Nga Çano Nora

MENTOR SERJANI ËSHTË POETI QË E MBAN VËNDLINDJEN BRENDA VETES .
Poeti Mentor Serjani ,me origjinë nga fshati Sasaj i Sarandës ,është nga ata krijues që e ka ushqyer dashurinë për letërsinë që në moshë të vogël.Që herët ai ka shkruar poezi ,duke e ndjerë fjalën si thirrje të brendëshme dhe si mënyrë për të komunikuar me jetën.
Ai është autor i tre librave:
* Në rrjedhat e lirikave të jetës
* Erërat e ngrohta të dashurisë
* Oksigjeni i Bregdetit si një mrekulli e tërë
Në krijimtarinë e tij spikasin temat e vendlindjes,dashurisë,mallit për atdheun dhe drama e emigracionit .Bregdeti ,me dritën dhe frymëzimin e tij ,është jo vetëm peizazh ,por frymëzim dhe identitet në vargjet e Serjanit.Ai I këndon tokës që e lindi ,kujtimeve të fëmijërisë dhe ndjenjës së përhershme të kthimit.Prej vitesh jeton në Greqi ,por lidhja shpirtërore me vendlindjen mbetet e fortë dhe e pandarë.
Emigracioni në krijimtarinë e tij nuk është vetëm realitet jetësor ,por edhe motiv poetik ,një urë mes largësisë dhe vëndit të tij të lindjes.
Mentor Serjani përfaqëson zërin e poetit që e mban brenda vetes detin,mallin dhe dashurinë ,duke i kthyer ato në vargje .që rrjedhin natyrshëm ,si vet jeta.
Serjani është një zë i ndjeshëm dhe i përkushtuar i letërsisë shqipe.Pasionin dhe dashurinë për fjalën artistike e ka shfaqur që në moshë të vogël,duke shkruar poezi ,prozë dhe publicistikë,ku ndërthuret përjetimi i tij me dashurinë e vendlindjes.
Në krijimtarinë e këtij poeti spikasin temat e dashurisë për atdheun ,për trojet shqiptare,ndjenja e emigrantit dhe jetës në mërgim.
Poezia e Mentor Serjanit është e mbushur me frymëmarrjen e detit ,me aromën e Bregdetit dhe me nostalgjinë që lind larg atdheut.
Prej vitesh jeton në Greqi ,por lidhjen shpirtërore me Sasaj,Sarandën dhe Shqipërinë nuk e ka shkëputur kurrë,përkundrazi ato bëhen burimet frymëzimi dhe ” oksigjeni ” i vargjeve të tij.Edhe pse është titulluar oficer në vitin 1986 ,nuk e ushtroi asnjë ditë këtë profesion ,por u kthye në Sasaj ,se pëlqente të punonte përgjatë bregdetit shqiptar të Jonit edhe si pasionant i frutikulturës,i plantacioneve me ullinj e portokalla,por edhe si drejtues prodhimi për disa vite në NB Lukovë.Atje i gëzohej punës me bashkëfshatarët e tjerë,por edhe frymëzohej për t’u marrë me krijimtari letrare.Siç e përmendëm edhe më sipër,edhe pse në 1986 u titullua oficer,ai nuk e veshi asnjëherë uniformën e ushtarakut të artilerisë.Fati e thirri në një vënd pune tjetër,në një detyrë tjetër.
U kthye në vendlindjen e të parëve të tij,në Sasaj ,atje ku kodrat e Bregdetit zbresin për t’u përqafuar me detin ku dhe erërat vijnë të ngarkuara me aromën e ullinjve e të portokalleve.Mes punës me bregdetasit e tjerë dhe punës drejtuse të prodhimit ,ai ndërtoi një tjetër betejë ,atë të fjalës.Në mëngjeset e zhurmshme dhe në mbrëmjet e qeta që kthehej nga punët e ditës bashkë me hënën,i lindi frymëzimi: vargjet u bënë “pushka” e tij ,ndërsa libri horizonti ku shpaloste ëndrrat.
Në vënd të artilerisë ai zgjodhi fuqinë e mendimit ,në vënd të uniformës ,petkun e krijimit.Nga libri me poezi “Në rrjedhën e lirikave të jetës”,po shkëpusim vargjet e poezisë” më prit,më prit!…”
E bukur je,si vet pranvera,
e qeshur lozonjare,si lulet e saj,
Aromë të trëndafiltë të sillte era,
bashkë me diellin në maj.
Ditën era e detit të gjen,
plotë buzëqeshje e kaltërsi,
Natën të përkëdhel hëna kur vjen,
të të vejë në gjumë me hënësi.
Vargjet e kësaj poezie ” më prit,më prit!…”,janë një shpërthim i ndjenjës së dashurisë,ku figura e së dashurës shfaqet si mishërim i natyrës dhe përjetësisë.Që në vargun e parë ” e bukur je si vet pranvera” ,poeti përdor krahasimin klasik me pranverën ,simbol i rilindjes,i gjallërisë dhe shpresës.Pranvera nuk është vetëm stinë ,ajo është gjëndje shpirtërore,Bukuria e saj është e re,e çelur,ripërtërirë si vet stina e pranverës.Në vijim ” e qeshur si lulet ndër mote” buzëqeshja merr përmasa kohore.Lulet ” ndër mote” tregojnë vazhdimësi ,cikël,përsëritje të bukurisë që nuk venitet.Dashuria këtu nuk është çast ,por ritëm i përhershëm.
