Në Galerinë e Arteve të Vlorës u hap ekspozita “Gratë në Art”-Përgatiti Lulzime Malaj – shkrimtare, poete, piktore

Në Galerinë e Arteve të Vlorës u hap ekspozita “Gratë në Art”


Sot në Galerinë e Arteve Vlorë, u hap ekspozita me titull “Gratë në Art”, organizuar nga Qendra e Kulturës – Bashkia Vlorë, nën kujdesin e veçantë të Drejtoreshës Anxhela Kapllani dhe Kuratores së Galerisë, Era Xhebro, në bashkëpunim me gratë-artiste të Shoqatës “Laskarina Bubulina” – GDSH, me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
Fjalën e hapjes e mbajti znj. Anxhela Kapllani, ndërsa përshëndetën të pranishmit znj. Vjollca Aliaj, kryetare e Shoqatës “Laskarina Bubulina”, si dhe Lulzime Malaj.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të artit dhe kulturës së qytetit, miq, artdashës dhe studentë. Ekspozita u pasqyrua edhe nga Blu TV dhe 6+1 Vlora.
Eventi u pasurua edhe me lexim poezish nga studentë, të autoreve-artiste pjesëmarrëse: Vjollca Aliaj, Zamira Agalliu, Lulzime Malaj dhe Zamira Mezuraj. Gjithashtu, u prezantuan librat e autoreve Lulzime Malaj dhe Vjollca Aliaj, duke i dhënë ekspozitës një dimension artistik dhe poetik. Në një moment simbolik, Drejtoresha Anxhela Kapllani dhuroi karafila për të gjitha gratë e pranishme, duke e kthyer aktivitetin në një festë arti dhe frymëzimi.
Ekspozita solli për publikun një koleksion të larmishëm veprash dhe krijimesh origjinale: piktura plot ngjyra dhe ndjesi, fotografi artistike, punime artizanale të punuara me durim e pasion, si dhe libra që pasqyrojnë mendimin e autoreve duke përcjell mersazhe dhe emocion. Kjo ekspozitë kolektive krijoi një hapësirë ku zërat krijues të grave u ndërthurën në një dialog ngjyrash, formash dhe ndjesish, ku çdo vepër mbart një histori personale, një përjetim, një fragment shpirti të kthyer në art.
Siç ka thënë Frida Kahlo: “Pikturoj veten sepse jam ajo që njoh më mirë.” Ndoshta arti, në thelb, është pikërisht kjo: një mënyrë për të njohur dhe për të ndarë me të tjerët atë që jeton brenda nesh. Ishte kënaqësi që ndamë këtë hapësirë, ku secila artiste vendosi diçka nga vetja e saj.
Një takim kulturor i bukur që nderon gruan, ku të pranishmit përjetuan artin, energjinë krijuese dhe elegancën.
Përgatiti Lulzime Malaj – shkrimtare, poete, piktore