
Vullnet Mato
Gabeli me mustaqet dy pëllëmbë e ca,
me benc të zi e barkun si fuçi birrash,
me dy dashnore, me sisë të mëdha,
me xhepat ënjtur, nga para vjetërsirash;
Mbrëmë bllokoi klubin, këndonte tallava,
kish përpara qengjin e pjekur në tavë.
Kamerierit i hodhi bakshish në tabaka,
aq sa pronari i paguan punën një javë.
Kur më pikasi mua, që më ka komshi,
u gajas së qeshuri, me zë të çjerrë:
“Çoi nga unë një birrë, atij robit aty!”
urdhëroi kamerierin me ton të prerë;
Dhe tha: ”Kam gjynah për atë rob zoti,
se mban dritën çelur, deri në saba,
bën libra në vapë, e kur të than i ftohti,
po e paguajnë të hajë supë, si kalama!”
U ndjeva aq keq, sa desha ta lë klubin,
Por dashnorja e dehur, më zërin zuzar:
tha: Pije birrën, o Aga, se ta heq turpin,
ta shtyp kokën mes sisëve, si kokërr arrë!
Pashë gjinjtë e saj, sa dy qypa prej mishi,
teksa gati shpërthenin grykën e fustanit,
më zuri turpi e frika, sikur dy gjyle të ishin,
do ma shpërthenin kokën në mes të lokalit.
Shkruaja, për të gëzuar dinjitet të dëlirë,
si të bija aq poshtë, me punen time fisnike?
Të më mëshironin, me një shishe birrë,
nuk e desha më veten, në ato çaste kritike…
Më ngeci në fyt, birra e gabelit milioner
dhe u betova, për më të shtrenjtët e shtëpisë,
në klubin e lagjes, nuk do hy më tjetër herë,
të rrezikoj dhe kokën, nga ato gjylet sisë!...