Poezi nga Drita Çomo

 
SHI
Shiu përplasi mbi xhama trishtimin
Shiu përplasi në xhama mërzinë
Shiu i lagu të gjitha mendimet
Për ditët që ikën dhe ato që do vijnë
Mendime të lagura… si të jetosh
Në këtë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh


Ç’mund të bësh tjetër veç të qeshësh me zor
Në këtë turp të dhimbshëm dhe pa fund
Të gjithë fjalë të bukura të thonë
Po askush nuk ngurron të bëjë ç’të mundë
Fjalë të bukura... Sa hipokritë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellin me llustër.
(18 nëntor 1979)