
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Ishmi dhe Agim Lika
Vendlindja është gjuha e shpirtit. Siç thuhet shpesh: “Vendlindja është kripa dhe shija e jetës.” Gjaku im është shqiptar, djepi im është Shetaj dhe Ishmi, ndërsa zemra ime rreh për vendlindjen – për Shetajn dhe për të gjitha fshatrat e kësaj krahine.
Ishmi, me dhjetë fshatrat e tij të vendosura si një kurorë, me dy kala të njohura, me kisha historike dhe me plazhe të virgjëra, ka një bukuri të veçantë që i bën krenarë ishmakët. Kjo krahinë tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë edhe nga vende të ndryshme të botës.
Në studimin folklorik të Agim Likës lexuesi do të gjejë një pasuri të gjerë traditash dhe elementesh të kulturës popullore: rite, doke e zakone, proverba, fjalë të urta, urime, mallkime, besëtytni, këngë dasmash, si dhe një fjalor të veçantë krahinor. Të gjitha këto përbëjnë thesare të çmuara që ruajnë kujtesën folklorike të krahinës së Ishmit.
Autori dhe veprimtaria e tij
Agim H. Lika ka lindur në vitin 1968 në Shetaj të Ishmit (Durrës) dhe jeton në Tiranë. Ai ka studiuar në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ndërsa më pas vazhdoi studimet në Akademinë Ushtarake gjatë viteve 1983-1991. Në vitin 1991 u titullua oficer aktiv.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka shërbyer në disa funksione të rëndësishme: komandues, pedagog, komandant kursesh, zëvendësshef dhe shef departamenti, komandant batalioni, specialist, shef dege dhe oficer shtabi në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, deri në vitin 2020.
Paralelisht me detyrën ushtarake, ai është marrë edhe me krijimtari dhe publicistikë. Deri tani ka botuar artikuj në revistën “Mbrojtja”, në gazetën “Tirana Observer”, dhjetëra shkrime në revistën “Liberal.al”, materiale për faqen e OJF “Ishmi” dhe shumë publikime në gazetën “Destinacioni”.
Veprimtaria e tij botuese përfshin një numër librash të rëndësishëm, ndër të cilët: Malikët e Shetajt dhe pasardhësit e tyre (monografi); Vendlindja e harruar (poezi); Si hënë e kristaltë (poezi); Arsimi në krahinën e Ishmit 1912-1944 (studim); Fjalë zemre për vendlindjen (antologji); Krenarë për origjinën time (poezi); Arsimi në krahinën e Ishmit 1944-2025 (studim); Ritmi i jetës (poezi); Aroma e vendlindjes, burim frymëzimi për krijuesit; Folklori i krahinës së Ishmit (studim folklorik).
Kultura dhe tradita në krahinën e Ishmit
Autori shprehet me shumë ndjenjë për vendlindjen e tij: “Unë jam ishmak, jo vetëm me emër, por edhe me zemër, të cilën e kam aty ku janë rrënjët e të parëve tanë. Historia e kësaj krahine është si një kështjellë në historiografinë shqiptare dhe ka nevojë të zbardhet.”
Dhe duke vazhduar më tej, studiuesi shtron një pyetje thelbësore se çfarë ka bërë për të kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, traditave dhe riteve të vendlindjes së tij, Ishmit.
Përgjigjen e paraqet libri që ka realizuar. Studiuesi dhe poeti Agim H. Lika e ka ndërmarrë këtë punë me këmbëngulje, vullnet dhe pasion, duke kryer hulumtime të shumta, takime me të moshuar dhe konsultime dokumentesh. Grumbullimi dhe sistemimi i materialeve ka kërkuar kohë dhe përkushtim të madh.
Folklori – nga fjala folk (popull) dhe lore (dije) – është po aq i vjetër sa vetë popujt. Termi u përdor për herë të parë në vitin 1846 nga studiuesi anglez William J. Thoms. Fillimisht folklori ka qenë i pashkruar, sidomos në formën e melodive dhe këngëve popullore, ndërsa më vonë u dokumentua në formë të shkruar, duke siguruar ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Edhe populli i Ishmit ka ditur të ruajë dhe të përcjellë nga brezi në brez pasuritë e tij shpirtërore e materiale. Në këtë proces një rol të rëndësishëm kanë luajtur gjyshërit dhe prindërit, të cilët u kanë transmetuar fëmijëve këngët, vallet, tregimet, zakonet dhe gjuhën e krahinës.
Intervistat dhe studimi folklorik
Autori ka realizuar intervista në shumë fshatra të krahinës së Ishmit, me qëllim evidentimin dhe dokumentimin e këtyre pasurive kulturore. Materialet e mbledhura janë përfshirë në këtë studim të mirëfilltë, i cili ka vlera të rëndësishme jo vetëm për banorët e kësaj krahine, por edhe për studiuesit dhe lexuesit më gjerë.
Libri është ndërtuar në gjashtë kapituj dhe përmban një larmi temash: këngë popullore, rite, zakone, besëtytni, si dhe elemente të tjera të kulturës tradicionale. Në të përfshihen edhe këngë e tradita të Çamërisë dhe të Veriut, pasi në Ishëm jetojnë edhe familje çame dhe malësore, të cilat janë integruar prej kohësh me banorët vendas.
Në shumë familje ruheshin edhe vegla muzikore, si çiftelia, dhe këndoheshin këngë të huazuara nga shokët ushtarë të ardhur nga veriu i vendit. Ndër këto këngë përmenden edhe këngët e “majakrahut”, që këndoheshin nga krushqit gjatë marrjes së nuses. Këto këngë zakonisht këndoheshin nga dy këngëtarë që alternonin vargjet, duke krijuar një dialog muzikor.
Autori ka vënë re gjithashtu se edhe brenda vetë fshatrave të krahinës së Ishmit ka dallime në zakone, këngë apo veshje, sidomos në zonat më të largëta. Këto dallime lidhen me ndikimet e krahinave fqinje dhe me ndërveprimet historike mes banorëve.
Vlera e studimit
Ky libër përbën një kontribut të rëndësishëm për njohjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të krahinës së Ishmit. Ai do t’u shërbejë brezave të rinj për të njohur dhe për të trashëguar zakonet, ritet dhe traditat që kanë përcjellë të parët e tyre.
Njohja e kësaj pasurie kulturore përbën një vlerë të rëndësishme për formimin kulturor dhe identitar të çdo brezi. Urime autorit Agim H. Lika dhe suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij krijuese dhe studimore.