Albert Habazaj
(Nisem nga Tërbaçi im të thur këtë këngëz për vajzat, gratë dhe nënat e Labërisë, Vlorës dhe Shqipërisë sonë, brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë)
Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S’ka se si të jeni ndryshe
O mëllëri nga kulaçi.
Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.
Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s’njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.
Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t’u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.
Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.
Kolona virtyti, nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.
Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!






