PËRKUJTESË PËR PENËN DHE SHPIRTIN
3 Marsi 1986 – Dita Botërore e Shkrimtarëve
Nga Nexhbedin Basha
Gazetar & poet
Ka çaste në jetë që kalojnë si fjalë të zakonshme, por mbeten si gurë themeli në kujtesë. Ka takime që nuk bëjnë zhurmë, por ndryshojnë drejtimin e shpirtit.
E kujtoj si sot një bisedë të thjeshtë, me peshë të madhe, në vitin 1992 që përkon me fillimet e ndryshimit të sistemit. Fjalët ishin të pakta, por kuptimi i tyre më mbeti gjatë në shpirt: “Ti ishe nisur për atë udhë…”. Ishte poeti dhe shkrimtari Koçi Petriti që ma tha, me atë modesti të rrallë të njerëzve me emër në letërsi. Ajo fjali më dha besim, më hapi horizont dhe më futi më thellë në hullinë e poezisë dhe të prozës.
Sot, më 3 Mars në Ditën Botërore të Shkrimtarëve mendja më shkon tek fjala, tek libri, tek ata që me penën e tyre ndërtojnë dritë. Kjo ditë, e vendosur në vitin 1986 nga PEN International (Poets, Essayists, Novelists), u kushtohet të gjithë shkrimtarëve të botës, pa dallim vendi apo kohe. Ajo nderon kontributin e tyre në kulturë, mbron lirinë e shprehjes dhe thekson rolin e fjalës së shkruar si themel i mendimit dhe i ndërgjegjes shoqërore.
Letërsia është më shumë se art; ajo është kujtesë, identitet dhe ndërgjegje.
Në këtë ditë të shënuar ndalem veçanërisht tek tre kolosë të letrave shqipe që nuk jetojnë më, por mbeten të pavdekshëm përmes veprës: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Koçi Petriti.
Ismail Kadare; me prozën e tij që e çoi Shqipërinë përtej kufijve dhe kohës.
Dritëro Agolli; që i dha tokës, njeriut dhe dhimbjes një zë të paharrueshëm.
Koçi Petriti; që me mendimin e thellë dhe fjalën e ndritur la gjurmë në poezi dhe në zemrat e atyre që patën fatin ta njohin.
Nga penat e tyre vjen fryma e letërsisë që nuk shuhet, që frymëzon breza dhe ngrihet mbi kohën.
Në shenjë mirënjohjeje për ndikimin e tyre në jetën time dhe në letërsinë shqipe, kam thurur vargjet që vijojnë.
PAS LE NJË VEPËR QË FTILLKON
EPOKAT…
Tani je meteor në qiell të përjetësisë,
Edhe rrugicat qajnë e qielli vajton,
O Kollos, Promete i letërsisë,
Vrapo Kadare si kalorës, vrapo.
Pas le një vepër që ftillkon epokat,
Si gurë themeli janë në shqiptari,
Nga dhimbja edhe malet i kanë ulur kokat,
Kohrat dhe breznitë të nderojnë Ty.
Në shtëpitë prej qerpiçi është fjala jote,
Ngrohtësi le fjalën, mesazh përjetësie,
Gurë themeli vure në fillim epoke,
Tempulli ku falet çdo fjalë lirie...
O KOLLOS I TOKËS MËMË..!
O Dritëro, poet i tokës,
I dhimbjes dhe dashurisë,
S'tu dridh qerpiku, mposhte lodhjen,
O kollos i letërsisë...
Rrëmoje si filozof, rrëmoje,
Cep më cep Arbërisë,
Gurin me grushte coptoje,
Ike si gjeni në përjetësi...
O gjeni i letrave shqipe,
Si Naimi gjurmë le,
Të digjej shpirti për Kosovën,
Si burrë shteti dhe poet.
Gurë më gurë, fjala jote,
Baltës i dhe vlerë,
Ke lënë rrënjë dhe në ahishte,
O poet i Tokës Mëmë.
O kollos, o dritë yllësie,
Ngjyve penën, vargje shkruar,
Hija e pushkës marsh lirie,
Poezia prush që s'shuhet.
Theve mite me vargun tënd,
Ish i ëmbël dhe i hidhur,
Dhe në Dibër ke një vend,
Si poet e mendje ndritur...
SYTË GACA PËR DIJE..!
Në rrugica e sokake shëtita,
Në kërkim të galaktikës...
Sytë më qitën gaca,
Si hije korbi ferri më ndiqte.
Me heshtje guri isha në zgrip,
Një mik poet më nguci,
"Ti ishe nisur për atë udhë..."
Heshtja më ndezi si prushi.
Në sytë e Koçisë lexova ëndrën,
Dhe shkëlqimin e rremë të flakës,
Fjalët e poetit më zgjuan shpresën,
Për poezinë më thyen heshtjen.
Si hije korbi e ndoqi ferri i Dantes,
Më foli me heshtje guri...
Ai u mëkua me poezinë e Camajt,
Më foli për fjalën e lirë me dhimbje burri.
Te guri i varrit lule do dhuroja,
Ti thoja se u përlesha me ujqër e tigra,
Nje gotë verë për ty do pija,
Të shoh në jetë si udhërrëfyes...
Tash hap fletët e librave të mi,
Në rreshta është Koçi poeti...
"Violina e luleve", më thyen heshtjen,
Është dashni me shtyllë guri prej s'vërteti.
UTA E FJALËS SË SHKRUAR
Sot kujtojmë se fjalët nuk janë thjesht vargje apo histori të shkruara; ato janë ura që lidhin të shkuarën me të ardhmen. Shkrimtarët nuk japin vetëm poezi apo prozë; ata krijojnë dritare për të parë më larg, për të menduar më thellë dhe për të kuptuar shpirtin e një kombi.
Le ta çmojmë dhe ta mbrojmë fjalën e shkruar. Sepse çdo libër, çdo varg, çdo rrëfim është një trashëgimi që jeton përtej kohës dhe breznive.
