Angela Kosta – Reziliencë

ANGELA KOSTA – REZILIENCË

(Për të gjitha: Nënat, Motrat, Gratë që nuk jetojnë më… për jetën e tyre të gjymtuar! 

Për ato Femra të cilat sot, vuajnë dhe mbijetojnë në heshtje…) 

Në gjysmëhijen e zymtë,

si qenie e huaj endet shpirti i saj,

gjakosur deri në mavijosje

thonj ngulur deri në dhembje.

Mbi petale vezulluese prehen lotët,

ushqejnë dhe shuajnë etjen e kalendulave 

grimca shpërndarë, mijëra mendimesh.

Të pafuqishme,

përhumben…

muzgje perëndimesh mbijetese 

në gjëmime jehonash,

pa rënkime, pa zë,

të tromaksura 

përballë simfonive madhështore

të dirigjentit, 

veshur me petkun

e princit të errësirës,

rrugëtimin e qëndrueshmërisë

me gjithë supremacinë e tij, 

dirigjon.

Letizia e trëndafiltë

me sy të lodhur,

hedh tej

peshën e rëndë të shtyllave

të Tempullit të Kohës.

Gjunjëzohet burracaku,

para Gruas së Madhërishme,

e kurorëzuar me lotusë e lulëkuqe,

feniks mbi pemën e jetës,

folenë e pëllumbave të lirë, ruan.

Afërdita, stolisur me ngjyrat e ylberit,

në prehrin e saj,

gjurmë të shndritshme yjësish, mbart.

Grua e mrekullueshme, 

përjetësisht, 

mbi buzët e tua vetë jeta prehet

si premtim,

shpagim i së ardhmes.