’duhet të heshtësh, duhet të ecësh,- më thua,
-Ke kohë të flesh!


5.


Ditë të bukura janë, lumi im, ditë të bukura,
Mugullon pranvera mbi dherat e kafenjta, mbi ujëra,
E unë vishem me najlonin e hollë të mjegullave të tua.


E unë rritem i ndjeshëm si degët e shelgjeve,
E unë bëhem pema më e bukur e pemëve,
Me mijëra lastarë e mijëra çerdhe.
E ti nxjerr avuj të lehtë nga buzët e tua të dridhshme,
E ti bëhesh dritë e vesë në ijet e buta të ditëve,
E ti mugullon i blertë në fytyrat e stinëve.
 
Janar-shkurt 1988
Nga libri ‘‘Mos më pyet ku kam qenë”, “Naim Frashëri” 1988.