Arben Iliazi

Më 25 shkurt 1887 lindi Norbert Jokl, albanologu austriak, gjuhëtari dhe miku i madh i shqiptarëve. Njihet si një ndër themeluesit e albanologjisë. Mik me Faik Konicën, Fan Nolin, Aleksandër Xhuvanin, Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Lasgush Poradecin, Jokli ia kishte kushtuar jetën gjuhës shqipe. Është autor i librave “Studime mbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes” dhe “Kërkime gjuhësore – kulturore historike nga fusha e shqipes”. Në këto studime i kushton një rëndësi të posaçme leksikut të trashëguar të shqipes: në 101 faqe trajton fjalët burimore shqipe, ndërsa 13 faqe ua kushton huazimeve të saj. Siç dëshmon prof. Eqrem Çabej, Norbert Jokli ia la trashëgim popullit shqiptar gjithë pasurinë e tij në këtë botë, përfshirë bibliotekën me rreth 3000 ekzemplarë libra dhe dorëshkrimet e tij të çmuara, prej të cilëve sot kanë shpëtuar më pak se 200 copë. Ndër të tjera ai ruante dorëshkrimin e një Fjalori etimologjik të gjuhës shqipe, i cili ishte vazhdimi ideal i punës së nisun prej G. Meyer-it. Mjerisht gjurmët e atij dorëshkrimi kanë humbur qysh në pranverën e vitit 1942. Duhet thënë se dëshira e tij ishte që biblioteka e vet t’i përkiste Shqipërisë.
Duhet thënë se shteti shqiptar gjatë regjimit komunist ka shprehur në vijimësi nderimin, por sidomos interesimin e veçantë për trashëgiminë e Joklit. Në vitin 1977 profesorët Kostallari dhe Çabej hartuan një listë të plotë të trashëgimisë intelektuale të Joklit
Prisja që ky nderim të vazhdonte, por kjo nuk ka ndodhur në këto 35 vitet e fundit. Zyrtarë të lartë të Akademisë së Shkencave dhe përfaqësues të Institutit të Gjuhësisë nuk kanë shprehur asnjëherë institucionalisht gatishmërinë për kthimin në Shqipëri të trashëgimisë së Joklit, në përputhje me vullnetin e tij. Ende nuk janë botuar në shqip të gjitha veprat më të rëndësishme të albanologut të njohur. Në ditën e lindjes së tij, duhet të mbahej, të paktën një konference shkencore në nderim të Joklit.
Jokli ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe që, sipas Çabejt, është pasuria e vetme dhe më e çmuar që kemi si komb. Prandaj do të ishte një akt i rrallë fisnik, qytetar nderimi i figurës së tij.
Ernest Koliqi, duke përshkruar një vizitë të bërë së bashku me Aleks Budën në shtëpinë e Joklit në dhetor të 1937, shkruante një vit më vonë te «Demokratia» e Vangjel Koçës:
“E më çoi fíll ke nji raft librash […] Botime të vjetra e të reja: Toskësh e Gegësh e Shqiptarësh t’Italís; të gjithë auktorët, të mëdhej e të mesëm e të vegjël fare; kolekcjone së përkohëshmesh shti për bukurí në kartuç, radhiteshin të dendun n’at bibljotekë të smirueshme. Shum prej atyne botimeve sot nuk gjinden mâ, sado me i pague. Sejcili vëllim mâ së miri i lidhun mbante të shkruem me gërma ari në shpinë titullin e vet. Sýt e mij shetitshin plot lakmi mbi ato tituj e zemra më ndrydhej. Paska qenë dashtë të shkojshëm larg Shqipnije, në nji vend të huej, për të gjetun bibliotekën ideale shqipe”.