Por ndonjëherë heroinat më të vërteta jetojnë mes nesh-Eduard Demo

Në 8 Mars shpesh flasim për gra të mëdha të historisë botërore. Por ndonjëherë heroinat më të vërteta jetojnë mes nesh, punojnë në heshtje dhe ndryshojnë jetët e njerëzve pa kërkuar kurrë lavdi. Një prej tyre është Znj.Vera Lesko. Për shumë vite ajo ka qenë një derë e hapur dhe një shpresë për gra dhe vajza që kanë kaluar dhimbje, dhunë dhe padrejtësi. Duke krijuar dhe drejtuar Qendrën “Vatra” në Vlorë, ajo nuk ndërtoi vetëm një institucion – ajo krijoi një strehë, një vend ku shumë gra gjetën mbrojtje, dinjitet dhe forcën për të filluar jetën nga e para.Të qëndrosh pranë atyre që vuajnë nuk është gjithmonë e lehtë.

Kërkon guxim, përkushtim dhe një zemër të madhe. Vera Lesko ka treguar se humanizmi i vërtetë nuk matet me fjalë, por me jetët që ndihmon të ringrihen. Znj. Vera Lesko, ish-Drejtore Ekzekutive e Vatrës, aktualisht kryetare nderi e Vatrës, është vlerësuar ndër vite me çmime ndërkombëtare dhe kombëtare, si: Çmimi Kundër Skllavërisë në Londër, nga organizata Kundër Skllavërisë në vitin 2003 Më 3 Mars 2006, Znj. Vera Lesko mori çmimin e Mirënjohjes nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për angazhimin në lirimin e vajzave, viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. Më 12 Mars 2009, Znj. Vera Lesko u nderua me çmimin Gruaja e Kurajos, nga Ambasadori Amerikan Z. John Withers, në Tiranë. Gjithashtu, Znj. Vera Lesko, më 17 Qershor 2009 mori çmimin Hero që vepron për t’i dhënë fund Skllavërisë Moderne nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe i është dorëzuar personalisht nga Znj. Hillary Clinton, në Uashington, SHBA. Vera Lesko , Presidente nderi e Qendres Psiko – Sociale “Vatra”, vlerësohet nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta si Ambasadore Nderi në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Në këtë 8 Mars, respekt dhe mirënjohje për të dhe për të gjitha gratë që në heshtje bëhen mburojë, shpresë dhe dritë për të tjerët. Heroizmat më të mëdha nuk bëjnë zhurmë — ato shpëtojnë jetë në heshtje.