Besa që lidh zemrat – pema e dashurisë-Sheqere Sina

BESA QË LIDH ZEMRAT – PEMA E DASHURISË

Nëpërmjet bijës sime prezantoj një vajzë që u rrit duke marrë dije, kulturë dhe duke punuar me përkushtim, pa i ndarë kurrë nga njëra-tjetra. Ajo është Besjona. Besjona është një vajzë që e do veten, e do familjen dhe në shpirt mban respektin dhe dashurinë për njerëzit.

Ajo është bija ime. Jeta ime. Emri Besa forcoi themelet e ndërtuara me germat e saj, në të cilat ajo punoi me përkushtim dhe besnikëri, duke dhënë frymën e dashurisë. Nuk u kursye kurrë. Nuk doli të argëtohej si vajzat e tjera, sepse puna dhe përgjegjësia ishin mbi të gjitha. Unë ndihem e lumtur që Zoti më bekoi me një engjëll – bijën time. Kur ti linde, unë u tremba se mos shkëputeshe nga trupi im.

Por jo… Zoti të lindi që të më dhuroje frymë, të më largoje dhimbjen dhe të bëheshe malli im për shërim. Dashuria ime për ty është pa kufi, si çdo dashuri nëne, pa interes. Që nga ajo ditë e bekuar vere kur ti linde… dhe sot je nënë e tre fëmijëve. Mua më shfaqet ende fytyra jote engjëllore në gjoksin tim, në krahun e zemrës. Sytë e tu flisnin që e vogël. Unë lexoja tek ata dhe ti më jepje forcë. Atë ditë mbolla një pemë arre dhe pema mori emrin Besjona. Ky emër lidhi shpirtin tonë. Sa herë që ti nuk ishe mirë, trupi im e ndiente.

Më dhimbte shpirti. Afërsia nënë e bijë – qeshja, kënga dhe loti i dhimbjes – lidhi muret e zemrës dhe i forcoi në erë, në borë dhe në diell. Një besë, një mendje, një zemër, një dashuri. Sot, ndërsa shkruaj në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, dua të them diçka nga zemra. Ndihem edhe fajtore ndonjëherë. Afërsia jonë ishte shumë e madhe. Ne punonim bashkë. Në punë kishte disiplinë. Unë thosha: “Puna është punë. Duhet të respektojmë njerëzit dhe të punojmë me ndershmëri.” Në shtëpi ishim nënë e bijë. Por koha kalonte më shumë në punë sesa në familje. Besa më kërkonte llogari, por edhe unë kërkoja. Ndonjëherë i thosha: “Mos më kthe përgjigje se jam nëna jote.” Për këtë i kërkoj falje sot. Sepse bija ime është lodhur shumë.

Nuk kemi parë shumë dalje, as pushime, sepse puna ishte krijuar me kredi dhe kërkonte shumë përkushtim për të qenë korrektë dhe besnikë me njerëzit dhe me shtetin. Por Besjona u bë një shembull për vajzat shqiptare. Ajo u përball me sfida dhe përdori zemrën, mendjen dhe logjikën për të krijuar nder dhe respekt. Sakrifikoi veten për familjen dhe për fëmijët. Ka paqe në shpirt dhe jep frymë pozitive. Heq mërzitjen dhe kthen buzëqeshjen. Në çdo poezi është figura e vajzës dhe pasqyra e shpirtit. Besa ka një zemër si diell që lind dhe nuk perëndon. Unë u them fëmijëve të mi: Paraja shkon e vjen. Por për mendimin tim, parajsa janë njerëzit. Respekti është ushqimi shpirtëror. Ndaj sot shkruaj për bijën time, sepse e meriton fjalën nënë.

Ka punuar dhe ka rritur fëmijët edhe në dyqan. Ka përballuar gjithçka me durim. Çdo sfidë të bën më të fortë. Prandaj vajza shqiptare, mos i ndalni ëndrrat tuaja. Vazhdoni me respekt dhe ndershmëri. Në fund dua të them: Bija ime, më fal nëse ndonjëherë kërkova shumë. Por gjithçka ishte për të forcuar zemrën dhe të ardhmen. Sepse zemra lëshon rrënjë dhe nga rrënjët lind pema. Dhe kjo është pema që unë mbolla në pranverë: Pema e Dashurisë – Besa Jonë.