Vargu ” Aromë të trëndafiltë të sillte era”, e çon figurën në hapësirë të hapur,një imazh që për këtë poet ,si autor nga Saranda merr dhe jehonë vendlindjeje.Aroma e trëndafiltë është aromë e këndëshme vendlindjeje.Era që vjen nga deti e përzihet me atë të maleve,është kuptimplote ,autoritare,e paprekur.Kjo freski e dashurisë është natyrore ,e pakomplikuar,e sinqertë.Ja si preferon t’a mbyllë autori poezinë
“Më prit,më prit !…”
Të pëlqen të ecësh mes gjethesh të verdha,
të pyllit të bukur vjeshtak,
Duro,më prit edhe ca ,më prit se erdha,
se s’na trëmb,s’na trëmb dimri zemërak.
Në thelb kjo poezi është një thirrje pritjeje ,një lule që çel dashurinë dhe që e bën atë të mos dremit ,por të mbetet zgjuar përherë, të mbetet si erë mali .
Mbyllja e poezisë sjell një kthesë të bukur stinore,nga pranvera e fillimit,tek vjeshta dhe dimri.Kjo lëvizje nga njera stinë në tjetrën e bën dashurinë të qëndrueshme në çdo kohë.
Në vargun “të pëlqen të ecësh mes gjethesh të verdha,
të pyllit të bukur vjeshtak”,vjeshta nuk paraqitet si zbehje ,por si bukuri.Gjethet e verdha janë simbol i kalimit ,i kohës që rrjedh ,por edhe i një estetike melankolike .Është dashuri që nuk ka frikë nga stinët si dimri,përkundrazi ,i përqafon.
Thirrja: “Më prit,më prit edhe ca,se erdha!..”,është kulmi emocional i poezisë.Përsëritja krijon ankth,padurim,një ndjenjë që poeti është në prag të takimit.Ka lëvizje,ka afrim ,ka premtim.Dhe vargu ” se s’na ndajnë ,s’na ndajnë dot ,
as dimrat zemërak”,e vendos dashurinë mbi kohën dhe mbi sprovat.Dimri ,që zakonisht simbolizon ftohjen apo ndarjen ,këtu bëhet provë e ndjenjës.Ai është ” zemërak” ,por jo më i fortë se dashuria.Nëse në fillim e dashura ishte pranverë,në fund e dashura është më e fortë se dimri.Kjo e bën poezinë të mbyllet me optimizëm dhe besim,një dashuri që kalon mes stinëve ,por e pathyeshme.Një mbyllje e bukur:shpresë dhe qëndresë.
Te poezia “Kurbet i nxirë”,e librit “Erërat e ngrohta të dashurisë”
veçojmë vargjet:
Herë – herë i turfulluar,
Si motoskaf në det,
Rrëmbehem
Malli në fshat më shpie,
Ç’të shoh? Gjithçka e nxirë.
Shtëpitë e gjyshërve,të prindërve.
Tek poezia “Kurbet i nxirë” ndihet fort dhimbja e mërgimit dhe e rikthimit.
Vargu ” herë – herë i turfulluar,
rrëmbehem si motoskaf në det”,sjell një gjëndje të trazuar shpirtërore.Krahasimi me motoskafin krijon një imazh dinamik ,të vrullshëm ,por dhe të pasigurt.Nuk është një kthim i zakonshëm ,është një ardhje me dallgë brënda vetes.Mërgimi nuk është vetëm largësi gjeografike,por dhe një turbullim i identitetit.
” si erë vij drejt fshatit ,malluar,
shtëpitë e të parëve të gjej”
Këtu ndryshon ritmi: nga motoskafi i trazuar,te era.Malli bëhet udhërrëfyes.”shtëpitë e të parëve” nuk janë vetëm ndërtesa,ato janë rrënjë,identitet.Kërkimi i tyre është kërkim i vetvetes.Përsëritja:Kërkoj dashuritë”,është boshti emocional i poezisë.
Tek vargjet e fundit të kësaj poezie:
Në vëndin tim gjej të gjitha dashuritë,
Nga vajzat,gjyshet,nënat
Në të gjitha vitet,
Çatitë e rëna,odatë ,haurët.
Që i kishin afër njeri – tjetrit.
Sa shumë dhëmbin plagët,
Plagët e kurbetit.
Nuk kërkohen thjesht njerëz ,por ndjenja,kohë,përqafime të humbura,një botë që ndoshta nuk ekziston më si dikur.Këto vargje që përmbyllin poezinë e thellojnë dramën.
Çatitë e rëna,odatë,haurët,
Që i kishin afër njeri – tjetrit,
Sa shumë dhëmbin plagët,
Plagët e kurbetit…
Këtu përdoret personifikimi me shumë efekt: shtëpia qan,mërmërit.Rënimi fizik bëhet një histori e rrënimit të kohës.Është një fshat i lënduar ,një histori e braktisur.
Dhe kur vjen pas kaq vitesh dhe e sheh fshatin jot në atë gjëndje,ndjen dhimbje të fortë në zemër.Një fshat si të mos kishte ekzistuar fare.Ky është kulmi i poezisë.Rikthimi që pritej të ishte një bashkim,shndërrohet në ndjenjë përjashtimi.Të ndihesh si i huaj në vëndin tënd,në vëndin e të parëve të tu , është drame më e madhe e mërgimit.Dashuritë kërkohen ,por ndoshta ato kanë mbetur në një kohë që nuk kthehet më.
Kjo poezi ,është një poezi e mallit,e zhgënjimit,e përplasjes mes dëshirës për të kuptuar atë kohë dhe realitetit.Ajo flet për dramën e njeriut ,që kthehet në vendlindje ,por e kupton se koha ka ndryshuar gjithçka,edhe vet atë.
Në këtë poezi ,dashuria nuk është vetëm ndjenjë romantike: është atdheu,familja,fëmijëria,shtëpia,rrënja.Dhe kërkimi i saj është një kërkim i përhershëm njerëzor.
